Niazi Nelaj

Shkrime

Kam dy mendime

15 nëntor 2021 · 2 min lexim

I pari:

Kohët e fundit është shtruar pyetja: Duhen apo janë të tepërta rrjetet sociale?

Mendimet në përgjigje janë alternative. Disa thonë: Duhen që ç’ke me të, teksa të tjerë, mendojnë se janë të tepërta e nuk duhen. Nuk u ndjeva mirë kur një burrë mallkoi, me fjalët: "U shofshin rrjetet sociale"! Këtë gjykim, njeriu e argumentonte me faktin se rrjetet sociale, gjoja na qenkan shkaktare të shthurjes së fëmijëve, të cilët, në vend që të mësojnë, hallakaten nëpër rrjetet e ndryshme sociale.

Nuk jam fare dakord me këtë përfundim dhe qëndrimin e mbaj të hapët. Unë them: "Shyqyr që i kemi rrjetet sociale dhe u shtofshin e u përmirësofshin ato"!

Medalja i ka të dyja anët, si pozitive dhe ato negative. Rrjetet sociale, na afrojnë me njëri-tjetrin, sido që jetojmë në kontinente të ndryshme të globit. Nëpërmjet rrjeteve sociale, njihemi me njëri-tjetrin, madje dhe me ata që nuk i njihnim më parë. Na vjen hidhur kur atyre që nuk mendojnë si ne u jepet mundësia edhe të na kritikojnë, por kjo ka të mirat e saj, gjithsesi.

Nuk mund të jetë justifikim të harbuarit e fëmijëve pas rrjeteve sociale dhe braktisja e mësimeve prej tyre. Në fund të fundit, fëmijët kanë prindërit e tyre, të cilët, duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë, për ecurinë e tyre në mësime e në jetë, prandaj nuk kanë përse të bëjnë fajtore rrjetet sociale. Respekt, për ata që mendojnë si unë por dhe për ata që mendojnë tjetërsoj!

I dyti:

Prej vitesh, kam pasur një praktikë, e cila më "ngopte". E nisja mëngjesin duke u ulur pranë kompjuterit, ku qëmtoja kush e kishte ditëlindjen atë ditë, dhe e uroja, pavarësisht se cilin raport gëzonte krahasimisht.

Mirëpo, kohët e fundit, kjo metodë pune nuk mund të zbatohet më si më parë. Pandemia a ku ta di unë se çfarë, mundet sëmundjet që janë shtuar, aksidentet, zjarret, përmbytjet, pakujdesitë e ku ta di unë, kanë nxjerrë në plan të parë, jo më urimet, por së shumti vendin e parë e zënë ngushëllimet.

Si shumë miq e dashamirës po ikin në udhën pa kthim. Për shkaqe nga më të ndryshmet, ama ikin e nuk kthehen më. Disa janë shumë të dhimbshme, mbasi ikin edhe të rinj në moshë, krahas të moshuarve.

Dikur, diku, kam dëgjuar apo kam lexuar se: "Të qash të vdekurit janë lotët të humbur"! E urrej këtë shprehje. Ai që ikën dikush ka qenë e diçka ka bërë. Respekti për të ikurin është respekt për të gjallët.

Ndaj, aktualisht, e nis ditën, jo duke rrëmuar kush ka ditëlindjen që ta uroj e të ndjej gëzim për veten time, por duke parë shiritet e zinj që ngjyrosin ekranin e kompjuterit e që ndjellin "gjëmë". Sidoqoftë, edhe kjo është një punë, madje e nderuar!

← Të gjitha shkrimet