Drithërime
Në programet e shumta të televizioneve, siç thuhet, shpëlarja e trurit zë vendin e parë. Secili individ apo grup, ka synimet e veta. Por, në ndonjë rast emisioni, i sajuar apo i vërtetë, prek çështje, të cilat u dhembin shumë njerëzve.
Çështjet që lidhen me pronën, në veçanti, me banesat, trojet, tokat etj. kanë vazhdimësi e bëhet tërkuzë zgjidhja e tyre. Kohët e fundit, ka dalë në pah edhe çështja e skandalit financiar, problem që kërkon vëmendje.
Para disa ditëve, ndoqa, me interes një emision televiziv në stacionin “Klan”.
Një grua, e divorcuar, i kishte marrë një borxh, goxha të madh, vëllait të saj, të cilin ia njihte por nuk kishte mundësi t’ia kthente. Seanca më kujtoi ato seancat e pajtimit që zhvilloheshin përpara seancës gjyqësore për zgjidhjen e martesës.
Tani, kur nuk e kam as Nënën; as Motrën, nisur nga përvoja vetjake, e akumuluar për gati 80 vite jetë, ju përcjell vëllezërve, pavarësisht nga emri që mbajnë mesazhin:
Atë që bën motra për vëllanë, zor se mund ta bëjë edhe vëllai më i mirë, për motrën e tij. Pas dashurisë për Nënën; dashuria për motrën vjen, menjëherë në radhë. Divorci është një lloj zgjidhjeje, e përkohshme, por dhe një fatkeqësi e madhe, sidomos, kur në mes janë fëmijët.
Motra e divorcuar, kur nuk mendon për një lidhje të re është e detyruar të gjejë mbështetje, diku. Kur prindërit e saj nuk janë në jetë, Ajo e hedh vështrimin tek vëllezërit.
Mendoj dhe bëj thirrjen: O njeri me mend; O vëllaçkua i motrës! Mendo se je rritur me frymën e sat motre; se të ka mbajtur “hopa” dhe është përkujdesur të rritesh “pekul”, me gjithë të mirat, duke të falur shumë dashuri e mirësi.
Nëse jot motër është në pamundësi të të kthejë borxhin, Ajo dhe Vëllai i saj le të shpresojnë se ata që marrin paga e shpërblime shumëmilionëshe, një ditë, do ta vënë dorën në zemër, për Të.