Niazi Nelaj

Shkrime

Vullneti dhe imponimi

14 janar 2022 · 2 min lexim

Vërtet janë të ndryshëm, por, kur përkojnë në kohë, diçka shkaktojnë. Rrëfenja që do t’ju servir, vite më parë qarkullonte si barcaletë e asnjeri nuk mërzitej. Kuptohet, qarkullimi bëhej gojë me gojë e vesh me vesh, pa rënë në pellgaçen e pistë të puthadorëve. Edhe pse u përhap si barcaletë, ajo, brenda saj, kish një të vërtetë të hidhur. Populli ynë, kur nuk i pëlqente diçka, ia gjente anën për ta ironizuar, madje hollë.

Nuk e kam pasur shansin të merrja pjesë në ndonjë aksion rinie, lokal apo kombëtar. Rrëfenjën që do të pasojë e kam marrë të gatshme, nga "thesaret" e popullit tonë dhe nuk kam vuajtur shumë për ta formuluar.

Të rinjtë e fshatit (të çdo fshati kooperativist), me listë niseshin për në aksione, ku kryenin punë të mëdha, pa pagesë. Në aksione, shkonin vajzat dhe djemtë, së toku. Vajzat cazë më me vështirësi, mbasi paragjykoheshin. Vullnetaret dhe vullnetarët shkonin në aksione, ca me hir; ca me pahir.

Organizatorët bënin përcjelljen e vullnetarëve, me këngë e me valle ku, zakonisht merrte pjesë i gjithë fshati. Puthjet, përqafimet, lotët, porositë nuk kishin të sosur. Urimi më i gjendur ishte: "Na zbardhni faqen, ardhshi me gjoksin mbuluar nga ‘S-të’!" Për ata që nuk e dinë, në një aksion, të dalluarve u varej në gjoks një "S" e kuqe, e cila simbolizonte të qenit sulmues. Rrallëherë jepej dhe ndonjë dekoratë, në veçanti kur ishte fjala për ndonjë heroizëm.

Selimi, një djalë i bëshëm e çapkën, nuk e kishte qejf vajtjen në aksion. Ai, kishte bërë "porosi" tek një lajmës, i cili kishte premtuar t’i gjente nuse. Selimi druhej se mos kjo ngjante gjatë kohës kur ai ishte në aksion dhe dilte pa gjë. Megjithatë, propagandistët dhe shoqëria ia mbushën mendjen dhe Selimit e ai shkroi emrin për vullnetar.

Punuan vullnetaret dhe vullnetarët në hekurudhë dhe kur rrodhi afati i caktuar, u kthyen në fshat. U pritën siç u përcollën, me gaz e me hare; zjente fshati, i cili u mbush me flamure dhe me gjokset e vullnetarëve që kuqelonin nga "S-të" e fituara, me djersë.

Tek takoi vullnetarët, me radhë, një i moshuar, i njohur si hokatar, kur takoi Selimin, i tha disa fjalë, në vesh: "Po ti sikur nuk doje të dilje vullnetar, o Selim djali, si ngjau që vajte?"

Selimi, mbasi mori një pozë kapadaiu, kroi zërin e nxori gjoksin që kuqelonte nga "S-të" dhe tha: "Vajta or vajta dhe unë derë e punëziu e u ktheva, siç dhe e vështron zotrote: plot lavdi! Unë e di se si vajta e si u ktheva", dhe shpjegoi skemën: "Vullneti- përpara; Selimi në mes; - polici nga pas, me kobure në brez"!

Sqarimi që bëri Selimi shkaktoi gaz (gëzim) të paparë; kaloi nga goja në gojë e rrëfehet, si barcaletë, sot e kësaj dite

← Të gjitha shkrimet