Niazi Nelaj

Shkrime

“Zënka” të moshuarish (vrojtim)

26 qershor 2022 · 9 min lexim

Nuk përjashtoj as veten e kjo gjë; pra, çështja nuk ka të bëjë me thjeshtësinë. Dikur dëgjoja për këtë dukuri njerëzore por jo gjithmonë e besoja. Kur e provova në kurrizin tim, krijova një lloj bindje. Për të moshuarit, dikur, rëndom thonin: „I moshuari bëhet e bën sikur të ishte fëmijë“; si dikur. Qenka siç e kam dëgjuar.

Populli ynë gjatë jetës së tij ka qëmtuar e ka formuluar disa thënie, të mençura, natyrisht, të cilat „i japin drejtim“ çështjes të diskutueshme të pleqërisë. Më poshtë po ju servir disa nga këto thënie (aq sa kam mundur të qëmtoj);

  • Është e çalë e vjen ngadalë (nuk besoj të ketë nevojë për koment); këtë shprehje e ndesh në çdo trevë.
  • Atje tek guri me vërë: një nga një do të shkojnë të tërë. Thënja nuk ka të bëjë me përhapjen e një tisi pesimist, por, për të thënë një të vërtetë të pamohueshme.
  • Vdekje të kish, pleqëri të mos kish.
  • Pleqëria është bezdi; nuk është kënaqësi.
  • Pleqëri; vjen me kusure; unë s’të desha, ti më zure!
  • Kur të vika pleqëria; nuk të dashka biri; as bija!
  • Tiranasit e moçëm e kanë zbërthyer fjalën pleqëri si = pleh që rri ! Me këtë përfundim, jam e nuk jam dakort. Që është një makineri e lodhur dhe e konsumuar nga jeta, një i moshuar, kjo nuk besoj të ketë nevojë për koment; as për mend; as për kalem. Një gjë e di mesiguri: Brenda qenies të një të moshuari, njeriu mblon një nerv kundërshtimi apo „zënke“, e cila ka të njëjtat rrënjë me hakmarrjen. Edhe të moshuarit grinden e zihen mes tyre, zënkat e tyre janë të këndshme e mbajnë mbi vete disa veçori. Nuk thonë mekot se rotacioni i jetës e kthen plakun sikur të jetë fëmijë.

Një sjellje e kohëve të fundit e mbesës 6 vjeçare, i vuri vulën opinionit tim, për këtë çështje. Ajo ishte idhnuar me shoqen e saj të së njëjtës moshë kot së koti. Të dyja mezi pritnin të vinte çasti e të pajtoheshin. E kërkonin njëra – tjetrën. Çështja kryesore ishte: Kush do ta merrte iniciativën për ti folur shoqes, e para ? Më në fund e gjetën zgjidhjen vetë e unë isha dëshmitar okular i pajtimit mes tyre. Procesi i pajtimit ishte fare i thjeshtë: Shoqet prekën gishtat e vegjël të duarve dhe përsëritën, me zë, sloganin e mirënjohur: „U zemruam; u pajtuam; më në fund, u përqafuam“! Ato përqafuan njëra – tjetrën fort e nuk ndaheshin lehtë nga krahët e njëra – tjetrës. Nga gëzimi i pajtimit, nisën të kërcenin „pupthi“ e nuk pushonin së kërcyeri.

Zemërime të kota ka dhe mes të moshuarve. Ata, siç zemërohen me njëri – tjetrin; po ashtu dhe pajtohen, madje, mezi presin të pajtohen. Shkaqet janë nga më të ndryshmit. Ju, vetë e dini; unë veç po ua sjell në kujtesë: Pleqtë grinden mes tyre, për „mustaqet e Çelos“, siç na thotë një fjalë e urtë e popullit tonë. Mendoj se qëndrimet zemërake të të moshuarve nuk janë vetëm çështje geni. Ka dhe grindavecë të njohur, të cilëve, ata që i njohin, u shmangen. Të moshuarit, përgjithësisht, janë të lodhur e të konsumuar nga jeta që kanë përcjellë. Mesiguri që në këtë çështje, jo pak ndikim ka humbja e ndjeshmërisë, mbase dhe kujtesa e dobësuar apo janë të lodhur e të mërzitur e nuk mund të përshtaten lehtë me ndryshimet që kanë ndodhur rreth e përqark tyre. Është i njohur fakti se një i moshuar nuk e ka të lehtë të marrë kthesat dhe e ka të vështirë të përshtatet me ndryshimin. E kam fjalën për atë ndryshim, i cili, jo në çdo rast është nga ata ndryshime që sjellin diçka të re.

