Dashuria për librin – dashuri e madhe
Biblioteka e familjes sonë është librashumë dhe e larmishme. Nuk pretendoj se i kam lexuar të gjithë librat, por krenohem me ta. Dëshirën për të lexuar libra e kam të hershme. Të paktën nga klasa e pestë e shkollës fillore. Në hullitë e bukura të letërsisë më ka orientuar të futem mësuesi i ndjerë – libohoviti Bardhyl Joka. Një takim me shkrimtarin Kin Dushi dhe ai me Ministrin e Arsimit të asaj kohe – atdhetarin Bedri Spahiu – ma shtuan dëshirën për të lexuar.
Mësues Bardhyli, një lexues sistematik, orën e mësimit që drejtonte e ndante më dysh. Në gjysmën e dytë të orës së mësimit, Ai bënte rrëfimin e episodit të fundit të romanit më të ri që lexonte — “Përmbysja”, i cili ishte njëri nga të paktët libra artistikë të kohës. Mësues Bardhyli (ndjesë pastë) rrëfente e ne, nxënësit e tij, bëheshim sy e veshë. Sipas kushteve, mundësive dhe dëshirës, nisëm të lexonim edhe libra jashtëshkollorë.
Në Korçë, kur hyra në Teknikumin Bujqësor, gjeta kushte mjaft komode e nxitëse për të lexuar. Metodistja e përkryer - Kostaqe, një mesogrua, e pakët nga shtati, por me zemër e shpirt si det dhe me kokën plot, më korrigjoi “shënjestrën” për të shmangur hallakatjen që kisha në leximin e librave e më futi në hullinë e nevojshme. Shkolla e Mesme Bujqësore, në Korçë, qytet që njihet si djep i kulturës, më formësoi dhe e forcoi më tej vullnetin tim për të lexuar e për të shkruar.
Kur u bëra me pagë me vete, në pranverën e vitit 1963, nisa të blej libra rregullisht e, pak nga pak, formova një bibliotekë vetjake, e cila u shumua parreshtur. Në Regjimentin e Rinasit, në hotelin e beqarëve, banoja në të njëjtën dhomë me të ngjashmin Ahmet Sulejman Zogu, i cili kishte prirjen e preferuar prej meje për të lexuar. Të dy përshtatëm disa rafte në dollapin e teshave, ku vendosëm librat që blinim. Kësisoj, mori udhë biblioteka vetjake, e cila u shtua e u pasurua dita-ditës. Sa herë merrja rrogën e sa herë dilnim në qytet, vrapin e mbaja në librari.
Blija çdo libër të ri të pacensuruar. Në kohën për të cilën bëhet fjalë, librat artistikë i gjeje në treg, rrallë. Ata botoheshin në pak ekzemplarë teksa kërkesat e njerëzve ishin në rritje. Përparësi kishin librat politikë.
Në preferencat e mia ishin librat artistikë të shkrimtarëve klasikë rusë, si Lev Nikollajevic Tolstoi; Aleksander Sergejevic Pushkin; Lermontovi; Cehovi; Sergej Jesenin; Maksim Gorki dhe të tjerë shkrimtarë të njohur e më pak të njohur. Mihail Shollohovit, në atë kohë, i bëhej shumë reklamë, por cilësia e shkrimeve të tij voluminoze, në disa vëllime, siç ishte rasti me “Donin e Qetë” dhe ndonjë libërth si “Fati i njeriut”, u bë e diskutueshme. Shkrimtarët shqiptarë, si ata të letërsisë klasike dhe ata më të rinj, ishin ndër të preferuarit e mi. Noli; De Rada; Zef Serembe; vëllezërit Frasheri etj. dhe të rinjtë Ismail Kadare; Dritero Agolli; Fatos Arapi etj. etj. zunë vend dhe mbushën shpejt raftet e bibliotekës sime. Pëlqeja shumë Lasgushin, Foqion Postolin, xha Mihal Gramenon etj.; i lexoja me shumë dëshirë.
