Vitet në Korçë (1955 – 1959) – vite formimi e rritjeje
(kujtime vetjake)
Hyrje
Në jetën e një njeriu, disa etapa lënë gjurmë të pashlyera e kujtohen, gjersa mendja të punojë për së mbari. Ca më mirë kjo punë bëhet kur mbresat vetjake njeriu nuk i mban vetëm si pronë të tij, por ua bën me dije pinjollëve dhe njerëzve të interesuar. Në këtë rast, rrëfimet bëhen "pronë" e shumë njerëzve dhe është më e vështirë t’i mbulojë pluhuri i harresës. Vitet më të bukura të jetës sime janë, pa mëdyshje, ato që përcolla në qytetin me shumë bukuri natyrore dhe njerëzore; në Korçën "plakë" e me histori. Paskam qenë me fat, që vitet "e arta" të rinisë sime të hershme u ndodha në atë mjedis pjellor, ku natyra dhe Zoti kanë derdhur me tepri e me bujari gjithçka është më e mirë në këtë jetë.
Nuk e teproj po të shkruaj se, si shumë të tjerë, edhe unë "hapa sytë" e u formësova si njeri, në atë qytet të veçantë, plot dritë, i cili i ka lënë shoqet prapa. Atë që kishin më të mirën, ata njerëz bujarë e ai qytet me traditë, ma lëshuan në sofër e unë e përthitha me endje. Po çfarë gjeta, në ato mjedise unikale, të cilat më mëkuan e më tjetërsuan duke më pajisur me dhunti të lakmuara?
Shkela në qytetin e Korçës, në fundin e gushtit të vitit 1955 e u largova prej tij në korrik të vitit 1959. Katër vjet, në një jetë mesatare njeriu, vërtet nuk janë shumë, ama as pak nuk mund të thuhet. Bëhet fjalë për vitet e adoleshencës, kur njeriu rritet e zhvillohet vrullshëm dhe nis të piqet, si fizikisht dhe mendërisht. Nuk është fjala thjesht për kryerjen e shkollës së mesme ku realizohet formësimi dhe kompletimi i njeriut, me kualitetet e nevojshme për të përballuar jetën me sfidat e saj, por për kualitetin që u transmetonin nxënësve ajo shkollë dhe ai mjedis. E them këtë nisur nga fakti se shkolla të mesme, në atë kohë, ishin çelur në mjaft qytete me peshë, siç ishte Korça, por jo të gjitha i kryenin njëlloj atributet e shkollës së mesme.
Erdha në Korçën "plakë" dhe të re, njëherazi, e cila ishte qyteti i traditave atdhetare e kulturore dhe një qytet i "elitës" shqiptare të kohës. Vija nga një trevë e varfër dhe e "ashpër"; nga më të prapambeturat e vendit, ku njerëzit përballonin vështirësi të shumta natyrore e njerëzore, në një vend ku zhvillimi çante me vështirësi prapambetjen që kishte lënë koha e shkuar. Pas një rrugëtimi njëditor, me të vetmin autobus 52-vendësh udhëtarësh, të përshtatshëm për vende të ftohta, të linjës automobilistike Gjirokastër - Korçë, linjë, të cilën e përshkonte një herë në javë, në të ngrysur të datës 26 gusht të vitit 1955, i vetëm, u gjenda, i befasuar, në një qytet të madh e të organizuar, të cilin nuk e njihja. Qyteti që gjeta nuk ngjante me atë që lashë pas, me Tepelenën time, ku të zbërthen era xhaketën, edhe po ta kesh të kopsitur.
Korça më la përshtypje me rrugët e asfaltuara e me trotuaret të gjerë, mbi të cilët qarkullonin kalimtarët pa penguar qarkullimin e mjeteve dhe të njerëzve. Pashë e më bënë përshtypje rrugicat e drejta, të pastruara e të spërkatura, të cilat shndrinin e feksnin me një ndriçim të çuditshëm. Pikasa mjaft ngrehina një e dykatëshe, me pullaze të mbuluar me plloça guri, të zeza, apo me qoromidhe të kuqe. Në rrugicat ku kalova, për herë të parë, pikasa disa çezma të vendosura në anë të rrugës: po të shtypje një buton në kokën e rubinetit, prej çezmës rridhte ujë i ftohtë, me presion.

Zonja dhe Qamil Nelaj
Ndryshe nga qyteti i vogël, mbi gurë në mes të maleve e të grykave, ku të shkul era, në Korçë pashë një fushë të gjerë e të begatë, me hapësira të gjera të rrethuara nga malet, me toka të begata, të buta, si sfungjer e me të tjera argjilore. Puset arteziane, nga të cilat rridhte ujë për ujitje, ishin të shpeshta e nxirrnin ujë vazhdimisht.
Ishte fundvere dhe natyra përqark kishte nisur të merrte ngjyrën e bukur të arit. Të lashtat ishin mbledhur e të vonat ishin gati për t’u mbledhur. Nikoqiret kishin nisur të bënin zairetë e dimrit (petkat, likote, turshitë etj.). Mëngët dhe pantallonat e shkurtra ua kishin lënë vendin veshjeve të gjata e njerëzit, në rrugë, dukeshin tjetërsoj. Mollët, për të cilat Korça është e përmendur, kishin nisur të verdhonin e të kuqelonin, sipas varietetit.
Qyteti kishte rrugë të gjera, sheshe të shumta dhe monumente kulture, pafund. Njerëzit, në rrugë, më dukeshin më të ngrysur. Ata i dalloje lehtë, kur bisedonin. Korçarët, në përgjithësi, komunikojnë me zë të ulët; jo me të bërtitura e me sokëllima si në fshatin tim. Ata ishin të veshur spic dhe silleshin tërë etiketë; me edukatë e me kulturë.
Korçarët e atyre viteve kishin një mënyrë jetese tjetër, të cilën e ndesha për herë të parë. Vendasit i njihnin dhe burimet e kësaj mënyre jetese.

Velideja dhe Qani Shabanaj
Kurbetlinjtë korçarë, të shumtë në numër, të shtrirë në kohë të ndryshme dhe të gjezdisur, në shumë vende të oksidentit kryesisht, kishin prurë me vete, kur janë kthyer, në Korçë, jo vetëm paratë që kishin fituar, me mund e me djersë, por dhe një mënyrë të re jetese, e cila ishte më e përparuar. Ata, kur ktheheshin në familjet përkatëse, këmbëngulnin për një veshje, ushqim, mënyrë jetese dhe marrëdhënie të tjera, të cilat kishin në bazë edukatën e shëndoshë dhe kulturën. Ndihesha mirë kur, në rrugë e në mjedise publike, vështroja të rinj e të reja, gra e burra dhe fëmijë të veshur me petka fine, të qepura me shije, me përbërje stofi dhe me kapele në kokë; si femrat dhe meshkujt. Gratë e qytetit visheshin me fustane të gjatë, deri në tokë, mbathnin skarpina; sipër fustanit mbanin triko ose xhaketë stofi dhe në bel shtrëngonin një rrip të bukur. Në kokë, sipas rastit dhe temperaturave të mjedisit, lidhnin disa sheje të errët, të thurur me lesh deleje ose prej akriliku; rrallëherë prej mëndafshi.
Në Korçë, për herë të parë pashë burra, të cilët mbanin në kokë borsalina e në qafë u vareshin kollarot, në këmbë mbathnin këpucë. Jo si në trevën ku isha lerë e isha mëkëmbur, ku burrat mbajnë në kokë qylahe të bardhë, me "antenë" në majë dhe në këmbë mbathin opinga.

Tana dhe Ferik Brahimaj
Shkela, për herë të parë në Korçën e shkollës së parë shqipe, në "djepin" e kulturës e të dijes dhe në trevën e trimave me fletë e të atdhetarëve të zjarrtë. Dëgjova e më pëlqyen shumë këngët e bukura dhe serenatat korçare, të cilat nuk kanë të krahasuar. Rasti e pruri të shkoja në mjaft fshatra të fushës së Korçës e të Luginës së Devollit; në shkollë u njoha me nxënëse e me nxënës nga treva të ndryshme të vendit. Të ardhurit nga treva e Poradecit; nga Kolonja; nga Mokra; nga Lozhani; nga Vithkuqi e nga Shulini (Liqenasi); nga Elbasani; nga Gjirokastra; nga Permeti; nga Leskoviku, nga Saranda etj. prunë me vete "bagazhin" e trevës së origjinës. Bashkuam kulturat, mentalitetet, psikologjitë dhe veçoritë tipike; përftuam nga njëri-tjetri; dhamë e morëm çfarë kishim më të mirë.
Në shkollë e në konvikt u mësova me një regjim të ri jetese, i cili kish të bënte me rregull e disiplinë dhe me orar veprimesh të rreptë e të kontrolluar, si dhe u përshtata shpejt me regjimin e ushqimit e me veçoritë e të gatuarit të trevës së Korçës, i cili, për hir të së vërtetës, më pëlqeu e më pëlqen edhe sot. Mbi të gjitha u përshtata shpejt me një pastërti që ndrinte, si në konvikt e në shkollë dhe në tërë jetën qytetëse.
Kushtet dhe mundësitë për të lexuar, atë që më pëlqente më shumë, i gjeta të mrekullueshme dhe lexova mjaft libra, shkollorë e jashtëshkollorë, të cilët më pajisën me një kulturë të kohës e më dhanë më tepër njohuri për botën. Nëpërmjet librave që lexova, rashë në kontakt me shkrimtarë e poetë klasikë, të vendit e të huaj, si: Honore Dë Balzak; Viktor Hygo; Lev Nikollajevic Tolstoi; Anton Cehov; Miguel Dë Servantes; Zhan Zhak Russo; Charl Dinkens; Volter; Ismail Kadare; Dritero Agolli; Sterjo Spasse; Fatmir Gjata; Mihail Shollohov etj. etj. Këta ishin më në modë në atë kohë e lejoheshin të njiheshe me ta. Nuk them për Rilindasit tanë të shquar si Naimi; Samiu; Kristoforidhi; Mihal Grameno e të tjerë, si dhe për bejtexhinjtë e Kolonjës që ishin në modë, lexoheshin me endje.
Leximi i librave artistikë, të cilët i përthithja me zell të madh, i dha krahë hobit tim për letërsinë, gjë që gjeti shprehje konkrete në bërjen e hartimeve cilësore dhe në marrjen e distinktivit "Miku i Librit" ndër gjashtë lexuesit e parë, në qytetin e Korçës e në trevat përqark. Në veprimtaritë e ndryshme jashtëshkollore, roli im ishte aktiv e i ndjeshëm. Marrja pjesë aktive në veprimtaritë artistike dhe sportive ku mësova e u integrova në një jetë të qytetëruar e cila ishte larg jetës monotone të mëparshme ku sundonte rutina e tradicionalizmi fanatik, ishte produkt zhvillimi. Pa u ndalur tek Beluli, (kjo pjesë artistike në atë kohë nuk ekzistonte) dua të vë në dukje disa arritje, të cilat nuk ishin vetëm të miat.
