Rroftë 5 Maji; lavdi të rënëve për atdhe!
5 Maji është ditë përkujtimore, kushtuar të rënëve për lirinë e Atdheut.
Për ata që bien për ta pasur Atdheun të lirë, është shkruar e do të shkruhet sa të jetë jeta. Ata do të kujtohen e do të nderohen, në jetë të jetëve, për aktin sublim që bënë. Martirët tanë kanë rënë, në fushën e luftës, në moshën më të re, në atë moshë kur njeriu është vital e i ndërgjegjshëm për atë që bën.
Këtyre trojeve nuk u kanë munguar martirët, në çdo kohë të rrugëtimit të gjatë. Toka arbërore është e vaditur me gjakun e bijave dhe bijve të saj, më të mirë. Më kot përpiqen një takëm, natyrisht për qëllime të caktuara (të mbrapshta), t’i parcelizojnë apo t’i përvetësojnë bëmat e të tjerëve. Martirët, vërtet kishin dy duar (krahë) por zemrën dhe shpirtin ia kishin përkushtuar Nënës Shqipëri. Madje edhe jetën, ia falën asaj.
Pa u shpërndarë në histori rastesh, dua t'u përulem thellë, me nderim e respekt, pa kufi, atyre që dhanë jetën për të mbrojtur këto troje, si dhe t’ju kujtoj si festohej 5 maji, në kohën e Diktaturës së Proletariatit. Vetë fjala diktaturë është disi e rëndë e me komutacion negativ, por, Dëshmorët e Atdheut kujtoheshin e nderoheshin. Në kujtimet e mia të paanshme, të cilat, më vijnë të freskëta, sikur të kenë ngjarë dje, kam fiksuar:
5 Maji ishte ditë përkujtimore, e sanksionuar në ligje. Formalisht ishte shpallur ditë pune; në fakt, atë ditë nuk punonte asnjeri. Këtë avaz mbanin qendrat e punës e të prodhimit, shkollat sajonin ekskursione e ndonjë koncert, repartet ushtarake, planifikonin veprimtari ndihmëse dhe koncerte etj.
Aparatet e partisë hartonin lista të përpikta, me adresë të saktë të familjeve të dëshmorëve. Kjo nuk bëhej më kot; në këto familje do të bëheshin vizita kortezie. Organet e pushtetit lokal sidomos ato të tregtisë, planifikonin, për çdo familje dëshmori, disa kg mollë (fruta të cilësisë së mirë), ndonjë pulë jashtë racionit javor, ëmbëlsira etj.
Ngriheshin grupe vizitorësh, në përbërje të të cilëve kishte titullarë, të dalluar, punonjës, të rinj etj. Grupet që shkonin një herë për vizitë, vitin pasardhës, shkonin në tjetër adresë. Vizitat e kortezisë, zakonisht, nisnin rreth orës 10.00, paradite.
Familjet e dëshmorëve, kujdeseshin që, atë ditë, në shtëpinë e tyre, çdo gjë të ishte në perfeksion (sipas mundësive). Qerasja niste nga ai që udhëhiqte grupin, i cili, si rregull, duhet të ishte aparatçik politik. Urohej me një gotë raki, me ëmbëlsira e pastaj fillonte të ngrënët e të pirët.
Urimi ishte: I paharruar qoftë kujtimi i tij (saj); të rroni e ta kujtoni; të rrojë partia dhe shoku Enver! Urimin e përsërisnin të gjithë anëtarët e grupit.
Edhe në këtë rast, diferencimi bëhej, por i maskuar. Në disa familje dëshmori, ku kishte për të ngrënë e për të pirë, valonte rakia, me dolli, kërciste kënga dhe kundërmonte era e mishit të pjekur. Në këto familje, shkonin zakonisht titullarët.
Pas përfundimit të vizitave në Tiranë, me makinat e vogla të komandës dhe të aparatit të partisë, titullarët, niseshin për vizita dhe në repartet e tjera të aviacionit. Me qëllim që të forcohej uniteti, praktikoheshin dhe vizita të ndërsjellta, mes grupeve të reparteve të ndryshme, në familjet e njëri-tjetrit.
Në fund të ditës, njerëzit, duke pirë nga një gotë në çdo shtëpi, bëheshin "tapë" e u merreshin këmbët. Nëpër fshatra, bëhej nami, me raki, këngë e me mish të pjekur në hell.
Edhe tani, ditë përkujtimore është, kam mendimin se duhet kujtuar, natyrisht, në kushtet e reja.