E kam të vështirë të besoj se një të moshuari, në mendimet apo në sjelljen e tij, nuk i vete mendja tek humbja e pozicionit të tij. Një i moshuar është mësuar e pret që ta dëgjojnë të gjithë, si në familje dhe në shoqëri. Ai, në çdo rast i jep të drejtë vetes, kujton se i ka bërë, të pabërat, madje dhe ato që ka dëgjuar, ia atribuon vetes.

Në gjykimin e gjërave, në mjaft raste, një i moshuar e kërkon gabimin, jo tek vetja por jashtë vetes; tek të tjerët, teksa veten e shpall të pagabueshëm. Kemi të bëjmë me egon e njeriut. Me avancimin e moshës, tek njerëzit, edhe egoja shtohet. Njeriut fillon e i pëlqen vetja më tepër; kjo dukuri është në kurriz të tjetrit. Prandaj disa të moshuar bëhen më llafazanë, më mburravecë, madje dhe më grindavecë nga sa ishin më parë.

Kam dëgjuar (jo rrallë) që disa të moshuar i drejtohen njëri – tjetrit me ofiqet (funksionet) që kanë patur dikur dhe evokojnë kohët kur ishin të nënshtruarit e shefave; nuk them puthadorë të tyre, mbasi kjo shprehje tingëllin disi e rëndë. Psh: Kur hidhet për diskutim një çështje e caktuar, një i moshuar, guxon të drejtohet me shprehjen: „Si mendon ti, shoku komandant“? ose „Çfarë përfundimi nxjerr ti shoku komisar“ si dhe: „Shef – 0, nuk na e the gjykimin tënd, për “x” problem etj. etj. Këtë e kam vënë re dhe, kur, me hipokrizi, i lënë eprorit edhe radhën për të kaluar apo e vendosin gjithnjë në „presidium“. Harrojnë „derdimenët“ se kohët kanë ndryshuar e ai që dje ishte eprori yt fuqiplotë, sot ka në dorë çelësat e kashtës.

Në raste të ngjashëm, të cilët ulin e poshtërojnë personalitetin, kemi të bëjmë me forcën e traditës; puthadorët, ashtu janë mësuar, në mënyrë servile, me përunjësi janë mësuar të komunikojnë me eprorët e tyre.

Më ka rastisur, disa herë, të intervistoj të moshuar. I kam pyetur, kryesisht për të dhëna biografike të „herojve“ të shkrimeve të mi. Çfarë më ka ngjarë ? Ai që intervistoj, nuk më ka folur për “heroin” tim, por për vete apo për njerëzit e tij. Ndonjërin e kam “fyer”, duke i thënë të kthehet tek pyetja, ka reflektuar për pak kohë e sërish ka vazhduar në të tijen. E kuptoj që kjo „rrëshqitje“ bëhet pa dashje, por të mërzit e ta „nxin jetën“. E padurueshme bëhet biseda, kur tjetri nis e të rrëfen gjëra të cilat i ke përjetuar e që i ke dëgjuar jo një herë.

Sëmundje e pashërueshme, tek të moshuarit është xhelozia, për njëri – tjetrin. Si burim, mendoj se është intoleranca. Të moshuarit, në përgjithësi janë konservatorë; atyre u mungon toleranca e duan të bien në sy. E thënë me fjalë të tjera, ata kërkojnë ti marrin të gjitha gjërat për vete, pavarësisht se mund të mos t’u përkasin. Xhelozë, njerëz të tillë bëhen në çdo rast e për çdo gjë. Edhe për një gjellë apo për një veshje të tjetrit, shpërthen xhelozia. Dëgjoja një ditë dy të moshuar të cilët grindeshin me njëri – tjetrin, me motivin: “Përse pive kafe me “x” e nuk pive me mua”? Ose “Përse dole në fotografi me “y” e jo me mua ? etj etj. Mendoj se një i moshuar, ka prirjen ta bëjë e ta ketë jo me qëllim por për hir të dashurisë për veten e tij. Zënkat shpërthejnë, sa herë bëhen lista. Sejcili kërkon të zërë vend në tribunë; thua se ai e ka „vrarë ariun“.