Aq fans isha i Kadaresë dhe Agollit, saqë nuk lija libër të ri të dalë nga mendja e tyre pa e blerë e pa e lexuar. Isha i ri në moshë dhe truri im përthithte shpejt dhe gjithë sa i jepja.
Disa romane, sidomos ato me tematikë historike si “I fundmi i Mohikaneve”, “Aivenhoi”, “Lamtumirë armë”, “Plaku dhe Deti”, “Njeriu që qesh” etj. etj., të cilëve u bëhej shumë reklamë, jo vetëm nga Shtëpia e vetme botuese që mbante emrin e Naim Frasherit, por edhe nga lexuesit vetë, kisha kuriozitetin apo “maninë” për t’i lexuar sa më shpejt. Prandaj, në një ditë fluturimi (më 4 qershor 1964), në vend që, përpara se të më vinte radha për të hipur në kabinën e avionit Mig 17 - f, me numër anësor 227, t’i hidhja një sy detyrës së ditës, u futa në parcelën me misër, pranë zonës nr. 1 të fluturimeve, me romanin e Valter Skotit nën sqetull dhe nisa ta lexoja me endje. Atë ditë, i dhënë tërësisht pas ndodhive të romanit, harrova radhën e ngritjes në ajër e i lejova vetes një gabim të rëndë në ngritje, i cili për pak më kushtoi jetën. Ndodhia që pasoi daljen time nga pista e ngritjes për fajin tim u shndërrua në një pragkatastrofë ajrore e përfundoi me dëmtimin tim e të avionit që pilotoja.
Kur dilnim në Tiranë, me dalje të lirë, si ushtarët, dy herë në javë, sipas një radhe që e menaxhonte Gezdar Veipi (ndjesë pastë), të cilit i thonim, natyrisht me shaka, “beqar i stazhionuar”, sapo qëndronte autobusi ushtarak 20-vendësh në qendër të qytetit, pranë kafeterisë me emrin “Kursal”, e mbaja vrapin tek një barakë anës Lanës ku tregtoheshin libra. Në atë barakë, në cep të urës që të çon tek Drejtoria e Policisë së Tiranës, tregtonte libra Ballkizja, një mesogrua, me sjellje tepër korrekte dhe dashamirëse. Ajo, si njohëse e mirë e fushës, më ruante librat e rinj e më rekomandonte librat artistikë të përshtatshëm e më të kërkuarit. Kur nuk ndodhej Ballkizja në barakë, Atë e zëvendësonte Nëna e saj ose bashkëshorti Mitat, të cilët, gjithashtu, ishin dashamirë ndaj meje.
Kur e zhvendosën barakën nga vendi e nuk di ku e shpunë, u lidha me një librare, e cila ishte ekonomiste, diku në një dikaster, por punonte dhe librare. Ajo ishte nga Korça; e quanin Vangjeli e ishte grua mjaft me kulturë, me edukatë të shëndoshë dhe kompetente. Mandej blija libra tek një librare në rrugën e Durrësit, e cila quhej Zana. Edhe në këtë njësi, m’i ruanin librat e rinj. Më vjen për të qeshur kur kujtoj se në Tiranë, unë njihja më tepër librare sesa kameriere e banakiere.
Ndodhte kështu mbasi isha shumë i dhënë pas librave dhe shitëset, për shkaqe nga më të ndryshmet, ndërronin punë ose njësitë e tregtimit të librit. Ku nuk arrita për të siguruar librat artistikë, të cilët, në ato vite, ishin deficitarë. Librarja tek Varri i Bamit; ajo tek Shkolla e Bashkuar e Oficerëve, një hileqare, tek busti i Qemal Stafes, në rrugën e Elbasanit e ndonjë tjetër, në Tiranë të Re, apo në Laprakë më mbanin me lajka. Edhe nëse rrallëherë futesha në lokalet ku shërbeheshin pije dhe ushqim, kryesisht për hir të shokëve, punën për blerjen e librave të rinj nuk e ndërpreva asnjëherë.