Në shkollë e jashtë saj mësova të ndërtoj një raport tjetër në marrëdhëniet shoqërore, më qytetare; në veçanti me vajzat, të cilat, mësova, së bashku me shokët e klasës e të shkollës t’i trajtoj si motra. Në ndonjë rast, siç veprojnë rëndom djemtë adoleshentë, shoqet tona, të klasës e të shkollës i kemi marrë në mbrojtje mashkullore, kur të tjerët i ngacmonin ose i bezdisnin, pa shkak. Në veprimtaritë kulturore - rinore, mësova të vallëzoj e më doli turpi që kisha më parë në marrëdhëniet me vajzat. Pata shansin të njihem e të miqësohem me njerëz të fisit tim, të cilët nuk i njihja, mbasi ata ishin larguar nga fshati prej kohësh. Kështu: Velideja e Musa Mehmetit dhe burri i saj – Qani Bektash Shabanaj; çifti fatkeq: Sulltane e Ferrik Brahimaj, nga Shkoza e rrethit të Vlorës dhe kushëriri im Qamil Pasho Nelaj, me bashkëshorten "shpirt njeriu" - Zonjën, u bënë mbështetja dhe përkrahja ime kryesore.
Në familjet respektive gjeta shumë ngrohtësi e dashamirësi. Ato më pritnin e më përcillnin sikur fëmijët e tyre.
Pas njohjes me familjen e kushëririt Qamil Pasho Nelaj, meqenëse kërkimi i të mive më eci e oreksi u shtua, u vura në kërkim të familjes së Qani Bektash Shabanaj, nga fshati Krahës i rrethit të Tepelenës, i cili ishte martuar me kushërirën time, Velidenë, të bijën e Musa Mehmet Nelaj dhe e Hysnijes kapedane; motër e Dëshmorit të Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Çifti, në atë kohë, banonte në Lagjen nr. 1 të qytetit të Korçës, aty ku niste ngjitja për në kishën e Shën Thanasit, pranë depos së ujit të qytetit.
Nuk e pata të vështirë ta gjeja familjen e tyre. Velideja punonte ndihmëskuzhiniere, në konviktin ku u sistemova, kurse burri i saj, Qaniu, ishte punëtor krahu në ndërmarrjen bujqësore "Irakli Terova", e cila u bë ekonomi didaktike e shkollës sonë. Në atë kohë, çifti ishte shtuar me një djalë, Astritin dhe me dy vajza: Liriken dhe Luizen. Si kalivaças i traditës, edhe pse në moshë të mitur, në gjetjen e të mive ndoqa traditën. Fillimisht e gjeta e i bëra vizitë kortezie, familjes së Qamilit, i cili ishte mashkull i trungut tim e pastaj vajta në shtëpinë e kushërirës Velide, të cilën e kisha njëlloj të baraslarguar në fis, por gjykoja se ajo është në derën e tjetrit dhe koha për t’i bërë vizitë, priste.
Në familjen e Qaniut, që në ditën e parë, më pritën e më nderuan, dyfish. Qaniu më nderoi si kunat, kurse Velideja si djalë xhaxhai. Edhe në këtë familje rashë si veshka në mes të dhjamit. Më duhet të pohoj, pa asnjë lëkundje, faktin se Qani Shabani ishte punëtor krahu dhe nga ekonomia, familja e tij radhitej me shtresën e varfër, por kishte një avantazh, të cilin janë të rrallë ata që e kanë. Qaniu ishte bujar e nga derë bukëdhënë.
Unë isha adoleshent e i pazhvilluar, por ai më nderonte sikur të kishte në qoshe një burrë me mustaqe të mëdha e të zot të qoshes e drejtues të muhabetit. Edhe në këtë familje e ndjeja veten si në shtëpinë time. Diferencën si kunetër, e shuante vetë i zoti i asaj shtëpie – Qani Bektashi.
Mbasi i gjeta dy të afërmit e mi, betejën në kërkim të të tjerëve nuk e ndala. Kisha informacion se në Korçë banonte e bukura Sulltane, bijë e Refat Mahmut Bilaj dhe e Mushos së Musa Mehmetit dhe të Hysnijes. Sulltana ishte martuar me të bukurin e të pakrahasuarin Ferik Idai Brahimaj, nga fshati Shkozë i rrethit të Vlorës. Feriku shërbente në shkollën e Instruksionit të kufirit, si instruktor. Ai ishte me moshë rreth 22 vjeç, me shtat të formuar mirë, me trup tërë muskuj, me flokë pak të rënë mbi ballë dhe me zemër të bardhë e me derë të hapët.
Familja e tyre sapo ishte shtuar me një vajzë, të cilën e quajtën Katjusha. Banonin në bulevardin "Gjergj Kastrioti", në katin e dytë të një pallati, rreth 50 m, në verilindje të Bankës së Shtetit. Burrë e grua ishin dy të rinj, të cilët, jo vetëm që donin e respektonin njëri-tjetrin, por, si të bërë për njëri-tjetrin, gëzonin kur në shtëpinë e tyre vinin miq. Është interesant fakti se Tana, e cila në atë kohë ishte rreth 18 vjeçe e unë vetëm 14 vjeç, kur më drejtohej, më cilësonte dajo. Ajo ishte në të drejtën e saj, mbasi, sipas shkallëve të fisit, ashtu duhet të më drejtohej, por mua, jo vetëm si natyrë e drojtur, më binte rëndë e bëhesha me turp, sa herë ajo më drejtohej me fjalën dajo.
Tana nuk punonte, por kujdesej për vajzën e sapolindur. Feriku e donte shumë të bijën e mezi priste të vinte nga puna, për ta puthur e për ta përqafuar krijesën e brishtë.
Feriku, si instruktor i kufirit, ishte kompetent, kërkues e disi i rreptë, por në familje, ai shfaqej tjetër njeri. Duke hequr kapelën, kur vinte në familje, dukej sikur i linte në repart punët e kufirit e vishej me petkat e bashkëshortit të dashuruar dhe babait të dhembshur. Ai kishte dhe një hobi të veçantë. Sapo kishin dalë në shitje motoçikletat çeke, të markës "Java" dhe Ferriku e kishte blerë një të tillë, me bojë të kuqe. Vinte nga reparti dhe mbasi çmallej me Katjushen, afrohej tek motoçikleta e tij; për të cilën përgatitej të merrte patentë. Meqenëse kisha shkrim të bukur e të qartë, më dha ta rishkruaja instruksionin e shfrytëzimit të motoçikletës, punë të cilën e bëra me shumë qejf duke menduar t’i lija pak kohë "kunatit", që të merrej me të bijën dhe me Tanen.
Dikur, të katër ranë dakord që familjet e tyre të bashkoheshin, jo ligjërisht, por faktikisht. Të dyja familjet i lidhte një fill i përbashkët, i cili e kishte burimin tek prejardhja e dy grave të shtëpisë. Velideja ishte motër e Mushos së Hysnijes së Musa Mehmetit dhe e kishte vajzë motre Tanen. Të dyja familjet nuk kishin salltanete, por ishin të tyret dhe kishin zemër të bardhë. Meqenëse në familjen e tyre të madhe gjeta ngrohtësi, shkoja shpesh në shtëpinë e tyre.
E kujtoj si sot dashamirësinë me të cilën më prisnin; me buzë në gaz e me duar në qafë. Habitesha, kur e bënin gati dhe e piqnin byrekun, kur shkoja unë në shtëpinë e tyre. Si flutura qarkullonin të dyja, si tezja dhe mbesa nëpër oborrin e shtruar me gurë lumi.
Qaniu ishte i vrarë nga veshët dhe, për të dëgjuar çfarë thoshte radioja "Europa e Lirë", në gjuhën shqipe, e cila, në ato kohë, ishte bërë tepër aktive, ngrinte zërin e radios të cilën e kishte vendosur në një kamare dhe dëgjohej edhe nga rruga. Ferriku, edhe pse ishte ushtarak aktiv e shërbente në repartet e kufirit, nuk pyeste fare e nuk ishte i interesuar të dëgjonte komente politike.
Një ditë, Qaniu vajti për të blerë bukë, në furrën më të afërt. Ai i dha shitëses 500 lekë, e shitësja i ktheu kusur për 100 lekë. U mundua t’i mbushte mendjen shitëses agresive, Qaniu i gjorë, por më kot. Më tha mua të shkoja tek shitësja boluce e t’i thoja se kam qenë i pranishëm e se jam dëshmitar që ky burri të ka dhënë 500 lekë. Ashtu bëra, por shitësja, një ngjelkë llafazanke, më priti me "këmbët e para" e më dëftoi një mastrapa, me të cilin më kërcënoi se do të ma thyente kokën.
I trembur, vajta tek Qaniu e i dëftova ngjarjen. Vate 500-lekëshi e Qaniu nuk u ndie më. Familja e Qaniut mbarështonte një dhi race, me gjinj që i vareshin deri në tokë. Me qumështin e saj ushqeheshin fëmijët dhe tërë familja. Shkoja, herë pas here në Përroin e Mborjes, herë i vetëm e herë së bashku me Astritin, ku mblidhja gjethe të njoma për dhinë.
Qani Bektashi kishte shumë qejf të hante mish të pjekur në hell e të pinte raki. Kur punonte në Fabrikën e Tullave të qytetit, një ditë, për nderin tim, por dhe për stomakun e tij, kishte blerë një goxha qengj pirës, të cilin e theri dhe e shkoi në hell. Atë ditë në shtëpinë e madhe u bë festë e unë u zhdepa me mish qengji. Isha dajo i fëmijëve, prandaj më dhanë bishtin!
Si djalë me temperament e me dëshira rinore, gjeta mundësitë dhe pata vullnetin për t’u marrë me sport. U futa në rrethin e mundjes, me të rinjtë e qytetit të Korçës, ku trajner ishte Mishel Qipo, në shoqëri me mundës të kualifikuar si Rrapi Mborja e të tjerë. Pashë futboll të kategorisë së parë ku bënte pjesë ekipi i qytetit të Korçës dhe njoha, nëpërmjet shtypit të shkruar sportistë të rrallë nga bota e qytetëruar si: brazilianët Pelë, Didi, Garinca etj.; hungarezët Pushkash e Hidegkuti; francezët: Fonten, Pjanton e Kopa; spanjollët: Kubala, portugezin e natyralizuar Eusebio; sovjetikët: Lev Jashin e Igor Netto etj. M’u dha mundësia të vështroj duke luajtur futboll: Loro Boricin, Zihni Gjinalin, Qemal Voglin, Refik Resmen, Stavri Lubonjen, Gaqo Laren, Aleko Piliken dhe të vëllanë - Zhanin etj. etj. Në Korçë ndoqa ndeshje mbresëlënëse basketbolli si ajo mes vajzave të qytetit të Korçës dhe ekipit të Gjeorgjisë, si dhe ndiqja, me kureshti, takimet e volejbollit e të basketbollit, ku simpatizoja: Petrit Murzakun; Ferdinand Qiricin, Ilo Teneqexhine, etj. Në Korçë, jo pa peripeci, mësova të drejtoj biçikletën; u mora me mundje dhe mësova të ushtrohem në shtangë.
