Niazi Nelaj

Shkrime

S’po më njeh, a?

19 nëntor 2021 · 2 min lexim

(Skicë)

Një shprehje e cila, dëgjohet dendur, në udhët e Tiranës por jo vetëm. E ndesh në zhargonin e të vjetërve dhe tek të rinjtë. Them, me vete: Mirë të moshuarit që janë të lodhur nga vitet që mbajnë mbi supe, po të rinjtë ç’hall kanë?

Ngadalësova hapat në trotuarin pranë stadiumit: "Dinamo", për të kapur ndonjë cep të bisedës mes dy të rinjve të panjohur. Të dy djemtë, të bëshëm nga shtati e me mjekër që shquhej lehtë, njëri punonjës i servisit të makinave të vogla aty pari; tjetri, siç duket- nevojtar nga ata që lypin shërbim. Të dy ishin me moshë, në kapërcyellin që ndan moshën e re, me atë të pjekur (ishin rreth 35 vjeç).

Hallexhiu, i trokiti lehtë në sup, të parit, për t’i dhënë, siç duket shenjën e njohjes e i tha: "S’po më njeh, a?" "Si s’të njoh, vëlla, të mbaj mend fare mirë", iu përgjigj punonjësi i servisit.

Çfarë të ishte ky "cep" komunikimi që kapa? Ndoshta ishte një përshëndetje e tjetërsuar; mundet të qe një urë komunikimi ose një shenjë për të rrëfyer afërsi e kërkesë për të pasur ndonjë privilegj (zakonisht kërkohet shërbim më i lirë). Ndryshe nuk mund të thuash me saktësi: çfarë ndodhte mes tyre.

Duke u bazuar në moshën relativisht të re të bashkëbiseduesve, nuk mund të konkludoj se kaq të rinj, mund ta kenë harruar njëri-tjetrin. E bazoj përfundimin tim në faktin se në atë moshë, edhe arterioskleroza dhe demenca, rrallë ngjajnë tek njerëzit normalë. Mirëpo ka dhe raste pa precedent kur ekscepcioni pranohet.

Shpejtova sërish hapin dhe e lashë bisedën mes tyre në këtë nivel. Në ecje, vura re se ai që ishte në krye të detyrës, i bëri shenjë bashkëbiseduesit, për ta futur makinën e tij në servis. Të dy, u morën vesh me njëri-tjetrin, pa shumë "fjalë". Secili syresh ia arriti qëllimit....

← Të gjitha shkrimet