E shëmtuar dhe e padrejtë është prirja e disave, për të ngritur vlerat e vetes, por jo me thënie të drejtpërdrejta. Duke ngritur vlerat e vetes, si njeri dhe rolin e tij në shoqëri, autori kërkon të bëjë diferencimin mes vetes dhe tjetrit. Një miku im, i moshuar, një ditë më kujtoi : „E mban mend kur të kam marrë për dorë e të kam mësuar rrugicat e qytetit „X“ ? Fjala është për ngjarjet e të paktën ‚50 viteve të mesit të shekullit që shkoi. Kjo është e vërtetë, por nuk mund të bëhem me faj se jam lindur rreth 2 vjet, pas ardhjes së tij në jetë. Një tjetër, me të vërtetë i shquar në fushën e tij, kur ka qenë i ri, i shumëzon me zero të tjerët. Dikur, një i moshuar, i rënë nga vakti, për ti dhënë rëndësi vetes përpara ne të rinjve, kur na jepte dorën, nuk harronte ta shoqëronte takimin e dorës me fjalët: „E kam thënë një fjalë të mirë për ty“; etj. etj.

Shëmti e paparë është tendenca e ndonjërit, i cili, kur ka qenë i ri, plot energji e aftësi, shquhej, në fushën e vet. Ai, vërtet ishte mbi të tjerët, por nuk më duket e drejtë ti shumëzojë të tjerët me zero, më pak të zotët e asaj kohe. Shprehjet: „Cili ka qenë ai“? „çfarë ka bërë ai“? „kush pyeste për të“? „unë e kam mësuar“ ! etj. etj. Kam mendimin se kur ishte; ishte; të gjithë e nderonin dhe e respektonin; tani, jemi të gjithë pensionistë dhe kemi në dorë „hiçin“, prandaj nuk kemi përse të tundemi e të shkundemi, sikur çoç kemi bërë.

Sa të lezetshëm janë të moshuarit kur mblidhen, sipas shoqërisë që kanë, qoftë dhe për të pirë një kafe. Sejcili kërkon ta marrë fjalën i pari e nuk pushon së foluri. Dikë e konsiderojnë „të rrjedhur„ dhe e shpallin : „Non grata“! Një ditë, u ndodha në Tepelenë, në lokalin e Golemasit Petrit Islami. Ishin mbledhur 5 – 6 pensionistë e po pinin kafe. Ndërkohë, „më i zgjuari“ syresh bënte llogaritë: Kush „ka ikur e kush e ka radhën“? Tahirin e përjashtuan nga radha me gjykimin: „Ty të ka harruar mortja e nuk mund të futesh në radhë me ne“!… Plasi gazi; kujtohet dhe sot. Tahiri jetoi 103 vjet.

Ju, patjetër e dini, dua tua kujtoj për ti dhënë shkrimit nota humori: Një plak, i cili e hiqte veten për të ri dhe kujtonte se i kishte fuqitë e dikurshme, tek po ecte udhës, ndeshi në një kanal, të cilin, dikur e kapërcente, pa vështirësi. Mori vrull e kërceu por ra në mes të kanalit e u bë qull. Pa, andej, pa këtej, kujtoi se e panë dhe tha: „Ah pleqëri, pleqëri“! Për të justifikuar rënien në ujë, por, kur vuri re se nuk kishte njeri që ta dëgjonte i tha vetes, me zë të ulët:“M… ke qenë dhe në rini“! ky qe një mësim i mirë për të.

Nuk e shpjegoj dot por më bën përshtypje fakti që njerëzit, sa më të moshuar të jenë, aq më tepër kërkojnë të lidhen me trevën nga e kanë origjinën dhe kërkojnë rrënjët e tyre, biologjike.

Pa marrë pozicione këshilltari, them se me të rinjtë, është e nevojshme të mos ua vënë veshin këtyre dukurive dhe mos ti marrin inat të moshuarit se ndonjë prapësi e tyre si këto nuk bëhet me ndërgjegje por, për inerci. Në këtë shtrungë do të kalojnë të gjithë dhe kjo është e pashmangshme.

Shkrojti Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, më 30 prill 2022

← Të gjitha shkrimet