Niazi Nelaj

Shkrime

Gjuha jonë e bukur – gjuhë e pasuruar, por dhe e masakruar

12 janar 2022 · 2 min lexim

Hapja e detyrueshme e Shqipërisë, i ka shpënë shqiptarët anë e mbanë Botës; thuajse në çdo cep të saj. Mësimi i gjuhëve të huaja, në shkollat brenda vendit dhe në vendet ku kanë “shtegtuar” bashkatdhetarët tanë ka qenë kusht i domosdoshëm për ekzistencën e tyre në dhe të huaj.

Sa lumturohem kur vështroj se gjuha jonë, si ndër më të lashtat, ndryshohet e pasurohet vazhdimisht. Por, kam mendimin se rreziku i asimilimit, përballë tallazeve që përplasen me të, i qëndron mbi kokë dhe e kërcënon seriozisht këtë gjuhë të bekuar nga Perënditë, të cilën e dua shumë, siç dua Shqipërinë.

Ndjej dhimbje e më sëmbon kur vë re deformime, shtrembërime, zëvendësime të panevojshme fjalësh, deri dhe masakrime të rëndomta, pa qenë nevoja.

Mendoj se Gjuhën Shqipe, duhet ta ruajë e ta mbrojë çdo shqiptar, aq sa mundet. Ka dhe disa njerëz të niveleve e profesioneve të ndryshme, të cilët, për shkak të pasionit apo ndjeshmërisë së lartë që kanë për gjuhën që flasin, kanë pasionin për t’i thënë fjalët e Gjuhës Shqipe, në shqip.

Ka dhe mjaft të tjerë, të cilët, më tepër nga padija por dhe nga shërbimi në një mjedis të shthurur sa i përket përdorimit të gjuhës, pa gabime, i lejojnë vetes pasaktësi, deri në masakrime. Të tillë ka midis gazetarëve, moderatorëve, njerëzve të letrave, ku nuk përjashtoj veten time, të cilët flasin e shkruajnë pa përgjegjësi. Këta të paditur apo të papërgjegjshëm harrojnë se me këto lëshime, i bëjnë dëm të madh gjuhës sonë.

Puna që bëhet në shkollë, për të mësuar drejtshkrimin e gjuhës shqipe, siç duket është e pamjaftueshme dhe e mangët.

U bëra me krahë kur pashë në ekranin e Televizionit Kombëtar - Top Channel një emision, të pastër me nivel, kushtuar drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Uroj që këtë nismë me vlera të shumta, ta përqafojnë e ta praktikojnë dhe stacione të tjera televizive, të cilat janë me ndikim të fuqishëm për edukimin e njerëzve.

E kam bindje se, si çdo gjë tjetër në jetë, që të përfillesh për ta mbrojtur diçka, patjetër duhet ta duash e të kesh dhimbsuri për të.

← Të gjitha shkrimet