Niazi Nelaj

Shkrime

Le ta nisim punën; tradita formohet udhës

11 korrik 2022 · 10 min lexim

Bëhet fjalë për ngritjen e muzeumeve familjare. Tradita, thuajse mungon. Mundësitë për të bërë diçka ekzistojnë. Nuk shkelim mbi të panjohurën e nuk ecim kuturu. Nuk është fjala për të siguruar disa të mira materiale nga vizitorët, por për diçka më me vlerë. Rëndësi merr çështja e mosharrimit të njerëzve që po na „ikin“, pa kthim; njëri pas tjetrit. Ato që shkruaj, nuk i kam të pabazuara. Vështroni toponimet! Ato nuk kanë ardhur më kot deri në ditët tona. Ato nuk janë gjë tjetër veç përjetësime.

Në Kalivaç të Tepelenës, psh, në fshatin tim të dashur është një përrua me shtrat të gurtë, i cili rrokullis gurë, të shtyrë nga ujët e rrëkeve që mblidhen në ditët me shi, e kanë quajtur të parët tanë, kështu quhet edhe sot e kësaj dite: „Përroi i Veldonit“. Pak më tej, koha dhe dherat kanë mbuluar, një çesmë të lashtë e cila nuk ekziston por emri i ka mbetur: „Çesma e Ninit“. Kështu mund të thuhet dhe për Shpellën e Alliet, në Sheshin e Veshtit, e cila, aktualisht është e rrëzuar brenda, por emrin e ka, siç e ka patur. Lisat e Hyset; Përroi i Cacit; Çesma e Bukur etj. etj. toponime janë, dhe emrat e tyre diçka na kujtojnë.

Kërkojmë e rrëmojmë, në lashtësi për të gjetur gjurmët e rrënjët tona. Mirë bëjmë e më tepër duhet të bëjmë. Edhe nga sa thamë, mund të arrihet në përfundimin se trashëgimia nuk na mungon veçse atë duhet vënë në punë. Nuk besoj se ka njeri që të hedhë dyshimin se mund të ketë krahasim në traditën tonë të varrimit. Im Atë (ndjesë pastë), kur donte të mallkonte një njeri të prapë, i cili nuk ishte i zoti as për vete (nuk e nxirrte qimen nga qulli), përdorte shprehjen: „Të humbte varri“! Jeta e popullit tonë (sidomos për ata të besimit Musliman), na vërteton, pa mëdyshje se mjaft njerëzve nuk u dihet as varri dhe të dashurit e tyre nuk kanë ku të vendosin një tufë me lule në kujtim të tyre. Ndodhte kësisoj mbasi, „të ikurit“, sipas ritit musliman, varroseshin në të njëjtin varr. Nuk dihej kujt i përkisnin kockat, mbasi edhe ADN-ja nuk bëhej aso kohe. Kultura e varrimit, tek ortodoksët, ka qenë më e përparuar. Kjo lidhej me faktin se predikuesit e kësaj feje ishin më të kulturuar e më të qytetëruar. Qivurët që ngriheshin në kujtim të të parëve të fisit, ku varroseshin, më pas dhe të tjerë, kishte simbolikën e mosharrimit. Por jo të gjithë e kishin mundësinë ekonomike për të bërë qivurë. Evoluimi i kulturës të varrimit, sidomos në shekullin e fundit është i dukshëm. Edhe në fshatrat më të largët është futur edhe kultura e varrimit, sipas kërkesave të kohës.

Nuk besoj se e rëndoj këtë shkrim me një ndodhi vetjake, të cilën nuk e rrëfej për herë të parë. Në çerekun e fundit të shekullit që lamë pas, i shkova në shtëpi kushëririt tim; burrit fisnik e trim Ali Pasho Nelaj. Biseduam e qamë hallet, si vëllezër. Para se të dilja nga shtëpia e tij, burri i mirë, bujar e human, më „hoqi mënjanë“ e më tha, në vesh, një të fshehtë, të cilën e mbante thellë në shpirt dhe e ngarkonte qenien e tij të ndershme. Mes të tjerash, Aliu sedërmadh, më tha, me ton urdhërues: “Do ta beç ti varrin e Xhevit Malkos, apo ta bëj unë? Kur ishja I vogël, Xheviti më ka mbajtur kalipeç e kushedi sa herë i kam përmjerë në zverk”! Kishte të drejtë Ai Burrë zakoni! Kritika që më bëri pati efektin e nevojshëm. Me iniciativën e Dilaverit dhe me kontribute të përbashkët të motrës Lumturi dhe pinjollëve të saj, varri, u riparua shpejt dhe u ngrit prej graniti, i fortë e i rezistueshëm ndaj agjentëve atmosferike.

