Kemi çfarë të mësojmë nga Gjermania
Dëshirën për në Europën e Bashkuar, e kemi të gjithë. Pranohet se Gjermania është lokomotiva e këtij bashkimi të përzier kombesh e shtetesh. Përse të mos themi se është dhe një nga vendet më të qytetëruara të tij.
Zakonisht qytetarë të vendit tonë kanë shkuar e shkojnë në Gjermani. Shkojnë hallexhinj, për të jetuar më mirë dhe për të pasur një vend pune të sigurt. Ka dhe mjaft të tjerë që shkojnë për punë të tyre; të kamur e më pak të kamur. Përparësitë që të jep Gjermania dhe kushtet që ofron, janë të padiskutueshme dhe të pakrahasueshme me ato që na siguron vendi ynë.
Nuk pretendoj të bëj anatomi mbasi dhe mundësitë nuk i kam, por, nga një vëzhgim kalimtari kohëve të fundit gjatë qëndrimit disaditor, fiksova, në sytë dhe në mendjen time këto përparësi kryesore:
Në Gjermani ka shtet; dora e tij ndihet kudo e në çdo kohë.
Po zbres në terrenin konkret:
Bashkia, me fondet që siguron kujdeset për mirëmbajtjen dhe për zhvillimin e territorit që mbulon. Ajo gjë që prishet bëhet më e mirë dhe shpejt. Kohët e fundit ishte kositur bari i lulishteve. E kanë kositur shkurt e uniform, duket bukur, ngjan sikur e ka qethur berberi. Bukuri e rrallë të del përpara syve.
Reklamat marramendëse tek ne, janë “të kursyera”, aq sa janë të domosdoshme; ato kontrollohen nga shteti dhe janë të shkruara, si rregull, në gjuhën gjermane.
Sinjalistika rrugore dhe urbanizimi i qytetit më duken të përkryera. Nuk të zë syri tabela dyqanesh në gjuhë të huaj....vijon, pas pak.
Vijon... Volumi kryesor i transportit të njerëzve dhe mallrave, në Gjermani kryhet nëpërmjet rrugës së hekurt. Lëvizja menaxhohet nga shteti, kundrejt një pagese të caktuar (me një biletë 9 euro, mund të rrugëtosh me tren, gjatë gjithë ditës dhe në të gjitha linjat hekurudhore). Lëvizja është e sigurt dhe me disiplinë gjermane.
Makinat familjare private, janë të shumta; bashkia u ka siguruar parkim mbi e nën tokë. Qyteti mbahet i pastër; parqet e gjelbra janë të shumta, me drurë pyjorë të gjelbër rreth vitit, të shumëllojtë.
Parqet shlodhëse përshkohen nga rrugica të shumta, të asfaltuara, në të cilat kalojnë këmbësorë dhe njerëz të moshave të ndryshme të hipur në dyrrotakë. Nuk të zënë sytë qoftë dhe një njeri të vetëm të pështyjë për tokë apo të flakë, me vend e pa vend një bisht cigareje. Nuk bëhet fjalë për hedhje mbeturinash, në rrugë.
Vajta në buzë të një liqeni artificial, i cili shfrytëzohej si plazh, kryesisht nga jo vendas. Edhe aty, ndonëse popullimi ishte si “mizë lisi” nuk të zinte syri një hedhurinë. Pavarësisht nga koha e qëndrimit në Gjermani, të huajt i janë nënshtruar klimës së përgjithshme. Njerëzit i marrin me vete mbeturinat, siç marrin petkat e tyre.
Shitësit ambulantë të rrugës, janë eliminuar prej kohësh. Dyqanet janë të mbushura me mall e i gjen kudo. Shitëset (shitësit) ishin të qeshur, të mirësjellshëm dhe nuk e njohin ryshfetin.
Zbatimi i orarit që ka shpallur bashkia, është i detyrueshëm, absolutisht. Kur thuhet që dyqani duhet të mbyllet në orën “X”, këtë nuk e diskuton asnjëri. Ditëve të pushimit dhe festave, mos kërko të bësh pazar se të gjitha dyqanet janë të mbyllura. Edhe furrat e bukës dhe disa farmaci, qëndrojnë të hapura, me kohë të kufizuar.
Mos mendoni se rregullin e mban policia. Gjatë qëndrimit në Gjermani nuk më zuri syri asnjë polic. Ama, siç më thanë, polici shfaqet rrallë por hijen e ka të rëndë ashtu si dhe dorën. vijon...
Gjermanët janë të lirë; ata jetojnë për vete, jo për të tjerët; nuk futen në hapësirën e tjetrit.
Sapo shkela në tokën gjermane, më komunikuan rregullin numër një: Mos prek hapësirën e tjetrit.