Në ndonjë rast, pata fatin e keq të sëmurem e të shtrohem në spital, ku pashë ndërhyrje specialistësh si famëmadhi Sotir Polena dhe u bëra dëshmitar okular i ndonjë dështimi të tij, i cili përfundoi tragjikisht. Në Korçë provova dhe edukimin nëpërmjet punës, ku supertova, mbi shpatullat e njoma, shfrytëzimin socialist. Korçarët dhe vajzat e qytetit në fjalë, i pashë si njerëz me sqimë, që visheshin e silleshin mirë, respektonin veten dhe ata që kishin pranë dhe kërkonin shpërblimin me të njëjtën monedhë prej atyre, të cilët i kishin pranuar në shoqërinë e tyre. Kam dëgjuar, jo një herë se korçarët janë lokalistë e nuk të pranojnë në shoqërinë e tyre, po të mos jesh nga Korça. Në vija të trasha, e kundërshtoj hapët këtë thënie të pabazë.
Po të rrekesha ta përktheja në një gjuhë më të plotë, do ta quaja këtë "lokalizëm" si përpjekje me vend për të ruajtur autoktoninë të paprekur. Treva e Korçës dhe vetë qyteti i lashtë e i bukur, janë disi të mënjanuar nga trevat e tjera të vendit. Me Poradecin, me Kolonjën, me Devollin e me Vithkuqin, me të cilët, korçarët janë gjitonë (kufitarë) e ngjajnë për nga mentaliteti, psikologjia dhe mënyra e të jetuarit, janë të përafërt, por jo të njëjtë. Prandaj korçarët janë munduar e mundohen që atë që mezi e kanë qëmtuar në shekuj, ose e thënë më troç: "gjënë" e tyre, nuk duan ta marrin, të gatshme, të tjerët, prandaj e ruajnë atë, me "xhelozi".
Qyteti i Korçës, në hyrje të shekullit të njëzetë u shpall Republikë franceze. Të tjera vlera të qenësishme u shtuan atyre ekzistuese. Tendenca për dyndje pati edhe gjatë kësaj kohe, por korçarët i ruajtën arritjet, me qëndresë e me xhelozi. Ka dhe faktorë klimateriko-tokësorë që e favorizuan këtë përpjekje të tyre. Klima e ashpër, temperaturat e ulëta në stinën e dimrit dhe pozita gjeografike larg trevave të tjera bënë të mundur që në Korçë të futeshin më pak njerëz nga treva të tjera.
Të marrë së bashku, të gjithë këta e të tjerë faktorë bënë të mundur që ndikimet së jashtmi të ishin më të pakta. Disa dukuri të veçanta si gjuha e pastër shqipe, shpesh e llastuar e me stoli karakteristike, mbetën origjinale dhe të veçanta; martesat brendapërbrenda qytetit, njohjet vetjake (kontaktet me të huaj) dhe ndikimi i fuqishëm i dy religjioneve fetare kanë qenë faktorë potencialë për ruajtjen e autoktonisë.
Qyteti i Korçës, i rrethuar nga fshatra, në të cilët jetojnë e punojnë punëtorë të zellshëm bujqësie dhe tokat pjellore që disponojnë ata, ndikojnë drejtpërdrejt në nivelin e jetesës së atyre njerëzve. Korçarët, nisur nga një disnivel jo aq i ndjeshëm, pranonin të bënin krushqi dhe me fshatra. Më të preferuara ishin fshatrat: Hocisht e Dardhë si dhe Drenova e Boboshtica. Por edhe në këto raste, korçarët merrnin nuse, por nuk jepnin vajza, edhe në këto fshatra relativisht të përparuar. Qytetari korçar, në raste të veçanta, kur tek individë kishte ego të shfrenuar, fshatarët i quante: "agallarë", me konotacionin përbuzës brenda.
Dua të vë në dukje dhe faktin se njerëzit e shkolluar, të kulturuar, e të gjezdisur si dhe të kamurit dinë më mirë t’i kundërvihen asimilimit. Në optikën time, lokalizmi korçar, aq shumë i lakuar e i lakmuar, nuk mund të jetë vetizolim, por vetëmbrojtje.
Njohjet e para
Mbërrita në qytetin e Korçës në pasditen e 25 gushtit të vitit 1955. Isha për herë të parë në këtë qytet të mrekullueshëm. Moti, gjatë ditës, kur ishte i pranishëm dielli, ishte i ngrohtë, por me largimin e diellit, temperatura e ajrit rrethues binte e niste freskia e buzëmbrëmjes dhe e natës. Dita kish nisur të bëhej më e vogël teksa errësira binte më shpejt.
Pas një rrugëtimi sfilitës njëditor, nëpër atë udhë tërë gropa, autobusi ndaloi diku pranë Komitetit Ekzekutiv; një ngrehinë e bukur, e bardhë, dykatëshe, në formë gjysmërrethi e ndërtuar me gurë të gdhendur. Pasagjerët zbritën me ngut, nga autobusi dhe, madje pa i thënë njëri-tjetrit: mirupafshim. Secili nxitonte për në destinacionin e vet. Nuk kisha njoftuar asnjërin për mbërritjen time, prandaj nuk kish dalë njeri të më priste. U ndodha i vetëm në atë mjedis të panjohur.
Shkollën ku do të mësoja nuk e kisha idenë se ku ndodhej dhe konviktin ku do të strehohesha e ku do të ushqehesha nuk e dija. Dita po thyhej dhe errësira e natës, dalëngadalë, po binte. Tok me errësirën, punët e mia po bëheshin më të vështira. Pyeta një mesoburrë, i cili, nga veshja dhe nga pamja më krijoi ndjesinë se ishte qytetar. "Nuk di", tha tjetri, "se nuk jam vendali".
Pyeta një tjetër; ai më bëri me dije se konvikti i shkollës bujqësore ndodhet, rreth 500 m, më tej Bankës së Shtetit, në rrugën automobilistike që të çon në Maliq. Nuk kisha dijeni, as për vendndodhjen e Bankës së Shtetit, as për rrugën që të çonte në Maliq. Kisha dëgjuar kur isha në fshat, se me të pyetur, njeriu gjen Stambollin. Nuk them se kjo thënie nuk është me baza, por duke iu referuar praktikës vetjake, them se "më ngeci sharra në gozhdë", në Korçën e afërt, pa lëre si mund të jetë në Stamboll, i cili është daha më i madh. Burri që më dha informacionin e parë, më bëri me dije dhe për vendndodhjen e Shkollës së Mesme Bujqësore, e cila ishte e vendosur në një godinë, në anën jugore të qytetit, në rrugën që të çon në Kolonjë, afër varrezave publike të myslimanëve.
Gjithë këto detaje nuk mund t’i konceptoja, në ato çaste kur më kishte mbërthyer stresi i shkeljes në të panjohurën dhe lodhja kishte bërë punën e saj.
Me të pyetur, e gjeta konviktin e u lehtësova shpirtërisht. Ankthi që më kishte kapluar, m’u duk sikur më iku, sikur ma hoqi njeri me dorë, kur u ndodha përballë godinës fantastike të konviktit, e cila, me disa labirinthe të dukshëm dhe me kulla interesante, të jepte përshtypjen e një godine që nuk e kishte shoqen. Para dhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ajo godinë e bukur kishte shërbyer si kuplara. Siç mësova më vonë, pushtuesit italianë i kishin prurë nga vendi i tyre femrat, të cilat prostituonin për llogari të ushtarëve italianë, por kishin dhe klientë vendas. Ato zakonisht qëndronin brenda e nuk para dilnin në qytet.
Mjedisi korçar ishte kundër këtyre punëve të pista dhe e urrente prostitucionin legal. E vështroja, me habi e kënaqesha me bukuritë e saj, teksa hapat më çuan vetiu tek hyrja, në të cilën ishte një tip "kolibe" ku qëndronte roja i konviktit, një fshatar me moshë rreth të pesëdhjetave, i veshur me rroba shajaku të zi e me një kapele pellushi, nga ato që mbajnë në kokë gorarët. Roja mbante mustaqe, por ato nuk e bënin aq serioz e të rreptë, mbasi shpirtin dhe sjelljen i kishte prej mëndafshi. Roja me mustaqe spic, më hapi derën dykanatëshe të konviktit, e cila ishte e orientuar nga lindja; andej nga kalonte rruga kryesore automobilistike që të çon në Maliq e më tej.
Në atë anë ishte një lëndinë e madhe e në mes të saj, një çezmë arteziane, e cila nxirrte ujë të ftohtë, vazhdimisht. Hyra brenda me drojë, si ai që futet për herë të parë në shtëpinë e tjetrit. Menjëherë pas portës hyrëse, ishte kolibja e rojës, e ndërtuar enkas për të.
Në konvikt (përkatësisht dhe në shkollë), përpara meje, kishin ardhur 5-6 nxënës, nga treva të largëta të Jugut të vendit. Ata ishin akomoduar në konvikt, ku flinin dhe ushqeheshin, në pritje të fillimit të mësimeve. Drejtoria e shkollës dhe ajo e konviktit kishin marrë masa të plota për të pritur nxënësit. Nxënësit e vitit të dytë dhe të tretë nuk kishin përse të nxitoheshin; ata ia kishin marrë dorën shkollës dhe do të vinin nga shtëpitë, në ditën e fundit. Njeriu i parë që ndesha, sapo u futa në mjediset e brendshme të konviktit, ishte roja.
Ai quhej Shyqyri dhe portreti i tij ishte tejet interesant. Përpara meje qëndronte një fshatar rreth të pesëdhjetave, i veshur me xhaketë e me pantallona shajaku të zi, me mustaqe të prera spic e me kapele pellushi në kokë. Xha Shyqyriu kishte mbetur i ve, herët; bashkëshortja e tij ishte ndarë nga jeta nga shkaqe natyrale. Duke i qëndruar besnik origjinës dhe traditës, nisur dhe nga dashuria për të shoqen e ndjerë, ai nuk ishte rimartuar, kish mbetur i ve dhe e kishte renditur veten në radhën e pleqve. Me shtat mesatar rreth 160 cm, xha Shyqyriu shquhej për rregullshmëri në veshje e korrektësi në sjellje dhe ishte besnik në detyrë.
