Kemi çfarë të mësojmë në Gjermani
Dëshirën për tju bashkuar Europës të Bashkuar e kemi të gjithë. Pranohet se Gjermania është „lokomotiva“ e këtij bashkimi të përfolur. Përse të mos e themi, madje me zë të lartë se Gjermania është njëri nga vendet më të qytetëruar të këtij grumbulli. Nga vendi ynë, zakonisht kanë vajtur e venë në Gjermani hallexhinj, njerëz të shtrënguar për një jetë më të mirë ose, së paku për të siguruar një punë. Shkojnë dhe të tjerë, të kamur e më pak të kamur, për punë të tyre.
Përparësitë e Gjermanisë dhe kushtet që ka krijuar ky vend janë pakrahasimisht me ato që ofron Shqipëria. Nuk pretendoj të bëj anatomi, por kam patur shansin e një vëzhguesi kalimtar për të hedhur në letër disa mendime të vërteta, për ato që pashë me sytë e mi.
- Në Gjermani ka shtet funksional; dora e tij ndihet kudo e në çdo kohë.
Bashkia, e çdo niveli qoftë, me fondet që mbledh kujdeset për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e territorit që mbulon. Ajo që prishet, në Gjermani bëhet më e mirë dhe shpejt. Sh: kohët e fundit është kositur bari I lulishteve (parqeve të gjelbëruar). Bari ishte prerë shkurt e ngjante me një të qethur tek berberi. Një bukuri e rrallë kjo.
Reklamat, të cilat, tek ne të marrin mendtë, në Gjermani janë me masë e kontrollohen nga shteti. Ato janë të shkruara kryesisht në gjuhën e vendit, edhe pse në Gjermani kanë vërshuar njerëz të kombeve, ngjyrave e gjuhëve të ndryshme.
Sinjalistika rrugore dhe urbanizimi i qytetit m’u dukën të përkryera. Nuk më panë sytë tabela të dyqaneve në gjuhë të tjera.
Lëvizja e njerëzve atje bëhet me udhë të hekurt, të cilën e menaxhon shteti. Rrjeti hekurudhor është i dendur e me linja të sigurta, numeri i trenave është pambarim.
Makinat private janë të shumta, por bashkia u ka gjetur vende parkimi, mbi e nën tokë.
Qyteti mbahet i pastër; parqet e gjelbëruar janë të shumtë, të pasur me drurë pyjore të shumëllojtë. Brenda parqeve gjarpërojnë mjaft rrugica të gjera mjaftueshëm dhe të shtruara me asfalt.
Nuk të zë syri qoftë dhe një njeri të vetëm të pështyjë për tokë apo të flakë në rrugë një bisht cigareje të konsumuar.
Pata shansin të vete në një liqen artificial, i cili shfrytëzohet si plazh, kryesisht për të ardhurit në Gjermani. Si s’më zuri syri një hedhurinë (me mendimin se kemi të bëjmë me mentalitete, kultura e mënyrë jetese jo të njëjtë) por jo, pastërtia sundonte kudo, edhe pse popullimi i plazhit ishte maksimal. Siç duket, “presioni” i kulturës vendase ka ndikuar pozitivisht. Hedhurinat njerëzit i marrin me vete, e i hedhin tek kazanet e plehrave.
Në rrugë nuk të zë syri asnjë tezgë e asnjë tregtar që të shesë në rrugë. Dyqanet janë plot me mall e të shtrirë në çdo skaj të qytetit. Shitësit sillen me edukatë e të presin e të përcjellin me buzëqeshje. Sejcili vështron punën e tij e nuk shtyjnë njëri – tjetrin por respektojnë radhën.
Këtu rregulli (ligji) është ligj e nuk mund ta shkelë njeri. Kur thuhet që dyqanet duhet të jenë të mbyllur në orën „X“, asnjëri nuk e diskuton. Treni të lë edhe për një sekondë; autobusit urban, po nuk i vajte në orar, iken e të lë. Lokalet e natës, janë të hapët e funksionojnë, sipas licencës dhe ligjës.
Shteti është funksional e vepron 24 orë në 24, por unë nuk pashë me sy asnjë polic që të siguronte zbatimin e ligjës…
2) Gjermanët janë të lirë; ata jetojnë për vete, jo për të tjerët dhe nuk futen në hapësirat e të tjerëve.
Pa teprime, gjermanët e jetojnë jetën, si tu vijë; nuk shtiren.
Ata vishen me petkat që u pëlqejnë e me veshjet që nuk i bezdisin. Atë që pashë, më pëlqeu. Meqenëse ditët e fundit kanë qenë pa reshje dhe të nxehta, vendasit preferojnë të vishen me të shkurtra dhe të mbathin këpucë të lehta apo sandale me gisht. Më la mbresa fakti që, si burrat dhe gratë nuk mbajnë kapele në kokë.
Të bëhet zemra mal, kur vështron njerëz të moshave të ndryshme, të hipur mbi bicikleta, me dy e me tre rrota, madje dhe mbi mjete lëvizëse për ortopedikë, të lëvizin, sipas rastit, me shpejtësi e më ngadalë, nëpër rrugicat e asfaltuara të parkut të gjelbër.
