Modele të cilat mund të mos ndiqen
Disa organe apo kanale të edukimit masiv kanë marrë përsipër edukimin e masave të gjera. Bravo u qoftë! Në praktikë, ky edukim bëhet me fjalë dhe me modele. Prej të dyjave nuk jam i kënaqur.
Vështroj e dëgjoj gazetarë (u thënçin) me njohuri të cekëta e tepër të ngushta. Nuk u vë faj atyre; atë shkollë kanë nxënë e ato njohuri kanë.
Të dytat janë më keq. Gjykoj kështu nisur nga fakti se moderatorët dhe paneli, dinë më shumë e kanë mundësi të japin më tepër. Siç duket e bëjnë me një qëllim të caktuar. Gjithsesi është punë e tyre; le të bëjnë si të dinë e si të duan, ose siç ua do puna.
O njerëz të mirë! U drejtohem me dorë në zemër edhe pse nuk ju njoh personalisht: Mos mendoni se Shqipëria është aq e vogël, sa modelet që vështrojmë në televizione dhe udhëve të Tiranës e të disa qyteteve të tjera!
Shqipëria hallemadhe është më e madhe. Madje edhe ata që kanë vërshuar në Tiranë, kanë prurë me vete lloj-lloj bagazhesh nga trevat që kanë lënë. Shqiptarët, sot, kanë të tjera halle e shqetësime, të cilat po i përballojnë me dinjitet, në mënyrën si e gjykojnë vetë.
Mbrëmë, në një emision televiziv diskutimi i një pjese të panelit, më skandalizoi. Do të thotë dikush: Xhaxha, nuk është koha jote. Ashtu është, por askush nuk mund të më ndalojë të them atë që mendoj, kur më pëlqen apo kur jam kundra.
Kam lindur e jam shqiptar e i tillë dua të mbetem, madje dhe të nisem për në udhën pa kthim. Ndihem mirë në lëkurën time dhe e them fort e me krenari se falënderoj Perëndinë, që më solli në jetë Shqiptar. Komunikoj në gjuhën shqipe, e cila është gjuha e Nënës dhe e Babait. E tillë ishte koha kur erdha në jetë dhe kur u rrita e u “poqa”.
Nuk kam zili, as jam xheloz ndaj gjuhëve të tjera; madje gëzoj kur ndesh njerëz që zotërojnë disa gjuhë. Kjo gjë na nderon të gjithëve.
Mirëpo, nuk mund të jem dakord me idenë që fëmija akoma bebe, të mësojë një gjuhë të huaj, pa mësuar më parë gjuhën e Nënës. Mos ma përdhosni e mos ma shani gjuhën e Nënës. Po ma shate gjuhën shqipe, më duket sikur m’i keni thënë të gjitha ligësitë e njeriut.
Besoj se janë të shumtë ata që e dinë mirë si ka rrugëtuar në shekuj Gjuha jonë e veçantë dhe çfarë vitaliteti ka ajo. Respekt për ata (ato) që duan e respektojnë gjuhën e Nënës!