Që në takimin e parë, njeriu e kuptonte se kishte të bënte me një fshatar, të zbritur nga Gora. Mbiemri i tij ishte Xhangolli e përflitej se ishte i afërt i një personaliteti të lartë partie. Xhaketa dhe pantallonat qillota prej shajaku të zi, i shkonin bukur me këpucët e zeza që mbathte dhe me çorapet po të së njëjtës ngjyrë. Për të thyer monotoninë e zezë, ai mbante një jelek të bardhë, me kopsa, të punuar me shtiza dhe me një zinxhir të verdhë, që i varej në gjoks, në fundin e të cilit ishte mbërthyer një sahat xhepi, i bardhë, i madh. Qostekun e tij të veçantë, roja nuk linte rast pa e reklamuar si vlerë të pajisjeve të tij.
Siç duket, qostekun, xha Shyqyriu e kishte dhuratë dhe e ruante si amanet. Dy sy të zinj, zhbirues, dëftonin për zgjuarsinë e tij. Ai monitoronte, me lehtësi të gjithë hapësirën që i përkiste konviktit dhe dinakëria në sytë e tij ishte e dukshme.
Sapo e takova, i thashë se do të mësoj tek ju. Xha Shyqyriu më mirëseardhi, më pyeti nga vija e më priu nëpër shkallët e gurta të ngrehinës, për të më dëftuar dhomën ku do të banoja. Dhoma ku do të flija ndodhej në katin e dytë të ngrehinës, e cila, për shkak të kullave e kthinave të shumta, ishte vështirë të përcaktoje sasinë e kateve të saj. Roja hapi një derë e të dy hymë brenda. Dhoma nuk ishte e madhe, por lartësia e saj ishte e dukshme.
Në dhomë ishin të shtruar, me të gjitha takëmet, katër jatakë; në dy krevate tip marinara - lart e poshtë. Jatakët ishin të rregulluar e ishin të gatshëm për të fjetur në ta. Binin në sy çarçafët e bardhë si bora, prej kamriku, me përbërje pambuku. Çarçafët ishin të kthyer tek fytyra, rreth 30 cm dhe jastëkët e pambuktë ishin të veshur me këllëfë, gjithashtu të bardhë. "Zër kë të duash", tha roja që më shoqëronte; "të gjithë bosh janë".
Unë "pushtova" një shtrat në katin e sipërm të njërit nga të dy krevatet. Stafi i konviktit nuk kishte këmbëngulur që nxënësit që ishin paraqitur të grumbulloheshin në të njëjtën dhomë, por e kishte lënë të lirë zënien e krevateve; sipas dëshirës së nxënësve. Siç e justifikuan vetë drejtuesit e konviktit, ky lloj ndarjeje kishte të bënte me faktin që nxënësit nuk njiheshin me njëri-tjetrin.
Atë natë nuk u interesova për të mësuar, me cilët konviktorë do të flija në të njëjtën dhomë. Isha mjaft i lodhur e mezi prisja të shtrihesha. Kjo ishte nata e parë imja, në konviktin e Teknikumit Bujqësor të Korçës. Fjeta, i vetëm në dhomë. Mbylla derën e dhomës nga brenda e më mori gjumi, i qetë se do të më ruante roja mustaqelli.
Të nesërmen në mëngjes, mbasi hëngra diçka nga ushqimet e torbës që më kishte nisur Nëna, kur më përcolli, u përfilla për të mësuar mjediset e konviktit dhe nxënësit konviktorë që kishin ardhur përpara meje. Mësimet e rregullta do të nisnin më 1 shtator të vitit 1955. Deri atëherë nevojiteshin edhe 6 ditë. Xha Shyqyriu, me të cilin u familjarizova relativisht shpejt, më dëftoi kalimthi dhomat e konviktit, mensën, kuzhinën, çezmën në oborr, depon, territorin e konviktit, fushën e sportit, të rrethuar me mur, brenda së cilës ishin dy shtylla volejbolli. Territori i konviktit tonë ishte aq i vogël sa me shoqi-shoqin jo që takoheshim shpesh, por dhe përplaseshim me njëri-tjetrin.
Menjëherë u njoha me një nxënës, i cili kishte ardhur nga rrethi i Elbasanit e quhej Vasil Tolluni. Po në atë ditë u njoha dhe me tre kolonjarë, të ardhur, si unë, para kohe. Ata ishin: Aleks Vangjeli, nga Barmashi dhe Andrea Tanë e Pali Dedo. Secili prej tyre kishte karakteristika të veçanta e u bënë pjesë e "mozaikut" të shumëllojshmërisë së konviktorëve. Aq sa ishim, duke u kujdesur për jetën tonë dhe për mbarëvajtjen e punës së tij, roja na porositi: "Në qytet mos dilni të vetmuar e mos u vononi në mbrëmje!"
Kish të drejtë xha Shyqyriu në ato që thosh; ne nuk e njihnim qytetin e Korçës dhe mund të na ndodhte ndonjë e papritur …! Duhet të kalonin edhe gjashtë ditë pa të nisnin mësimet e rregullta. "Mund të shkoni dhe në mensë për të ngrënë", tha roja; "kuzhina është hapur e punon edhe në këto ditë grumbullimi". Iu "fala" sërish torbës prej pëlhure që kisha prurë nga fshati, për të provuar ushqimet e Nënës, të cilat mund të kishin mbetur të pathartuara e mund të konsumoheshin. Pa u prishur kishin mbetur 2 - 3 kokrra vezë, të ziera, një copë kulaç i gatuar me miell gruri, disa topa me paluze, një top me gjalpë deleje, në mes të kulaçit etj. Një pulë të skuqur në saç që më kishte nisur Nëna dhe disa ushqime të tjera, sipas porosive që më dhanë kur dola nga shtëpia, i kisha konsumuar rrugës.
Në torbë ishin dhe disa kokrra arra, një grusht me bajame, ndonjë ftua e ndonjë shegë dhe palafike, të cilat i kishin sjellë si dhuratë gratë e fiseve: Nelaj, Deraj, Haderaj etj. Gëzimi se po shkoja në shkollë, në një qytet si Korça kishte kapluar tërë mëhallën e më gjerë. Gratë e Cinajve, të Azizajve, të Haxhiajve, të Sakajve, etj., e gjithë gjitonia dhe miqësia nuk mund të mungonin në atë përcjellje. Kështu e donte tradita shekullore e fshatit tim. Më hutuan me lloj-lloj porosish. Ndonjëra, shfrytëzoi rastin për të bërë edhe ironi.
Më duhej të gjeja, doemos, shtëpinë e kushëririt tim Qamil Pasho Nelaj. Ai kishte qenë partizan, ishte plagosur në këmbë dhe si invalid lufte kishte mbetur në Korçë. Ishte në këtë qytet dhe në punën e përgjegjësit të ekonomisë ndihmëse të Ndërmarrjes së Ndërtimit të qytetit. Ai ishte martuar me të mirën Zonjë, bijë nga fshati Corrush i rrethit të Fierit, një grua e përsosur me norma morale të spikatura dhe me edukatë familjare të shëndoshë. Në çift me Zonjën - Zonjë, Qamili solli në jetë një tufë me fëmijë.
Së bashku me Qamilin, kishte ardhur nga Kalivaçi i Tepelenës, Nëna e tij, gege Ganua, një grua e dhembshur dhe e kujdesur, me norma zakonore të trevës sonë. E njihja gege Ganon që kur ishte në Kalivaç e banonte me djalin tjetër të saj, me Ali Pashon. Të gjithë mëhallalinjtë; në veçanti Nëna dhe Babai im, kur u ndamë, më porositën të gjeja Qamilin, të njihesha me familjen e tij dhe të mbështetesha fort, tek ata. Babai më bëri me dije se Qamili ka reputacion në qytet e në rrethina dhe është njeri i ndershëm, i drejtë e i sakrificës dhe se bën shumë për të tijtë. Ai banonte në një ngrehinë të re, njëkatëshe, me çati të mbuluar me qoromidhe, pranë godinës së shkollës sime, në një hyrje të përbashkët me korçarin Petro, i cili, në atë kohë, kishte dy fëmijë të rritur: Marjeten adoleshente, e cila punonte në fabrikën e birrës dhe Nestin - 18-vjeçar.
Pyeta disa njerëz kur dola në qytet, por asnjëri nuk e njihte kushëririn tim. Duke pyetur kuturu, më rezultoi se një burrë e njihte Qamilin dhe ia dinte shtëpinë. U gëzova nga ky fakt dhe iu luta burrit të panjohur të më dëftonte shtëpinë e kushëririt. Papritur burri u vu në rolin e udhërrëfyesit e më çoi deri në fund të rrugicës ku banonte Qamili me familjen. Për t’u orientuar më lehtë, burri më tha se përballë banesës së Qamilit, e cila ishte njëkatëshe, e re dhe me çati të mbuluar me tjegulla të kuqe, ndodhet një banesë dykatëshe, me çati, e lyer me gëlqere nga jashtë, e cila është në pronësi të Gjyshos, nga Vlora.
Me drojën e fëmijës së padalë, iu afrova shtëpisë që më rrëfeu burri i panjohur. Në bahçen e vogël të mbjellë me duhan e cila shtrihej në anën lindore të banesës, pikasa dhe njoha gege Ganon. Xhaxhesha ime, së bashku me të birin e kishin mbjellë bahçen me një duhan fletëmadh, të stërgjatur i cili, thonin se ka ardhur nga Greqia dhe quhet Xhebel. Gege Ganua ime, një grua e moshuar, imcake në shtat, e veshur me çitjane dhe me një setër prej santini në ngjyrë të zezë, në kokë mbante një lahur të zi i cili ngjante me një shall prej leshi, të punuar me dorë. Shalli i saj ishte i madh; ai i mbulonte edhe shpatullat gegesë sime të mirë.
Ajo ishte e veçantë jo vetëm prej shtatit të saj të paktë, por dhe për faktin se e kishte kurrizin pak të dalë. Iu afrova e i fola. Ndonëse ishte e "vrarë" nga veshët dhe vështronte me vështirësi, më njohu e më thirri në emër. E pashë të gëzuar e të çelur plakën; mora dhe unë zemër prej sjelljes së saj. Ndoshta më njohu nga zëri karakteristik, të cilin e kishte dëgjuar shpesh, kur ajo banonte në Kalivaç të Tepelenës e unë shkoja pranë kopshtit të saj për t’i kërkuar fiq protoshesh, kur piqeshin, në qershor e në gusht.