Gjermanët e duan sportin dhe e ushtrojnë atë, në mënyra të ndryshme dhe vazhdimisht.
Në Gjermani (nuk marr përsipër të flas për të gjithë vendin por për atë pjesë që pashë, parqet e gjelbëruar janë pasuri me vlerë.
Nëse nuk të zë syri një njeri që të hedhë përtokë një bisht cigareje apo një hedhurinë tjetër e nuk pështyn për tokë, kjo qasje, përveç edukatës të shëndoshë dhe kulturës të kultivuar me kohë, të imponohet dhe nga mjedisi ku ndodhesh. Kudo vështron kosha plehrash. Koshat e mbeturinave (plehrave), janë të ndërtuar me gizë, janë të rëndë e të montuar pas stolave të cilët janë të shpeshtë në çdo park dhe me këmbë prej gize, të ngulur fort në tokë.
Bashkia, me fondet që disponon, herë pas here i shton parkut (parqeve) objekte të rinj, të menduar mirë, funksionale dhe që i shtojnë bukurinë mjedisit.
Që në ditën e parë kur dola në qytet, më rrëfyen se rregulli numër 1 në Gjermani është: „Mos i zër hapësirën tjetrit! Edhe në rrugicat e parkut, kur kalon, duhet të kalosh në anën tënde, duke lënë të lirë hapësirën e tjetrit.
Një traditë tepër e pëlqyeshme është fakti që, njerëzit, të njohin apo nuk të njohin, kur i ndesh në rrugë, të përshëndesin. Kjo është një qasje tejet e edukuar në shekuj. Ka dhe një „të keqe“: Kur është i ulur, askush nuk ta liron vendin, edhe kur je i moshuar apo invalid.
3.Kujdesi për të moshuarit, në Gjermani është i paparë.
Shumë legjenda urbane kemi dëgjuar për shtëpitë e pleqve në vendet Perëndimore. Kur këtë e vështron me sy e nga afër, bindja bëhet më e plotë. Pata shansin të vështroja, edhe pse nga jashtë, një shtëpi të moshuarish tepër interesante. Një ngrehinë e kohës, me 4 kate, në mes të parkut të gjelbëruar. Gra e burra, me moshë të ndryshme, banojnë në atë shtëpi, në kushte fantastike, mjaft të përshtatshme. Dikush më pëshpëriti:“Këtu njeriu, gjatë gjithë jetës, punon e vetëm punon; jetën e gëzon vetëm në pleqëri“! Kur e dëgjova, bëra të habiturin. Dita Dita – ditës e kuptova thënien e mikut tim dhe e pashë me sy atë „mrekulli“!
Të moshuarit banojnë në dhoma të veçanta. Në një dhomë është vetëm një shtrat (tek) dhe gjithë pajisjet e nevojshme për një jetë normale. Një infermiere i qëndron pranë të moshuarit 24 orë në 24. Mjedise funksionale dhe të pastra janë vënë në shërbim të të moshuarve. Një ditë, në një sallë, pashë të ulur shumë të moshuar. Mendova se mund të kishin ndonjë mbledhje apo ndonjë takim të rëndomtë. U zhgënjeva kur mësova se kishte ardhur psikologja, e cila u bënte të moshuarve psikoterapi, sipas kërkesave e sipas nevojave të veçanta të tyre.
Në një ditë tjetër, pashë disa të moshuar, të cilët kishin marrë detyrë vetëm të shtronin mbulesën e një tavoline. Një infermiere, i hidhte të moshuares një top, të cilin e priste e moshuara. Ky veprim kryhej disa herë. Një i moshuar, i cili, mesa duket kishte nevojë për të ruajtur reflekset, infermierja i bënte stërvitje si ta afronte dorën tek goja. Programimin e punës e bën stafi i shtëpisë të të moshuarve, sipas kërkesave të veçanta të tyre. Programimi është i larmishëm dhe gjithëpërfshirës. Mësova se çdo i moshuar paguan, për çdo ditë qëndrimi, 100 Euro. Të gjithë ndihen të dëshpëruar. Si njerëz të zgjuar e të shkolluar që janë, ata e kuptojnë se kanë mbërritur në stacionin e fundit.
-Së fundi; Pashë dhe ndjeva dashurinë e madhe që kanë gjermanët për lulet. Është muaji i çeljes të trëndafilëve dhe balkonet, oborret, gjerdhet, janë të lulëzuar. Nuk ngopesh së pari ato lule shumëngjyrëshe të cilat nuk i prek njeri. Edhe kur shkojnë për vizitë në shtëpinë e të moshuarve, banorët çojnë tufa me lule. Për ta mbyllur këtë vrojtim kalimthi, nuk mund të mos theksoj faktin se në Landin e Bavarisë, çmimet janë tepër të larta për xhepat tanë!
Shkrojti Niazi Nelaj Në Mynih (Gjermani), më 19 qershor 2022