Qëndrimi në të njëjtin repart, në Rinas, zgjati rreth 3 vjet. Erdhi koha dhe statuskuoja ime u prish; më transferuan në Qytetin “Stalin”, në skuadrilen e tretë të këtij Regjimenti, e cila kishte vartësi të dyfishtë: nga Regjimenti, në periudhën e lagësht dhe nga Shkolla e Aviacionit, kur thahej fusha e kriposur e Poros, ku zhvilloheshin fluturime stërvitore me studentët për pilotë. Sa të vështirë e pata për të marrë me vete librat e bibliotekës vetjake. Mund t’u duket çudi, por unë aq i pasionuar isha pas librave saqë, edhe kur u transferova, në një thes, futa librat më të preferuar, të cilët i çova në Qytetin “Stalin”, në hotelin e beqarëve, ku u akomodova. Vlen të them se në Qytetin “Stalin” ishte vështirë të siguroje libra artistikë, sidomos nga ata të kërkuarit.
Në qytetin e naftëtarëve, vërtet kishte klasë punëtore, por nuk ishin të paktë dhe intelektualët. Efektivat e aviacionit, të të gjitha kategorive e profileve, lexonin shumë; në Qytet kishte shumë inxhinierë nafte dhe specialistë të mirëfilltë, të cilët i gjëmonin shumë librat e rrallë. Kishte dhe ushtarakë të tjerë, artilierë, tankistë e të profesioneve të tjera, të cilët gjithashtu lexonin.
Në atë kohë, në Qytetin “Stalin” funksiononte vetëm një librari pranë postës së qytetit dhe një tjetër ishte në Urën Vajgurore. Me vështirësi u lidha me libraren e vetme të Qytetit “Stalin”, e cila ishte tregtare e ndershme, por ishte zënë në hall dhe “Kujt t’ia prishte e kujt t’ia ndreqte?” Bëra si bëra, çava. Shfrytëzova një rrethanë të favorshme për mua: respektin që kishte librarja për efektivin e Regjimentit të Aviacionit, mjaft nga kuadrot e të cilit ishin blerës të rregullt të librave.
Nuk e çmoj të tepërt t’ju bëj me dije dhe një detaj, thjesht personal. Meqenëse librat e mi u shtuan në numër dhe thesi u rëndua, një pjesë të titujve e çova tek një njeri imi, në Tiranë, biblioteka e të cilit ishte e varfër. Nuk ishin pak, por rreth 500 tituj nga ata që unë nuk i kisha në plan të parë të preferencës. Mjerisht, njeriu im, ushtarak, u transferua, së bashku me familjen e tij, në Berat. Pakujdesia për librat dhe fakti që familja e tyre nuk kishte shpenzuar për blerjen e librave i hapën shtegun shpërdorimit dhe shpërndarjes së tyre pa kriter. Kur vajta për të marrë librat e mi, u befasova kur në raftet e bibliotekës së familjes së njeriut tim kishin mbetur vetëm disa revista e libra, të cilët nuk i konsideroja.
Vajtjet e mia të shpeshta nga njëri qytet në tjetrin (atje ku kishte repart aviacioni) më shërbyen dhe për të bërë një lloj rikonjicioni, me qëllim që të piketoja ku mund të gjeja libra të cilët nuk i gjeja në Tiranë. Ndaloja vazhdimisht në Kavajë, për të ngrënë ndonjë tas me kos dhe për të blerë ndonjë libër. Në atë kohë kavajasit lexonin pak. Lushnjarët, beratasit, elbasanasit, madje dhe korçarët, lexonin pak. Në Vlorë, libri nuk binte në shesh; Vlora kishte uri për libra.