"Të keqen, mor Zimo", tha ajo, "po nga na u hapën këto udhë e më gjete edhe këtu…?" U takuam, të përmalluar. Siç është traditë tek gratë e trevës nga jam unë, gegeja ime shpirtmirë, më puthi, në të dyja faqet, më shtrëngoi fort, në gjoks e më shoqëroi në një dhomë, e cila shërbente, për kuzhinë e si dhomë për pritjen e mysafirëve të shtëpisë. Qamili dhe Zonja – Zonjë kishin prurë në jetë dy fëmijë; të dy të seksit mashkull: Xhevdetin dhe Kastriotin.
Më pas, fëmijët e çiftit u shtuan dhe ajo banesë u bë e ngushtë për atë familje të madhe. Familja e tyre fisnike u strehua, nga shteti, në një banesë tjetër, më të madhe, e cila ndodhej në mëhallën e Pazarit të Vjetër; atje ku dikur ka qenë Dyqani i Rakos. Gege Ganua më pyeti për fshatin dhe për fshatarët. Ajo nuk harroi të më pyeste jo vetëm për njerëzit, por dhe për të mbjellat e për të korrat, për shpendët dhe për bagëtitë e për çdo gjë. Siç e donte tradita jonë fshatarake, pas këtyre pyetjeve si breshëri, gegeja më pyeti nëse më kishte marrë uria dhe çfarë doja të haja.
Më vinte turp të thoshja çfarë doja, por në atë ngushtësi, Gege Ganua e vojtur e bujare, më dha një copë bukë gruri me sheqer sipër, të spërkatur me ujë. Ma gjeti midenë xhaxhesha me gostinë që i përshtatej moshës sime. Kopshtin e vogël, i cili ndodhej në anën lindore të shtëpisë së tyre, e kishte në përdorim Qamili. Mbas transferimit në banesën e re, nuk di çfarë u bë me kopshtin e tij.
Kur vajta për herë të parë në shtëpinë e kushëririt tim, Qamilit, bashkëshortja e tij, një grua e rrallë, bujare e traditës së mirë, e sakrificës dhe e dhembshur, nuk ndodhej në banesë. Ajo ishte në punë, në hotel-restorant "Borova", në kuzhinë ku punoi shumë vite radhazi. Zonja ishte shumë punëtore dhe pastërtore e madhe. Detyra e saj, në punën e shtetit, ishte pjatalarëse, në kuzhinë. Enët që pastronte ajo dhe mjedisi i punës shkëlqenin nga paqllëku.
Gege Ganua, e shkurtër dhe e kërrusur nga vitet që mbante mbi supe, ishte e ngadaltë, si natyrë, por veprimet që kryente i kishte të sakta. Mbasi më uroi mirëseardhjen, më pyeti, një për një, për të vegjël e për të rritur, në mëhallën tonë, në Ahmetaj e në fshat; me vështirësi hapi bufenë e më qerasi me karamele. Isha akoma i parritur, prandaj nuk më nxori raki, siç e donte tradita për të qerasur burrat që vinin në shtëpi. Isha ulur në një tip divani, të sajuar, në të cilin flinte xhaxhesha ime dhe vrojtoja çdo detaj të dhomës me syrin e një njeriu, të cilit i intereson çdo gjë. Dhoma ku më priti xhaxhesha ime ishte e mobiluar fare thjeshtë; sipas kohës.
Për mobilje, nëse mund të quhen të tilla, në atë mjedis ishin dy divane të bërë vetë, në të cilët flinin: në njërin gege Ganua dhe në tjetrin – dy djemtë e çiftit. Në mes të dhomës ishte një tavolinë prej druri, e cila mbulohej nga një mushama tavoline, me katrorë ngjyrë kafe. Në një qoshe të dhomës ndodhej një dollap buke, prej druri, i pajisur me rrjetë teli përpara që të mos hynin mizat fluturake. Në njërën nga faqet e murit ishte varur, në një kornizë druri, një fotografi e zmadhuar e çiftit, bardhë e zi. Në dhomë ishte dhe një komo, prej druri të gdhendur, bojëkafe, me sirtare, në të cilën vendoseshin petkat e gege Ganos dhe të dy djemkave.
Në anën lindore të shtëpisë, pranë derës hyrëse, ndodheshin shkallët të cilat zbrisnin në një bincë të ulët ku Qamili vendoste qymyrin e drurit, të cilin e përdorte familja, për t’u ngrohur, me sobë apo me mangall.
Qëndrova një copë herë të madhe, në shoqërinë e gegesë sime - Ganos së Pasho Mehmetit. Biseduam, kujtuam, u çmallëm. Doja të takoja Qamilin, Zonjën ose djemtë, por asnjëri nuk erdhi sa isha unë në shtëpi. Ika, vajta në konvikt, me kokën pas. Në shtëpinë e kushëririt tim, Qamilit dhe në shoqërinë e gegesë u ndjeva mirë, si në shtëpinë time, në Kalivaç e nuk ma kish enda të largohesha; por isha i detyruar.
Rrugën deri në konvikt, e bëra thuajse me vrap. Druaja se mos nën efektin e natës që po binte ngatërroja rrugën e më duhej të pyesja sërish, për t’u orientuar në atë qytet të madh. Qamili, me të ardhur në shtëpi, nga puna me kohë të zgjatur, pa hequr petkat që mbante veshur në punë, e mbajti vrapin në konvikt, ku isha unë. Ai mori dijeni për vajtjen time në shtëpinë e tij e donte të më takonte flakë për flakë. Siç duket, edhe ai kishte mall për të tijtë dhe shyqyr që i erdhi rasti të takohej me njërin prej tyre.
Qamili kishte ikur shpejt nga fshati; fillimisht partizan, në Brigatën e 6-të e më pas me banim në Korçë. Unë, gjithashtu, pas shkollës fillore të fshatit, kisha qenë në konviktin e shkollës shtatëvjeçare, në Tepelenë e ja, në moshën e adoleshencës së hershme, "shtegtova" larg, në Korçën e ftohtë e të lakmuar. Njihesha mjaft përciptaz me Qamilin, por prindërit më kishin ushqyer ndjenjën e dashurisë e të respektit për të si njeri i mirë që rridhte nga fisi ynë. Qamili nxitej dhe nga kurioziteti për të më njohur si djalë i të njëjtit trung.
Ai më kërkoi tek roja i konviktit e unë dola menjëherë. Biseduam gjatë në lëndinën me bar, përballë godinës së konviktit. Ishte buzëmbrëmje dhe, në ato orë të ditës, në Korçë avitet freskia me të cilën nuk isha ambientuar akoma. Mbasi më pyeti e mësoi për jetën time, nisi të më pyeste, fije për pe, për njerëzit e familjes së tij, për fisin e për mëhallën e Ahmetajve dhe për bashkëfshatarët. I fola, aq sa dija dhe i përcolla të falat e atyre që më porositën: si nga vëllai i tij – Ali Pashua; kunata Zadeko, nga xhaxha Hasimi ulok dhe nga bashkëshortja e tij - Shanikua, nga Doreza dhe nga fëmijët e tyre. I përcolla të falat e nxehta nga Hysnija e Musa Mehmetit, e cila ishte "komandante" e grave të fisit e të mëhallës; nga xhaxhai i tij i mençur e trim – Musa Mehmeti dhe nga i biri i tij – Mehmet Musa Nelaj, i cili ishte në detyrën e kryetarit të kooperativës bujqësore të fshatit Kalivaç të Tepelenës.
Qamili, si e ema, donte të dinte për çdo gjë që lidhej me fisin e me fshatin tonë. Pyetjet e tij vërshuan e unë nuk dija për cilën të përgjigjesha më parë. Ai ishte kurioz të dinte: Kush është fejuar e kush është martuar dhe me kë është lidhur; Kush ka ardhur në jetë dhe kush është ndarë prej saj; kush ka shkuar ushtar? Ku dhe kur? Kush është liruar nga ushtria e ku është sistemuar? etj. Pyetjet e tij nuk kishin të mbaruar.
Psenë e këtyre pyetjeve, atëherë nuk e kuptoja plotësisht mbasi isha i parritur, por tani që po shkruaj këto kujtime, i jap të drejtë kushëririt tim, mbasi ai jetonte larg fshatit e në atë kohë informacionet mezi vinin, qoftë dhe të cunguara. Kurioziteti dhe interesimi i tij shkonin deri tek arat, tek prodhimet; tek kafshët e punës e të prodhimit, tek kullotat, deri tek interesimi kush ishte bërë synet e cilët janë grindur apo janë në mëri me njëri-tjetrin; si individë e si familje. Qamili u nda prej meje vetëm kur ra nata e u bë vonë, si për mua dhe për atë. Nuk e kishte adet kushëriri im të vonohej në familje dhe atë ditë, prej mëngjesit nuk ishte kthyer në shtëpi. Ai iku nga takimi me mua duke më bërë ftesën që të shkoja në shtëpinë e tij, në çdo kohë, dhe të qëndroja sa të doja, e si në shtëpinë time.
Për ta përforcuar atë që tha, Qamili theksoi se Gege Ganon e ke gjithmonë në shtëpi dhe se ajo, së bashku me Zonjën, do të kujdesej për mua sikur Nëna ime, që kisha lënë në Kalivaç. I kujtoj me nostalgji e dhimbje, por dhe me përunjësi të thellë fjalët e invalidit, në ndarjen nga ai takim interesant, kur tha: "Na u shtua një djalë në familje dhe kjo më gëzon shumë!" Çfarë fjalësh! Ato përmbledhin një filozofi të tërë. Çfarë zemre e madhe dhe e bardhë!
Çfarë bujarie, pa kufi kish në ato fjalë! Në fakt, Qamili; Zonja; gege Ganua, Xhevdeti, Kastrioti, dhe Drita, nuk më numëronin si tjetër, por më pranuan në komunitetin e tyre, pa kushte, siç isha.
Qamil Pasho Nelaj, i rritur me mundime e me një fëmijëri të vështirë, pjesëmarrës dhe invalid i Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, nuk mund të ishte i ndryshëm nga njerëzit e fisit tonë, të fshatit e të trevës sonë. Ai trashëgonte tipare humane, ishte mjaft i dashur e i dhembshur dhe kish në rremba gjak nga ai i paraardhësve tanë. Koha që vijoi vërtetoi plotësisht ato që tha invalidi, në fund të takimit tonë. Më erdhi mirë që edhe aq larg gjeta Nënë e Baba, motër e vëlla, po aq të mirë sa ata që kisha lënë në fshat. Ata, me bujari e me zemër në dorë më pranuan, siç isha, në familjen e tyre, si pjesëtar i barabartë i saj.
