Niazi Nelaj

Shkrime

Përkushtim

26 prill 2022 · 2 min lexim

Çeskut- kantautor

“Muzikën e Tij e pëlqejnë;
për t’i çuar lule- kursejnë”!

Bëhet fjalë për kantautorin “Rebel”... Françesk Radi (ndjesë pastë).

Afër hyrjes veriore të Parkut të Tiranës, pranë Kishës ortodokse të Shën Prokopit, në nderin e atyre që e kanë ngritur, për të mos e harruar por për ta nderuar kujtimin e kantautorit, talent i rrallë, Françesk Radi, është vendosur një shtatore prej bronzi.

Sa herë kaloj andej, për të nderuar kujtimin e tij të ndritur, vendos, tek shtatorja e njeriut të mirë, sipas rastit, një lule të vetme ose një tufë me lule, tek dora e shtrirë e shtatores, e cila dëfton kinoteatrin që ka përballë. Këtë gjë e kam kthyer në rit. Aq sa punonjësit e parkut më kanë fiksuar e më vështrojnë me një lloj kureshtjeje.

Një ditë, një punonjës i tillë, me moshë rreth të pesëdhjetave, rrondokop e me një të folme tiranase, mori guximin e më pyeti: “E ke pasur shok”?

“Po” – iu përgjigja, ndonëse Françeskun e kam njohur vetëm në distancë por e respektoj për atë që ishte e për trashëgiminë muzikore që ka lënë pas.

Kam pikasur se lule, tek shtatorja e Tij, vendosin dhe të tjerë, e ato herë i merr era e herë i heqin pastrueset e parkut. Meqenëse e kryej prej kohësh këtë rit, kam shpresuar të shkëmbehem me familjarë apo të afërt të tij, por më kot.

Kur jam i vetëm apo kur bashkohem me shokë, e kujtojmë gjithnjë Çeskun e paharruar, Atë kantautor “Rebel”, i cili luante me kitarë e këndonte me “djemtë e liqenit” këngë “jo të kohës”.

Frankoja nuk është më në jetë. Këtë e di shumëkush. Sot e kësaj dite dhe sa të jetë jeta, krijimtaria e Tij muzikore do të pëlqehet, pa diskutim.

Është çështje dinjiteti e mirësie, në radhë të parë të atyre që e përkujtojnë Çeskun edhe duke vendosur një lule tek shtatorja e tij. Nuk mjafton të pëlqesh e të këndosh apo të kërcesh muzikën e bukur që ka shkruar Françesk Radi; mbase duhet kujtuar edhe kështu, e atëherë ai që dhuron një lule në kujtim do ta ndiejë veten mbase më të lehtësuar.

← Të gjitha shkrimet