Në Berat, më ngjau diçka, të cilën nuk e prisja. Në lagjen “Murat Celepije”, hyra në një librari, pa pasur ndonjë objeksion konkret se mund të gjeja libra të pagjetur gjetkë. Librari më ftoi në një lloj bodrumi ku kishte mjaft pluhur, i cili kishte mbuluar librat që ishin brenda. Çfarë të vështroja?
Nga togu i librave tërë pluhur, librari nxori një vepër të Josif Visarionovic Stalinit, nga ato me format të vogël, të lidhura me kapak të fortë bojëkafe. Librat ishin në seri, nga numri 1 deri në atë 14. I bleva se nuk i kisha në bibliotekën time. Josif Visarionovic Stalinin e kam pasur për zemër. Sido që Ai ishte diktator dhe kishte bërë krime në territoret e Bashkimit Sovjetik, në vendin tonë, ishte bërë aq propagandë e fortë, saqë edhe në librat shkollorë të viteve pas Luftës së Dytë Botërore shkruhej: Enver - Tito - Stalin.
Kujtoj se kur vdiq Stalini, e isha në shkollën shtatëvjeçare (nxënës i klasës së pestë), në Tepelenë, duke iu referuar kryesisht rolit të tij në Luftën e Dytë Botërore dhe “hijes” që ishte krijuar për rolin e tij ndaj vendit tonë, qanim tek dëgjonim njoftimin dhe pëshpërisnim me njëri-tjetrin, me logjikën e një fëmije 11-12-vjeçar se “Tani iku bota!”
Të kthehemi tek librat e braktisur të Stalinit, në atë librari, në lagjen “Murat Celepie”, ku kishte më shumë pluhur se libra. I bleva librat e, në një torbë, i çova në hotelin e beqarëve, në Qytetin “Stalin”. Atë ditë, me rekomandim të librarit, bleva dhe disa kokrra limoni, me qëllim që, me lëkurën e limonit, të fërkoja fort kapakët e librave, në mënyrë që të hiqeshin pluhuri dhe njollat që ishin ngjitur pas kapakëve. Pas fërkimit të fortë dhe për disa orë, librat erdhën në gjendjen e tyre të mëparshme dhe unë çoç ndjeva një si krenari të brendshme që kisha bërë timen një pjesë të veprave të klasikëve të marksizëm-leninizmit. Në atë kohë, Stalini dhe vepra e tij kriminale ishin dënuar e “Hija” e tij ishte sfumuar në arenën ndërkombëtare, kurse, në vendin tonë, “mblohej” me kokëfortësi figura e tij, ndonëse jo hapët...
Me thes plot me libra të vyer shëtita nëpër reparte të ndryshme të aviacionit. Edhe në Poro, gjatë kohës kur isha në rolin e instruktorit të teknikës së pilotimit, në aeroplanët reaktivë Mig - 15, thesi me libra nuk m’u hoq nga kurrizi. Vetëm në vitin 1968, kur u bëra me shtëpi, në Tiranë, thesi me libra u zbraz në një bibliotekë të sajuar, sipër depos së druve. Mirëpo vite më pas, ndodhi një paudhësi brenda familjes, e cila më kushtoi rreth 100 dispensa të Fakultetit të Drejtësisë (në atë kohë, studimet në shkollat e larta funksiononin jo me tekste, por me dispensa).
