Mburreshim me moshën; edhe atë na e hoqën, po tani?
Është mirë apo është keq, nuk janë të paktë ata që mburreshin me moshën. Disa thonë, jo pa kapardisje se po i afrohen shekullit; të tjerë thonë jemi aq e kaq vite. Dakord jam dhe unë. Jeta është dhuratë e dhurata nuk kundërshtohet.
Të përshkruash pleqërinë, besoj se nuk ia vlen, mbasi të gjithë e vështrojnë, por nuk e dëshirojnë. Kur ishim të rinj, na vinte mirë kur dikush, thoshte: shoko, pak më tutje. Tani mbledhim turinjtë e vështrojmë me përçmim ndonjërin që i rrëshqet goja e thotë: Po ti plak, çfarë kërkon këtu? Hall i madh. Sido që ishte, statusi i pensionistit, nuk na linte pa gjë.
Po ky i flamosur virus, i panjohur, na e hoqi dhe atë kapardisje me borsalinë në kokë që kishim e na mbylli, me dhunë, brenda.
Thonë se një tirons, nga ata të moçmit ama, kur e pyetën, ç’është pleqëria, nxori nga goja një “perlë”. Ai tha: “Pleqëri = pleh që rri”! Ec e kundërshtoje, po ta mbajti!