Gëzimi im mori krahë. Nuk do të isha i vetëm në atë mjedis të panjohur. Më pas, kërkova dhe gjeta të tjerë pinjollë të fisit tim të cilët më mirëpritën e më rrethuan me dashuri e me përkujdesje. Dita-ditës e mbylla rrethin e dashamirësve, të cilët ma bënë më të lehtë qëndrimin katërvjeçar, në Korçën e ftohtë, por të paqme.
Ditët, derisa nisëm mësimet në klasë (1 shtatori i vitit 1955), kaluan shpejt; sa hap e mbyll sytë. Nuk e kuptova si rrodhi ajo kohë. Çdo ditë, për të nisur mësimet në vitin e parë të Shkollës së Mesme Bujqësore "Irakli Trova" të Korçës, vinin nxënës të rinj. Si më "i vjetër", tok me shokët si unë, ata që vinin rishtas, i pritnim në hyrje të konviktit, u merrnim valixhet e rënda, të mbushura me ndërresa e me ushqime, i shoqëronim tek roja i konviktit, i cili, mbasi i pyeste, siç bëri me ne, vijonte procedurat e zakonshme të pritjes e të sistemimit të të ardhurve rishtaz. Më kujtohet sa i interesuar isha për të mësuar nëse ndonjëri nga rishtarët ishte nga rrethi apo nga treva ime dhe nëse kishim të njohur të përbashkët.
Në torbat e tyre të rënda, më tepër kishte mish të pjekur; pula të pjekura; vezë të ziera; byreke; petulla; fruta të stinës dhe ndonjë ëmbëlsirë tradicionale. Kundërmonte erë të mirë konvikti. Një krahasim i thjeshtë me ato që kisha në torbë, kur erdha, bën të mendosh se në një kazan zienim të gjithë. Në fund të fundit, ky ishte një tregues i pakundërshtueshëm i nivelit ekonomik të përafërt të familjeve nga vinim.
Si të rrethit më të afërt me rrethin nga vija, shpejt u bëra shok me disa djem që erdhën nga fshatrat e rrethit të Përmetit. Disa syresh ishin: Xhmal Dautaj; Thanas Foto; Fore Naqellari; Saliko Capoku; zura shoqëri me skraparliun Ali Hidersha; me leskoviqarët: Foti Vllahu e Panajot Pilani; me vithkuqarët: Aferdita Prifti dhe me të tjerë, të ardhur nga krahina e Mokrës si: Myderis Leka, nga Osnati; Isuf Dita, e Fatri Ibro, nga Trebinja; etj. Shpirt njeriu ishin vëllezërit: Murat e Qerim Muskaj, nga fshati Pirg; të çiltër e të gatshëm për shoqëri ishin devollinjtë, mes të cilëve veçoj: Gëzim Kondon, nga Ceta; Jani Vasilin, nga Grapshi; Urim Spahiun, nga Verleni dhe hocishtarët: Vasil Thimi Taluri - i biri i priftit të Hocishtit e Jorgo Comka. Nga Vishocica erdhi Agim Mullixhiu etj. etj. Disi të veçuar rrinin disa djem që erdhën nga fshatrat e Shulinit (Liqenasit) si Tanë Vangjelovski; Jani Kolevski; Zhivko Pandovski etj. të cilët i bënte të ishin më të rezervuar në shoqëri, mosnjohja si duhet e gjuhës shqipe.
Nxënëset dhe nxënësit që erdhën nga fshatra të rrethit të Kolonjës, në përgjithësi, ishin më të zgjuar e më të shoqërueshëm e besnikë. Kishte në radhët e tyre dhe ndonjë "dede" apo ndonjëri që mbivlerësonte veten. Më "ngjiti" mjaft shoqëria me vajzat kolonjare si Nafize Rustemi e Vasilika Thomai, nga Shtika si dhe u bëra shok, shpejt me Aleks Vangjelin, nga Barmashi, i cili, në klasë, shkruante disa vjersha në formë përrallash. Më tepër se me këdo, shoqëria ime u lidh me Andrea Tanen dhe më pak me Pali Dedon; të dy kolonjarë. Nuk mund të them të njëjtën gjë edhe për shokun tim të klasës Llazi Laka, nga Shtika, i cili ishte fodull.
Djemtë nga Poradeci e njihnin njëri-tjetrin, para se të vinin në Teknikumin Bujqësor. Novruzi, i biri i mësuesit të njohur Qamil Baruti (Starova); Isa Mani; Zihniu i mullixhiut Xhevdet Hoxhallari; dy vëllezërit: Perent e Fatmir Olli etj., ishin me edukatë, mjaft të sjellshëm e të shoqërisë. Të tillë ishin dhe nxënësit që gjetëm në vitin e dytë e të tretë si: bukuroshja Suzane Agolli; Gjoke e Virgjil Jovani; Mendu Kadilli; Ivzi Minxha; Tanush Zgjani etj. Këta, së bashku me djemtë e shkathët të klasës sonë, formonin një ekip futbolli të paparë.
Me ne u bashkuan dhe djem të tjerë me figurë e sjellje të spikatura dhe me intelekt të zhvilluar si Luan Duçe, nga Elbasani; Përparim Kodra, nga Pirgu; Engjellushe Beluli, nga Dishnica; Mehdi Avxhi e Roland Piperi, nga Bulgarci; Pandi Cici e Pandi Gace, nga Drenova; Ali Merolli, nga Liboniku; Vehbi Agolli; Mynever Perroi, nga Vincani etj. Në shkollë, por jo në konvikt ishin dhe disa nxënës nga qyteti i Korçës. Të tillë ishin: Bardhyl Tom. Lubonja; Maksim Tuxhari; Gëzim Kuqo; Vaso Boci; Gjergji Nako; Pandeli Tabaku etj. Këta dhe nxënësit e një viti më parë si Irene Meria e Jovan Kacorri, Agim Ismaili; Gjyle Mullaj; Selaudini nga Babani etj. të cilët, në përgjithësi, ishin më të kulturuar e më të qytetëruar dhe me sjellje mjaft korrekte, jo vetëm që na tërhoqën pas vetes me mënyrën e të mësuarit e me veshjen apo me sjelljen qytetare, por na shërbyen si model.
Më duhet të theksoj se nxënësit e klasave më të larta që gjetëm në shkollë (ishte viti i tretë i funksionimit të teknikumit bujqësor të Korçës), "na morën për dorë" dhe na dëftuan, qytetin e bukur të Korçës me rrethinat e tij, por dhe na mësuan "kodin" e sjelljes qytetare. Nuk më vinte rëndë kur dëgjoja nga goja e tyre fjalën "agallarë" si personifikim i sjelljes së rëndomtë që ishte dukur tek ndonjë shoku ynë me prejardhje nga fshati.
Data 1 shtator e vitit 1955 shënoi nisjen e mësimeve të rregullta, në klasë. Atë ditë kishin mbërritur, thuajse të gjithë nxënësit, jo vetëm të vitit të parë, por dhe të viteve më të larta. Atë ditë na grumbulluan, të rreshtuar në sheshin e vogël që ndante ngrehinën e konviktit me kuzhinën dhe mensën e tij. Na ndanë në klasa e na udhëhoqën për në shkollë, e cila ishte në daljen jugore të qytetit.
Në vitin e tretë të shkollës ishin dy klasa. Njëra syresh, përfshinte nxënësit që mësonin për t’u bërë agronomë të mesëm, kurse në tjetrën, ata që do të mësonin për t’u bërë zooteknikë. Edhe nxënësit e vitit të dytë ishin të ndarë në dy specialitete. Njëra nga klasat ishte me nxënës të degës agronomi; tjetra të zooteknisë. Të njëjtën linjë ndoqi administrata e shkollës edhe për ne që po hynim në vitin e parë të Teknikumit Bujqësor.
Ata që do të përfundonin këtë shkollë, pas katër vitesh, pavarësisht nga specialiteti në të cilin do të diplomoheshin teknikë të mesëm, ishin të llogaritur për të drejtuar aktivitetin përkatës, në kooperativat bujqësore, të cilat ishin formuar e po formoheshin, vrullshëm, në të gjithë vendin. Ata që ishin më me fat ose që kishin tregues cilësorë më të lartë, ose që ishin me mbështetje, mund të zinin vend edhe në ndonjë ndërmarrje bujqësore shtetërore ose në administratë.
Na ndanë nëpër klasa. Në një klasë u caktuan 20 - 25 nxënës. Nuk kisha përkrahje, prandaj, fati apo rastësia më caktoi në degën e zooteknisë. Mbase komisioni që caktoi degët u nis nga fakti se në rrethin e Tepelenës blegtoria ishte njëra nga degët kryesore të ushtrimit të profesionit të zooteknikut dhe me vende pune vakante. Nuk më erdhi keq, fare se, në fund të fundit, bir çobani isha dhe historikisht, familja dhe farefisi im, me blegtori ishin marrë.
Iu binda fatit dhe zgjidhjes që bënë drejtuesit e institucionit mësimor. Profesionin që do të merrja nuk e njihja, por vendimin që më komunikuan, pavarësisht se nuk e prita me shumë entuziazëm, nuk munda ta kundërshtoja.
Arma ime e vetme nuk ishte të bëja qaramanin, por kisha me vete dëshirën e zjarrtë për t’u thelluar në dije dhe kapacitetin e aftësinë për t’u ngjitur në majat e saj. Me besim tek vetja, pranova, pa kundërshtim vendimin e "kompetentëve". Në ditët përgatitore, të cilat i shfrytëzuam për të njohur qytetin dhe njëri-tjetrin, bëra mik një devolli, i cili vinte nga fshati Cete dhe ishte mjaft i çiltër e i gjindur. Ai quhej Gëzim Kondo e m’u gjend pranë gjatë të katër viteve të shkollës. Kisha ardhur në Korçë një javë përpara nisjes së mësimeve dhe pata kohë e mundësi të njihesha me qytetin dhe të pritja rishtarët. E prita kur erdhi, e ndihmova të sistemohej dhe i bëra shoqëri të sinqertë.
Gëzimi ishte më i gjatë se unë, kishte shtat të rregullt e ca flokë të verdhë, të drejtë e të ashpër sikur të ishin tela. Kur qethej, flokët e drejtë e të ashpër, të mbetur të shkurtër nuk i bindeshin gjithmonë dhe shoku im i ri ngjante si cjap. Ai qeshte si guhak e nuk shquhej për mendjemprehtësi; përkundrazi. Në këmbë mbante një palë opinga llastiku, të qepura anash me spango të dyllosur, të cilat kishin një kurriz, si breshkë. Në Korçë, Gëzimi nuk kishte zbritur asnjëherë, madje nuk i kishte kapërcyer kufijtë e fshatit Bozhigrad, nga i cili ishin dajot e tij dhe aty ai kishte kryer shkollën shtatëvjeçare.