Me tërë ata libra në familje, dikur mendoja: “I mjeri unë; djemtë do t’i shesin me kile librat e mi e do të thonë: ‘Babaziu, po të kishte ngrënë e po të kishte pirë, me paratë që ke harxhuar për të blerë libra, mbase do të rronte dhe ca kohë!’” Mirëpo nuk ngjau kështu. Mbesa 6 vjeçe, kur vjen në shtëpinë tonë e vështron bibliotekën plot, thotë: “Nëna, ju adhuroj për këtë bibliotekë kaq të madhe! Si i keni blerë dhe a u ka humbur ndonjë libër? Kush i ka lexuar këta libra dhe a do të mundem t’i lexoj unë…?” Lëri djemtë që kanë përfunduar shkolla të larta cilësore? Është shumë e vërtetë që në kohët që po kalojmë, libri sikur është “braktisur” e përparësi marrin celulari dhe mjetet e tjera të komunikimit masiv. Por ka dhe nga ata që e duan e nuk e ndajnë nga dora librin.
Për t’u shënuar është puna për përhapjen e dijeve përmes revistave të ilustruara dhe librave me figura, të kësaj natyre. Meqenëse biblioteka vetjake u pasurua dhe me libra e revista për fëmijë, shtëpinë time e “dyndën” fëmijët e pallatit, të bllokut, deri dhe të lagjes, të cilët, duke shfrytëzuar shoqërinë që kishin me djemtë e mi, vinin, pa drojë, në shtëpi, për të “bërë” mësimet, por dhe për të tërhequr libra nga ata që nuk i gjenin lehtë, as në familjet e tyre, as në shkollë e nuk ishin bërë në moshë për të frekuentuar bibliotekat e shtetit. Kisha çelur një bllok, ku shënoja emrin e klientit, titullin e librit, datën e tërheqjes dhe me një shenjë të kuptueshme – datën e kthimit. Librat që qarkullonin më shumë ishin ata me përralla, Tregimet e Moçme Shqiptare; Proza Popullore Shqiptare, librat me tematikë nga Mitologjia Greke, si: Homeri; Odisea; Herakliti; Sofokliu; Herkuli etj. etj. Kujtoj një revistë të ilustruar, me vjersha brenda, e cila bënte fjalë për një fëmijë që kishte lënë lavamanin hapët dhe kur erdhi uji (se uji, në atë kohë “vinte” në banesë në orare të caktuara), u mbyt shtëpia. Vargjet “Obobo, i ziu, ç’bëra…?”, “Alo! Të vijë Mamaja; në shtëpi u bë hataja…” etj. nuk gjenin pushim, por kërkoheshin në vazhdimësi. Fëmijët janë të sinqertë dhe, si anëtarë të bibliotekës familjare, ishin tepër korrektë. Për të shuar kureshtjen e lexuesit, kujtoj se numri i fëmijëve abonentë në Bibliotekën e familjes i kaloi të 100 nxënësit. Propagandimin e librit, në familjen tonë, tashmë nuk e bënin vetëm dy djemtë adoleshentë, me shoqet dhe shokët e tyre të moshës, por jo pak ndikonin fjalët e Nënës sime, Zonjës, e cila, me vend e pa vend, u thoshte njerëzve: “Djali im ka një tren me libra!”
Në vitet ’80 të shekullit që shkoi, pata privilegjin të shërbeja në Regjimentin e Helikopterëve, në Tiranë, në detyrën e Zëvendëssekretarit të Byrosë së Partisë. Mbuloja dhe problemet e kulturës. Përveç risive të tjera, në këtë Regjiment gjeta një terren mjaft të përshtatshëm edhe për të punuar me librin. Meqenëse detyra ime funksionale ishte e lidhur me punën e partisë, veprimtarinë time e shtriva me shumë dëshirë dhe në fushën e përhapjes së librit politik, i cili, në atë kohë, ishte mjaft në “modë”, nëse mund ta them kështu. Efektivat e Regjimentit, si ata që fluturonin (pilotë dhe teknikë bordi), ishin njerëz të pasionuar pas librit.
Por dhe kuadrot e tjerë, pavarësisht nga funksioni e specialiteti, lexonin. Kishte një arsye të fortë kjo praktikë pune. Meqenëse në aviacion punohet në kolektiv (tani i thonë në grup), analizat, deri dhe bisedat e lira, bëheshin të përbashkëta. Ata që nuk e kishin fort qejf leximin ishin të detyruar të ngrinin “pjacën”, në mënyrë që të mund të merrnin pjesë në bisedë me njerëz me nivel të ngritur.