Tradita e muzeumeve familjare tek ne, vërtet ka munguar por elemente të mosharrimit kanë ekzistuar në çdo familje. Atyre që u janë „larguar“ të dashurit e zemrës e u është djegur shpirti, për ta kujtuar sa më gjatë „të ikurin“ (të ikurën), kanë shkëputur sende me vlerë si (varëse, unaza, sahate dore e xhepi, zbukurime, një tufë flokësh apo një copë gërsheti, deri dhe dhëmbët. Janë sende personale me vlerë, të cilat janë jetëgjatë e ruhen në vende të sigurtë. Dikur, sendet e çmuara u viheshin në varr, të ndjerëve, por, kur nisën grabitjet edhe në këtë fushë, gjëja ndryshoi dhe sendet e çmuara ruhen diku, të sigurta. Tradita jonë e kërkon që sendet me vlerë dhe të mblojturat e tjera të ruhen në sepete. Mirëpo çdo ruajtje, sado e kujdesshme të jetë nuk mund të zgjatë tej jetës të një njeriu. Po më pas, kush do të kujtohet për të ikurën (të ikurin)? Ata që ikin në udhën pa kthim, si rregull futen në listën e të shumtëve dhe harrohen. Duhet thënë se dhimbsuria njerëzore, për ta zvetenohet; së shumti mund të ruhet ndonjë fotografi, por dhe ajo ka një afat kohor. Mendimi im është i hapët: Kush të dojë e të jetë dakort me mua, le të veprojë. Ndonjë porosi (jo udhëzim)e kam e do tua kujtoj:

Para se gjithash, ata që i përfillen ngritjes të një muzeumi familjar, lipset të veprojnë shpejt, madje, „me vrap“. Koha ecen më shpejt se ne; ajo nuk pret. Derisa situatat ndryshojnë shpejt, nuk na ka hije të rrimë e të mendohemi. Reliket që mund të ruhen, kur sipërmarrësit tja kenë ngenë të afishohen, janë nga më të ndryshmet. Sidoqë sot, një objekt mund të na paraqitet si pak i rëndësishme, nesër, kur të na duhet edhe mund të mos ta gjejmë.

Si fillim, mendoj: Të hapen sepetet e të nxjerrim prej andej të mblojturat, të cilat, pas evidencimit e klasifikimit të tyre të bëhet dhe etiketimi i saktë e i plotë. Çdo objekt është e nevojshme të pajiset me një etiketë ku të shënohet kujt i përket dhe koha kur është mbajtur. Kështu i japim vlerë çdo objekti dhe, nëse do të vendoset apo jo në muze, kjo le të gjykohet më vonë, në të „ftohtë“. Nëse objektet do të humbasin identitetin, ato kthehen në hedhurina e nuk i vlejnë asnjeriu.

Po përjetojmë kohë të vështira. Siç kanë thënë dikur, në fshatin tim: „nuk e merr vesh, i pari, të prasmin“. E thënë në një mënyrë më të kuptueshme, mospërputhja mes brezash do të vazhdojë. Në optikën time, nuk ka përse të mërzitemi nga disa shkelma që hedhin xanxarët. E kam bindje, të patundur se njerëzit e mirë nuk janë mbaruar e nuk do të sosin kurrë. Është fjala për shpirtin human, jo për prapësitë që bëjnë disa. Dashuria, dhimbsuria, kujtimi i prindërve nuk ka fund. Ka plot njerëz, në moshë të re dhe më të thyer, të cilët duan ti kenë përjetë prindërit që i kanë sjellë në jetë e që i kanë rritur e i kanë edukuar pinjollët e tyre, me dashuri e jo me prapësi në shpirt. Kjo më ngroh e më bën optimist se me pak përpjekje por me shumë dëshirë edhe në fushën e muzeumeve familjare diçka do të bëhet. Jeta rrodhi jo siç do ta donin disa por spiralja e ngjitjes nuk mund të ketë cak.

Në Kohën që përcjellim, vëmë re një braktisje serioze të fshatrave dhe një dyndje të banorëve të tyre, drejt zonave me qytetërim më të theksuar ku dhe kushtet e jetesës, për hir të së vërtetës janë më të mira. Mjaft shqiptarë, me e pa viza kalimi, janë sulur drejt vendeve fqinje e më tutje, për një jetë më të mirë. Kjo lëvizje nuk mund të ndalet, as me agjitacion e propaganda, as me fjalë nderi e besë burri. Mirëpo, në jetë ndeshim me një paradoks, i cili, na rrëfen shumë:

