Nata është e të huajve
Ishin vitet e para, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Pushteti i dalë nga lufta, po zinte vendin e të mëparshmit. Në çdo hallkë e me shpejtësi.
Në krye të punëve u vunë ishluftëtarë të shquar të njësive partizane dhe atdhetarë me ndikim të fortë në trevë. Ata ishin, kryesisht të pashkollë. Nuk kishin para, as prona të pamata; të madhe kishin dashurinë për Shqipërinë dhe për popullin fukara.
Në çdo hallkë të pushtetit të ri u vendosën njerëz besnikë, trima e të vendosur, pa marrë parasysh nivelin, horizontin dhe vizionin e tyre. Vrima e fundit e kavallit (niveli më i ulët në hierarkinë pushtetare) ishte polici i lokalitetit.
Ishte koha kur klasat e përmbysura mundoheshin të kthenin “parajsën e humbur”. Në të gjitha trevat qarkullonin banda të armatosura, të cilat nuk linin mundësi pa shfrytëzuar, me qëllim që të realizonin ëndrrën e tyre. Atyre u kishte ikur nga duart ndikimi mbi pushtetin, malli e gjëja. Egërsia e tyre nuk kishte kufi.
Polici i lokalitetit, në ato vite, nuk paguhej; ai shërbente mbi baza vullnetare. Polici i lokalitetit përzgjidhej mbi bazën e disa kritereve fikse, të njohura nga të gjithë. Kriteri bazë ishte të ishin nga djemtë më të “gjallë” e më të “hedhur” të fshatit. Të përzgjedhurit për policë lokaliteti, doemos duhet të ishin vendas, të njihnin në imtësi terrenin dhe të ishin të zotë ta shkelnin atë, në çdo kohë e në çdo orë. Trimëria e tyre ishte kusht i domosdoshëm.
Shërbimi kryhej në zyrat e lokalitetit ose pranë tyre, nga agimi, në muzg. Në ndonjë rast të veçantë, ata largoheshin nga puna dhe më vonë. Nuk pajiseshin me uniformë; as me armë të nxehta. Ushqimin e merrnin nga familja dhe e konsumonin gjatë kohës së shërbimit.
Shërbimi vullnetar i policit të lokalitetit, si rregull, vazhdonte një muaj. Preferoheshin çobanët. Zyrat e lokalitetit, natën kyçeshin e i ruante hija e rëndë e pushtetit të ri dhe shërbimi vullnetar i puthadorëve.
Njëri nga policët e lokalitetit (emri i tij nuk më kujtohet), u vonua në detyrë dhe i duhej të kthehej në familjen e tij, natën, me llohë. I duhej të kapërcente përrenj, me ujë dhe me faqet anësore të rrëshqitshme.
Birbua, kishte droje se mos binte në ndonjë pritë, të bandave që qarkullonin në atë trevë dhe, për të mos ndodhur kjo këndonte këngën e sajuar: “Jam polic lokaliteti, më ka vënë me zor pushteti...”! Ai këndonte me zë të plotë e të qartë, me qëllim që të shmangte nga vetja, ndonjë breshëri të pamëshirshme.