Në Regjimentin e Helikopterëve, gjeta dhe disa kushte të tjera, të cilat ma lehtësonin punën dhe më gjendeshin në ndihmë. Komisari i Regjimentit (shefi im i drejtpërdrejtë), një pilot me përvojë të gjatë në dhënien e mësimeve të fluturimit në Shkollën e Aviacionit, me zgjuarsi e me takt, nuk më tha kurrë jo, kur duhej vepruar për të siguruar literaturë. A. Nanaj, drejtues i punës së partisë në Regjiment, gjeti tek unë një lexues të pasionuar dhe një njeri që qëmtonte librin politik dhe atë artistik. Sapo merrja njoftimin se kishte dalë nga botimi vepra e radhës e Enver Hoxhës, ashtu si në raste të tjera, kur më duhej të ftoja në Regjiment ndonjë njeri me vlera në fusha të ndryshme të jetës, si Ismail Kadare; Dritero Agolli; Fatos Nano; Sabri Godo; Spiro Koleka etj. për të zhvilluar informacion politik të kualifikuar, njoftoja Komisar Agimin dhe Ai nuk ma prishte për të shfrytëzuar makinën e vogël të Komandës së Regjimentit, për të shkuar.
Kur më duhej në detyrat kulturore, zbrisja në kryeqytet dhe e ndalja vrapin tek Libraria “Flora”, në qendër të metropolit, ku ishte librare, tironsja e rrallë Kimete. Me libraren kisha rënë dakord të merrja, herë me lekë në dorë e shpesh me kredi, sasinë e ekzemplarëve të nevojshëm, të serisë së veprave të Enver Hoxhës. Po sa ekzemplarë merrja? Siç urdhëronte partia, të gjithë ata që ishin të regjistruar “komunistë” në bazë të një liste që menaxhonte sekretari i organizatës-bazë të partisë, duhet të pajiseshin me veprat e serisë së Udhëheqësit të Partisë.
Kishte dhe të tjerë, të cilët nuk ishin të regjistruar në parti, por që i blinin veprat, vullnetarisht, për arsye të ndryshme. Më shumë besohej se po të blije librin politik dhe këtë ta dinin ata që bënin politikën e kuadrit, mund të kishe favore e të ngjiteshe në karrierë. Sekretarët e organizatave-bazë të partisë, por dhe të shkruarit “komunistë” ia kishin parë të mirën kësaj pune. Sekretari tërhiqte tek unë aq kopje libri sa i nevojiteshin dhe paratë i paguante kur klientët e tij merrnin pagën muajore. Kjo përbënte lehtësi për klientët e librave politikë, të cilëve u ngjante sikur po i merrnin librat falas, pavarësisht se kurrizi do t’u “kërciste” më pas.
Librarja Kimete, aq sa kishte mundësi, më furnizonte dhe me libra artistikë të rrallë, për të cilët kishte uri, jo vetëm tek lexuesit e rregullt të Regjimentit të Helikopterëve, por dhe në qytetin e Tiranës. Njerëzit i merrnin veprat e udhëheqësit, disa me dëshirë; të tjerë, nga droja se mos veçoheshin nga shokët e binin në sy për keq. Më ka ngjarë dhe një rast i veçantë, i padëshiruar nga ana ime, por domethënës.