Meqenëse kisha ardhur në Korçë, një javë më parë e disa rrugë i kisha mësuar, m’u desh të bëja udhërrëfyesin. E shoqërova në disa dalje të tij në qytet dhe e mbaja afër. Shoku im e kishte të vështirë të ecte normalisht në rrugë dhe nuk bënte dallim midis ecjes në rrugë apo detyrimit për të ecur në trotuar.
Një ditë, Gëzimi pikasi një llustraxhi, në trotuar. Llastiku i opingave të tij kishte ngjyrë të bardhë. "Përse të mos i nxij e të bëhem si shokët?", tha djali nga Ceta dhe u ul në karrigen bosh të llustraxhiut. Ai iu bind vullnetit të Gëzimit dhe ia bëri opingat të zeza "xixe". U nisëm për në konvikt.
Pa mbërritur tek dera e konviktit, opingat e Gëzimit ishin ribërë të bardha. Llastiku i mbulesës së tyre nuk pranonte bojë.
Një ditë tjetër, të dy, kishim dalë në qytet për qejfin tonë. Shoku im relaksohej me bukuritë e qytetit; unë vështroja, me kënaqësi e me vëmendje, çdo gjë. Kaluam bulevardin "Republika" nga fillimi (rruga që të çon në Devoll), tek turizmi i vjetër lamë në të djathtë lulishten me shtatoren e Themistokli Germenjit ku ka qenë biblioteka e qytetit, tek sheshi përpara kinema "Moravës" (korçarët e hershëm e njohin me emrin "Majestik"), lamë librarinë e madhe majtas dhe, për bela në të hyrë të sheshit ku është luftëtari i panjohur, me një histori tejet interesante, pamë një dyqan ku shiteshin mallra ushqimore, nga Eftalia nga Leskoviku dhe në një kënd të tij, shitej akullore, me kaush. Një djalë i ri, po lëpinte akulloren, rreth e qark e ne të dyve, kjo na ngjalli zili. "Ç’bën ai ashtu?", më pyeti shoku im.
"Po ha akullore", i thashë. "Provojmë dhe ne të dy", ia priti Gëzimi! "Paracka kemi, sapo kemi ardhur në Korçë". Nuk ia prisha. Hymë brenda, mbasi ngjitëm 3 - 4 shkallë dhe porositëm akullore me kaush.
Sapo bëmë porosinë e gruaja nisi të mbushte kaushet, shoku im i ri, si me sustë, nxori paratë nga një qese e bardhë që mbante në qafë dhe pagoi, për të dy. E kishte në gjak Gëzimi bujarinë. Shoku im nuk kishte provuar ndonjëherë të hante akullore e nuk dinte si të vepronte. Besoj të keni parë kur ulen, të përzier në një restorant luksoz. Të paparët vështrojnë e imitojnë veprimet e më të provuarve.
Ai u mendua pak, nuk më pyeti, si të vepronte kur nuk dinte si të bënte, siç pyeste përherë, por kësaj here gjeti vetë zgjidhjen. Me kaushe në dorë, dolëm nga dyqani. Shoku im nga fshati e hapi gojën "shpellë", futi në gojë të gjithë akulloren, e i dolën sytë si kokërdhokë. Nxori të ftohtën nga goja dhe e lëshoi në trotuar. Disa kalimtarë të rastit që e pikasën këtë ndodhi aspak të këndshme, kthyen kokat e vunë buzën në gaz.
Me siguri, ata qytetarë me sjellje adekuate, e kuptuan se ne ishim të ardhur e nuk kishim dijeni për akulloren. Pas kësaj ndodhie, miku im, kur donte të shijonte akullore, vështronte ata që kish përqark dhe bënte si ata.
Më datën 1 shtator të vitit 1955, çdo gjë ishte gati e ne, sipas ndarjes në specialitete, hymë në klasë. Mësueset dhe mësuesit të veshur shik, tepke si pe Korçë, me hap të sigurt e me regjistër në dorë, sapo uleshin në karrigen e tyre bënin apelin. Qëllimi i këtij apeli nuk ishte verifikimi i pranisë sonë, por mësimi i emrave e mbiemrave, shqiptimi i tyre, theksi, vendi që duhet të zinim në radhët e bankave, familjarizimi i veshëve me tingujt etj. Nuk mbaj mend me cilën lëndë e nisëm vitin e ri shkollor, por di lëndët që bënim në vitin e parë të shkollës së mesme. Nuk na u nda matematika. Fill pas saj vinin fizika, kimia, letërsia, historia, gjeografia, botanika, zoologjia, anatomia, mikrobiologjia, pedologjia dhe gjithë lëndët e specialitetit të degës që do të ndiqnim.
Na u shpif mikrobiologjia, si lëndë speciale, mjaft e vështirë. Isha i përkushtuar, madje kisha hobi lëndët shoqërore. Më pëlqente shumë letërsia, teksa i mësoja vetëm për hir të një note të mirë lëndët ekzakte (matematikën, fizikën, kiminë etj.). Botanika ishte e lezetshme e plot kuriozitete, por atë e bënte të papreferuar mësuesja e lëndës Klementina Dishnica, një vajzë e rritur, shtatshkurtër e tepër cingune në vlerësim. Ndoshta kësisoj i jepte rëndësi lëndës dhe vetes.
Ajo, me qëndrimin e saj, mendonte të fitonte zemrat e nxënësve, teksa më shumë mbillte frikën tek ne sa nderimin. I paparë ishte mësuesi i fizikës. Ai drejtonte dhe lëndën e matematikës; quhej Kico Metaksa. Një emër korçar dhe mbiemër grek. Kicka ishte rreth 35 vjeç, me shtat mesatar e fytyrë të gjerë, kokëmadh.
Flokët i kishte bojëkafe, me onde; sytë i kishte bojëkafe, si gerdoq. Mësues Kicoja qëndronte në katedër (tavolinë pune e mësuesit) dhe gati e zinte gjumi në karrige e rrezikonte të rrëzohej prej saj. Ai nuk e kishte mendjen fare në mësim, por mbyllte sytë sikur dremiste dhe vazhdimisht përsëriste emrin e një femre, të cilën e kishte dashur marrëzisht, por nuk kishin përfunduar. Kicua, si mësues, shkonte shumë me opinione. Ai kishte formuar një opinion të caktuar për çdo nxënës dhe notat i vinte sipas opinionit vetjak; na paragjykonte.
E kisha bërë zgjedhjen time. Lëndët që drejtonte mësues Kicoja dhe kiminë, të cilën drejtonte mësuesi Niko Xharo, i mësoja për të marrë një notë të mirë dhe kaq. Më brente dhe një dëshirë, nga ato që u thonë: "ëndërr në sirtar". Dëshiroja, medoemos të ndiqja studimet në shkollën e lartë.
Në atë kohë funksiononte rregulli, sipas të cilit, duhet të kishe notë mesatare të lartë, pa të kërkoje të shkoje në shkollë të lartë. Nuk doja ta ulja notën mesatare, prandaj mësoja përmendësh edhe ato lëndë, të cilat nuk më pëlqenin. Me hir apo me pahir, edhe lëndët ekzakte i nxora pesa (theksoj se pesa ishte nota më e lartë). Ku ta dija unë atëherë se pikërisht lëndët ekzakte do të ishin baza e shkencës së aeronautikës, të cilës iu përkushtova disa vite më pas.
Kur zhvilloheshin lënda e letërsisë dhe ato të historisë e të gjeografisë, të cilat i kisha për zemër, bëhesha shend e verë; fluturoja nga gëzimi e nuk kishte njeri të më dilte përpara. Letërsia më tërhiqte shumë e u bë hobi im. Mësuesi i gjuhës shqipe, në shkollën shtatëvjeçare të Tepelenës, libohoviti Bardhyl Joka kishte metodë të mirë, për zhvillimin e lëndës, dhe e bënte tërheqëse atë. Ai, brenda orës së mësimit të gjuhës, linte disa minuta për të na bërë recensionin e librave të rinj që lexonte vetë. Kësisoj, ai na nxiste për të lexuar libra jashtëshkollorë. Ndikim i tij i drejtpërdrejtë, ishte leximi prej meje i librave të parë: Aferdita përsëri në fshat; Përmbysja; Fusha po zgjohet; Udha e Velanit, Keneta, etj. etj.
Përveç kësaj, prirja vetjake drejt letërsisë, ndoshta u bë ajo vatër e ngrohtë që kushtëzoi kanalizimin në fushën e leximit dhe përkushtimin në fushën e të shkruarit. Meritë të veçantë në këtë çështje ka mësuesi i letërsisë në Shkollën e Mesme Bujqësore të Korçës - Kristaq George, i cili kishte pikasur prirjen time dhe më inkurajonte shpesh, në këtë udhë. Kicoja, një metodist i rrallë, më frymëzoi e më mori për dorë, në udhën e bukur të letërsisë. Metoda e tij e punës ishte jo vetëm e larmishme, por kishte brenda krijimtari; ajo ishte një shmangje e përsosur nga rutina. Më kujtohet si, në një hartim, ndryshe nga praktika e zakonshme e dhënies së një teme të caktuar, Mësues Kicoja na dha një temë të lirë.
Ai na tha: "Sot, në hartim, secili të shkruajë, me vërtetësi e me gjuhë të pastër, zakonin e dasmës në fshatin e tij". Tema më pëlqeu se sapo kisha marrë pjesë në një dasmë, ku vajta në këmbë të babait, i cili nuk ndodhej në shtëpi dhe i kisha të freskëta të gjitha ato që ndodhnin në një dasmë fshati. Për herë të parë më jepej mundësia të përshkruaja zakonin e dasmës së fshatit tim, ashtu siç ndodhte në terren. "Më erdhi gjahu në shteg", mendova. Dasma në të cilën mora pjesë, i përkiste dy të rinjve bukuroshë, të cilët kishin përzgjedhur njëri-tjetrin dhe ndjenjat e dashurisë që ushqenin për shoqi-shoqin i kishin shtrirë deri në martesë.
Ishte njëra nga dasmat e para në të cilat dy të rinjtë u lidhën, mbi bazën e dashurisë. U martua Sabri Breshan Bejomalaj (Nelaj), me Hamidene e Qamil Sulo Malaj, njërën nga vajzat më të bukura të fshatit. Hartimi im u vlerësua me notë maksimale dhe u përgjithësua në të gjithë shkollën. U pëlqyen, jo vetëm detajet e dasmës fshatare, të shprehura bukur e me gjuhë të pastër shqipe, në zhargonin e trevës nga kisha ardhur. Këngët e dasmës që përcillnin hartimin ishin origjinale, në tabanin kombëtar.