Në disa zona e rajone të vendit, ndonëse tokat dhe sinoret u ndanë me një ligje, i cili u shpall në fillimet e Demokracisë në vendin tonë, janë ngritur mure të lartë e gjerdhe të fortë, për të rikujtuar kufijtë e kohëve të shkuara. Po ringjallet Kanuni famëkeq. Po ka dhe mjaft emigrantë, të cilët, me vështirësi e me sakrifica të shumta kanë mbledhur një grusht me para e me to kanë ardhur në vendin e tyre, për të investuar në sektorë me leverdi. Aktualisht ka nisur e po funksionon turizmi familjar. Këta janë sinjale të cilët na tërheqin vëmendjen se kemi rezerva të pa shfrytëzuara si duhet edhe sa i takon ngritjes të muzeumeve familjare. Mbase do të ishte më me vlerë, në qoftë se turisti, vendas apo i huaj, mbasi të kishte mbushur stomakun me gatime të shijeshme tradicionale dhe me pije nga më të shijeshmet, të bëra vetë e me prodhime vendi, kur të shtrihej për të honepsur ato që kishte ngrënë e kishte pirë, ti jepnim të shfletonte historikun e trungut e të familjes apo të plotësonte boshllëkun me pak kulturë. Kur bëhet fjalë për të njohur historikun e trungut apo të familjes bujtëse, një kënd i veçantë kushtuar një njeriu, qoftë dhe të thjeshtë e pa ndonjë histori të çuditshme, do të “shtonte vajin në lakra”, siç thotë populli ynë.

Sa interesante e me vlerë njohëse do të ishte një fotografi e madhe, e qartë e me ngjyra të pëlqyera, e fshatit, zonës e çfarë të kapë objektivi fotografik. Vlerat shtohen dhe kur paraqitet një fotografi me ngjyra e banesës ku është lindur e është rritur personi. Sa të hijeshme do ta bënte paraqitjen muzeale një fotografi (po të jetë e mundur) e shkollës, klasës, bangos, shokëve (shoqeve të klasës) ku ka ngjarë procesi i të mësuarit të Gjuhës Shqipe. Me një shkrim të bukur, shkruar në një gjuhë Shqipe sipas rregullave drejtshkrimore të shkruhen emrat e bashkënxënësve dhe nxënëseve dhe të mësueseve e të mësuesve, duke paraqitur, natyrisht të improvizuar vendet e sejcilit, në klasë.

Në jetën e një njeriu, lidhja në çift është një ndodhi madhore. Po të ishte e shkruar bukur, me fjalë të kursyera e të qarta historia e lidhjes në çift, mesiguri që do ta bënte më të këndshme dhe interesante paraqitjen muzeale të materialit muzeal.

Vendet e punës, shoqet dhe shokët me të cilët ke punuar, lloji i punës e i profesionet, mjetet e përdorura etj. po të paraqiten hijshëm e me vërtetësi, e bëjnë mjaft interesante paraqitjen e materialit.

Reliket, të përzgjedhura e të vendosura me kujdes e me shije, ia shtojnë vlerat dhe bukuritë muzeut. Reliket janë pafundësisht pa fund. Nisur nga sendet vetjake, me vlerë, deri tek pajisjet apo makineritë e përdorura bartin vlerat e vërteta. Një palë shapka, një palë sandale (lepitka) apo një palë këpucë, një palë çorape nga ato që janë përdorur shpesh, një stilograf ose një stilolaps, një bllok shënimesh; një fletore pune, një libër (roman) në lexim ose të përfunduar së lexuari, një celular, një orë dore apo një sahat xhepi, një palë pantallona, një këmishë, një kollaro, një kapele, një palë syza dielli apo miopi etj. etj. ia shtojnë vlerat muzeut, bëjnë që ai, edhe pa gojë, të flasë vetë.

Me shumë vlerë dhe interesante, janë shkrimet. Letra e një shoku, e lexuar pas shumë vjetesh, është e barabartë me një thesar. Po sikur të ekspozohet letra e dashurisë e personit me njeriun e zemrës, mendoni çfarë impresioni do të jepte? Një opinion, një prononcim, një denoncim, një fjalim i rëndësishëm, një punë studimore – shkencore, etj. etj. janë mundësi të “arta“ për të shtuar vlerat e një muzeumi.

Mundësitë dhe rrugët për të siguruar e për të paraqitur bukur një copëz historie, janë të shumta; veç duhet shpejtuar pa lejuar të humbasë asnjë minutë kohe nga koha e caktuar, për ngritjen e një muzeumi.

Mendoj se, për ta realizuar këtë ide, nuk kërkohen njerëz fort të specializuar. Një njeri që ka dëshirën e mirë dhe i përkushtohet kësaj pune, mund të gjejë dhe udhët e duhura. Fillimisht diçka edhe mund të mos shkojë si në vaj por, udhës mund të bëhen korrigjimet e nevojshme e të arrihet qëllimi.

Fjala Muzeum i jep një rëndesë të pamerituar kësaj gjëje. Le ta quajmë si të duam, vetëm ta bëjmë, ndryshe nuk do të na e falë historia. Nëse jemi të vonuar, pa humbur kohë, le të shpejtojmë hapin për të kapur kohën.

Shkrojti Niazi Xhevit Nelaj Në Tiranë, më 2 korrik 2022

← Të gjitha shkrimet