Pa teprime, gjermanët e jetojnë jetën si t’u vijë. Ata vishen me petkat që u pëlqejnë e me të cilat ndihen mirë. Atë që pashë, më pëlqeu. Ditët ishin me diell dhe vendasit preferonin veshjen me të shkurtra. Ata mbathnin këpucë të lehta; rrallë të zinte syri njerëz me sandale apo me shapka me gisht.
Të rrallë janë burrat apo gratë që e mbulojnë kokën me kapele. Të gëzon shpirti kur vështron atë mori fëmijësh dhe të rriturish, të hipur mbi biçikleta, me kokore në kokë, të cilët lëvizin, me shpejtësi, nëpër rrugë e nëpër rrugica. E duan shumë sportin gjermanët dhe e ushtrojnë atë.
Në Gjermani (nuk marr përsipër të them për të gjithë vendin por për atë që pashë), parqet e gjelbëruara janë pasuri me vlerë dhe njerëzit i ruajnë si sytë e ballit.
Nëse nuk të zë syri njeri të hedhë përtokë një lloj mbeturine, përveç edukatës së kultivuar me kohë, rol të rëndësishëm luajnë koshat e plehrave dhe kazanet, të cilët i ndesh kudo. Pranë çdo stoli, në park vështron një kosh plehrash, të salduar pas skeletit të stolit, prej gize. Koshat janë metalikë dhe tepër të rëndë e të salduar.
Bashkia, me fondet e saj, herë pas here, ndërton në parkun shlodhës, objekte të bukura, të studiuara mirë që nuk kapin shumë sipërfaqe dhe që janë jo vetëm zbukuruese por dhe funksionale.
Më la mbresë një fakt i thjeshtë por domethënës. Në rrugë, në park e kudo, të njeh apo nuk të njeh tjetri, të përshëndet. Çfarë ta quash këtë: edukatë, kulturë, mirësjellje etj, thuaj çfarë të duash, të gjitha janë brenda. Ama, në tren, në autobus, në park e kudo, asnjëri nuk ta liron vendin, edhe sikur të jesh invalid. vijon...
Vijon... Në Gjermani, kujdesi për të moshuarit është i paparë.
Mjaft legjenda urbane kemi dëgjuar për shtëpitë e pleqve, në vendet perëndimore. Kur e vështron me sytë e tu, bindja bëhet më e plotë.
Në qytetin që vizitova (Mynih) pashë një shtëpi të moshuarish tepër interesante. Në një ngrehinë të kohës, me 4 kate, në mes të parkut të gjelbër, në freskinë e natyrshme, është vendosur shtëpia e të moshuarve. Gra e burra, të moshave të ndryshme, banojnë atje, në kushte mjaft komode.
Në çdo dhomë, banon një e moshuar. Dhoma është e pajisur me të gjitha komoditetet; një infermiere, për çdo të moshuar, përcillte të moshuarin 24 orë në 24. Mjedise të pastra e funksionale janë në shërbim të të moshuarve. Diçka që nuk ma merrte mendja, e pashë një ditë:
Në një sallë, ishin ulur mjaft të moshuar dhe dëgjonin, me vëmendje, një vajzë, në krye të sallës. Mendova se mund të ishte ndonjë mbledhje, e rëndomtë, por u zhgënjeva shpejt. Vajza është psikologe dhe herë pas here u bën psikoterapi të moshuarve. Në një sallë tjetër ishte një historiane, e cila bënte detyrën e saj.
Ajo që më habiti shumë ishte një veprim i thjeshtë i disa të moshuarve, të cilët, nën drejtimin e infermieres, mësonin si të shtrojnë mbulesën e tavolinës.
Një infermiere, për një kohë të gjatë, i hidhte të moshuarës një top, e moshuara ia kthente mbrapsht infermieres. Një tjetër infermiere i mësonte të moshuarit ta çonte dorën dhe lugën tek goja. etj.etj. vijon...
Vijon... Mësova se për qëndrimin në këtë shtëpi pleqsh, çdo njeri duhet të paguante 100 Euro, në ditë. Dikush më tha se, të gjithë të moshuarit në këtë shtëpi janë të dëshpëruar. Domosdo, ata janë të zgjuar e të shkolluar dhe e kanë të qartë se ndodhen në “stacionin e fundit”. Pashë që njerëzit që u shkonin për vizitë të moshuarve, u çonin atyre tufa me lule.
Ishte koha kur çelnin trëndafilët. Gjermanët i duan shumë lulet. U kënaqa kur pashë balkonet, oborret, gjerdhet e çdo mjedis privat apo i përbashkët lulëzonin për mrekulli.
Për ta mbyllur këtë vrojtim nuk mund të mos them se në Landin e Bavarisë, ku isha, çmimet janë të larta, mjaft të larta, për xhepat tanë!
Shkroi Niazi Nelaj; në Mynih, më 19.06.2022