Në një rast, nuk di përse e me çfarë rasti, shkova për vizitë në shtëpinë e një oficeri, anëtar partie, në Kombinatin e Tekstileve “Stalin”. Në shtëpi ishin lajmëruar qysh më parë e ndodheshin të gjithë anëtarët e familjes ushtarake. Mora qerasjet e rastit dhe urova të zonjën e shtëpisë për rastin fatlum me dëshirën e mirë që në atë familje çdo gjë të shkonte mbarë. Në bisedë e sipër, e zonja e shtëpisë mësoi emrin tim. Papritur, Ajo ndryshoi qëndrim dhe pyeti bashkëshortin, i cili rrinte si mbi gjemba: “Ky është Ai Niaziu, i librave, që na e ka mbushur bufenë plot me vepra, të cilat rëndojnë e u kanë zënë vendin qelqurinave?”
Oficeri nuk e deshi veten; Ai, herë skuqej, herë zverdhej nga sikleti dhe për ta kaluar hallin, e përcolli bisedën në tjetër temë. Siç duket, burrëziu i kishte marrë veprat jo me dëshirën e tij, por nën trysninë e opinionit të nënrepartit dhe të sekretarit të organizatës-bazë të partisë.
Disa libra (të cilët nuk ishin të paktë) përpara ndryshimeve demokratike të viteve ’90 ishin tabu. Në bibliotekën e familjes sonë, për shkak të botëkuptimit të autorëve të tyre dhe përmbajtjes së papërshtatshme, nuk kishin zënë vend. Autorë me peshë në filozofinë botërore dhe njerëz të ditur, si Nice; Hegel; Kant; Kamy; David Hyme; Habermans; Karl Poper etj. etj. ishin të papranueshëm për një bibliotekë, pronari i të cilës kishte botëkuptim materialist. Pas ndryshimeve që ngjanë në vitet e mëvonshme, edhe këtyre emrave u hap vend në bibliotekën e familjes sonë. Librat e tyre (ata që janë përkthyer në gjuhën shqipe) lexohen me endje dhe plotësojnë boshllëkun e krijuar nga koha.
Në bibliotekën e familjes sonë kanë zënë vend libra në shqip e në gjuhë të tjera. Për shansin tim të keq, zotëroj në nivele të kënaqshme vetëm gjuhën ruse. Gjuhët e tjera, si ato europiane dhe ato oksidentale, i njoh përciptaz ose nuk i njoh fare. Librat në gjuhët që nuk i kuptoj janë vendosur në rafte me vete dhe i shfrytëzojnë djemtë dhe bashkëshortet e tyre. Meqenëse librit, kur për të bëhet kujdes, nuk i kalon koha, mendoj se koha që vjen do t’i lëvizë nga vendi edhe ata libra që tani duket sikur janë përgjumur.
Besoj se ka lidhje dhe fakti që, në familjen time, nuk jepen dhurata materiale, në rastet e nevojshme, me rraqe e zbukurime, por dhurohen libra. Kjo më jep kënaqësi të veçantë dhe në familjen tonë ka marrë vlerën e një norme, të cilën e respektojnë të gjithë, madje dhe kalamanët, të cilët gëzohen shumë kur u dhurohen libra e revista të ilustruara. Një libër, i dhuruar, kur ka dhe një përkushtim të gjetur, në krye, për mua është vlerashumë.
Kohët e fundit, futjen në librari e kam rralluar. Dëshirën e kam të madhe e nuk ngopem së bleri libra, por ky kufizim lidhet me mungesën e vendit ku sistemohen librat. Përveç hapësirës së munguar, ka dhe ndonjë shkak tjetër vetjak. Prandaj jam i shtrënguar t’i blej librat me përzgjedhje, ndonëse e kam të qartë se libra pa vlerë nuk ka e nuk mund të ketë.
Për ta përfunduar këtë rrëfim, pa bërë Belulin që rrëfehet, por pa i shpëtuar “kurthit” për të rrëfyer si ai, ruaj mendimin se sido që tek njeriu kapacitetet intelektuale zvetënohen me avancimin e moshës, dëshira për të lexuar e për të ndenjur brenda librit nuk humbet; ajo shuhet me njeriun vetë.
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, gjatë muajit janar 2022.