Në një rast tjetër, mësues Kicka na dha për temë hartimi, përshkrimin e personazhit të Mihail Kutuzovit, dhe të Napoleon Bonapartit, siç përshkruhet në romanin "Lufta dhe Paqja", të shkrimtarit gjenial rus Leon Nikollajevic Tolstoi. Edhe këtë hartim e kisha shkruar mirë, me nota realiste, siç përshkruhet në roman; ai u vlerësua maksimalisht. Në vijim të kësaj metode, hartimin e tretë (gjithnjë në vitin e parë të shkollës), e bëra duke përshkruar plakun Grande, sipas librit me të njëjtin titull të shkrimtarit francez Honore Dë Balzak.
Hartimet cilësore më bënë të njohur në Shkollën e Mesme Bujqësore dhe në rrethet letrare të njohura të qytetit të Korçës. Mund ta them, plot gojën se vitet më të bukura të jetës sime, për shumë arsye, ishin ato që përcolla në Teknikumin Bujqësor "Irakli Terova" të qytetit të Korçës. Padyshim që orët më të këndshme e më të dëshiruara për mua ishin ato që kaloja në Bibliotekën e qytetit të Korçës. Për atë bibliotekë, kanë shkruar, do të shkruajnë, pambarim kujtime e mbresa njerëz të ndryshëm, me prirje për të shkruar, në poezi e në prozë dhe nga ata me vullnet të paparë për t’u thelluar në fushën e bukur të letërsisë. Biblioteka e qytetit nuk ishte ndonjë ngrehinë e lartë që të binte në sy së largu, për madhështinë e saj apo për arkitekturën e pazakontë, e zbukuruar me ornamente të shtrenjta; e pashme nga jashtë.
Përkundrazi, ajo ishte një ndërtim i thjeshtë dykatësh, me çati e me disa mjedise të ngrohta. Bukuria dhe vlera e saj ishin gjetiu: Ajo e kish vlerën tek librat që kish brenda; tek mjedisi i përshtatshëm e i kulturuar për të lexuar dhe tek një metodiste shtatshkurtër e me sytë çakërr, por me kokën plot e shpirt njeriu, me një të folur karakteristike korçare, e cila quhej Kostaqe. Po të ishte në mundësitë e mia, atë njeri, do ta ngjitja në nivelin më të lartë të nderimit e të respektit. Ku ishin mbledhur tek ajo metodiste, gjithë të mirat e njerëzimit dhe të atij profesioni të nderuar. Ngrehina e bibliotekës së qytetit të Korçës ishte dykatëshe (po të llogaritim bodrumin), e mbuluar me çati.
Për të hyrë në mjediset e brendshme të saj duhet të ngjiteshe nëpërmjet disa shkallëve të bardha. Në të dyja anët e shkallëve ishin dy kolona, të bardha prej mermeri. Biblioteka ishte e orientuar nga lindja; në anën e prapmë të lulishtes me emrin e atdhetarit të shquar Themistokli Germenji, për nder të të cilit është vendosur një shtatore në mermer, e cila ndodhet jo më larg se 100 m në veri të kinemasë Majestik (Morava), në gjatësinë e bulevardit "Republika".
Sapo futeshe në godinën e bibliotekës, përpara hapej një holl, në të majtë të të cilit qëndronte metodistja Kostaqe. Nuk e solli rasti të mësoja nëse metodistja ishte beqare, apo nënë me fëmijë. Natyra ime e drojtur e fshatarit nuk ishte në përmasat e atij që pyet e kërkon të dijë shumë. Kjo ka pak rëndësi. Por, në kujtesën time, ajo femër u ul e u gdhend në mënyrë të pashlyeshme.
Do të ishte në nderin tim po të ulesha e të shkruaja për atë njeri me vlera të rralla, e cila ndihej e lumturuar kur u shërbente denjësisht atyre që uleshin në karriget e bibliotekës ku punonte. Kam dëgjuar të thonë se i vogël është floriri, por vlerën e ka të madhe. Edhe metodistja Kostaqe vërtet ishte e pakët nga shtati, por nga mençuria nuk ia dilte njeri. Ata që e kanë njohur ose që kanë pasur fatin e mirë të bashkëpunojnë me të, patjetër kanë përfituar prej mençurisë dhe sjelljes së saj.
Isha pa përvojën e nevojshme si lexues; ca më keq isha në fushën e krijimtarisë. Kostaqja (mbiemrin nuk ia mësova dot), më mori për dorë, e gradualisht më futi në udhën e gjatë të leximit. Në vitet e shkollës shtatëvjeçare, kisha lexuar pak libra jashtëshkollorë. Nuk e kisha informacionin e nevojshëm, as metodën e përshtatshme për të lexuar. Ama vullnetin për të lexuar e kisha timin.
Si të thuash kisha uri për të lexuar dhe një boshllëk që duhej mbushur. Metodistja e zgjuar korçare, një mjeshtre e vërtetë dhe kompetente për të më rekomanduar çfarë të lexoja, më futi në udhë të drejtë, duke kaluar, gradualisht nga letërsia artistike për fëmijët e moshës sime, tek shkrimtarët e mëdhenj klasikë botërorë dhe tek shkrimtarët tanë të shquar. Në atë kohë ishte në modë të lexoje shkrimtarë rusë dhe sovjetikë si Mihail Shollohovi; Vasil Axhejevi; Aleksander Fadejev; Maksim Gorki; Vladimir Majakovski; Leon Nikollajevic Tolstoj; Aleksander Pushkin; Sergej Jesenin; Anton Cehov; Nikollaj Gogol etj. Pastaj më rekomandoi të lexoja kolosët e letërsisë botërore si: Carls Dikens; Valter Skott; Viktor Hygo; Honore Dë Balzak; Miguel Dë Servantes etj.
Me rekomandimin e saj, lexova të shquarit e letërsisë sonë, si: Fan Noli; Naim Frasheri; Ndre Mjeda; Pashko Vasa; Mihal Grameno; Sterjo Spasse; Fatmir Gjata; Zihni Sako; Kole Jakova etj. etj. Për hir të së vërtetës, në ato vite, për t’u quajtur prosovjetik, për hir të lidhjeve politike, ekonomike dhe kulturore të vendit tonë me ish-Bashkimin Sovjetik, tek të rinjtë dhe fëmijët e vendit tonë, prirja kryesore e leximit ishte e orientuar nga letërsia sovjetike. Romanin "Nëna"; "Universitetet e mia"; "Për bukën e gojës" dhe "Si u kalit çeliku"; etj., etj., libra të këtij kalibri, të cilëve u ishte bërë mjaft reklamë, mezi pritnim të na vinte radha për t’i lexuar.
Me qëllim që të mbushja kohën dhe në përshtatje me moshën, metodistja e zgjuar më rekomandoi të lexoja 2 libra, të vegjël. Nuk më kujtohet autori, por mbaj mend mirë titullin e librit të parë që lexova në Bibliotekën e qytetit të Korçës. Ishte një libër me tregime, i cili titullohej: "Përroi i Hekurt". Mjaft i mërzitshëm si libër, i përkthyer keq e me një gjuhë të rëndë. E lexova, nga faqja e parë në të fundit, më tepër për inat sesa nga dëshira.
Inatin e kisha me prapambetjen time dhe me padurimin për të marrë një libër më të mirë. Pas tij, m’u rekomandua të lexoja librat me tregime të titulluar "Tregime nga Bukovina" dhe "Mështekna e Bardhë", të cilët ishin libra "limonate", siç thonë sot, kritikët e letërsisë. Kostoja që pagova fillimisht e dha efektin, më pas. Metodistja, duke parë dëshirën për të lexuar dhe nivelin tim, më orientoi të lexoja, si për të mbushur etapën përgatitore, libra që të mos endesha në detin pafund të literaturës që ishte në qarkullim në ato vite.
Procedura e leximit ishte fare e thjeshtë: Merrja një libër, firmosja në kartelë, zija një vend në sallën e leximit dhe vijoja leximin, disa orë radhazi. Në mjediset e bibliotekës ishte ngrohtë e mund të lexoje pa veshje të rënda mbi supe. Në rrugë ishte acar, por, për fatin tim të mirë, biblioteka nuk ishte shumë larg nga konvikti. Biblioteka kishte ngrohje të përqendruar (me qymyr guri) dhe sistemi i kaldajave siguronte ngrohje në vlera konstante.
Kaloja disa orë në ngrohtësi në ato pasdite të acarta. Të paktën në bibliotekë, kishte ngrohje e nuk ishte si në klasat e ftohta të shkollës apo të konviktit ku gjatë studimit kishim si burim për ngrohje vetëm frymën e njëri-tjetrit. Nëse orët e studimit kolektiv nuk më hynin në punë, kjo lidhej me faktin se lëndët e ditës së nesërme, zakonisht i kapja e i përvetësoja qysh në shpjegimin e mësuesit. Të nesërmen, në ditën e mësimit, me një të lexuar në mëngjes isha i gatshëm për t’u përgjigjur.
Gjatë leximit të librave jashtëshkollorë, në bibliotekën e qytetit, pata fatin e mirë të ndodhesha afër e të frymëzohesha nga modele të shkëlqyera në fushën e leximit. Mbetesha pa mend kur vështroja gjithë ato gra e tërë ata burra, të moshave të ndryshme, të veshur bukur, me petkat më të mira (të paktën kështu më ngjanin), të heshtur e pa bezdisur njeri, me libra nën sqetull, të cilët i sillnin nga shtëpitë e tyre apo i merrnin tek metodistja dhe, në qetësi, zinin një vend në sallë e lexonin për qejfin e tyre. Rrallë më kishin zënë sytë gra të moshuara, të veshura si për festë, me petka të çelura; madje me lule, me ca sheje në qafë, të thurur bukur, me dorë, me fije leshi apo prej mëndafshi, nën jakën prej gëzofi të paltove (mantove) luksoze, të hynin grupe-grupe në sallën e leximit. Në përgjithësi, gratë korçare, sidomos të moshuarat, nisur nga moda, por dhe për shkak të ftomës, në kokë mbanin borsalina, me ornamente. Në fëmijërinë time, i kam respektuar shumë pleqtë dhe plakat; kam qëndruar pranë tyre, i kam parë në dritë të syrit e kam përthithur çdo fjalë që dilte nga goja e tyre. Mirëpo gjyshet dhe plakat e fisit, të cilat ishin boll të zgjuara natyralisht, dinin vetëm të dëftonin përralla, nga ato që më shumë i bëjnë jehonë frikës tek fëmijët sesa kultivimit të burrërisë dhe tipareve të tjera trimërore.
Njëherazi i kisha parë xhixhot dhe gegetë e mia, në Kalivaç e më tej, të veshura kokë e këmbë me të zeza, me fytyra të ashpra e me zotësi burri; që pinin duhan të fortë (nga ai që kërcet kur digjet), pinin raki me dolli dhe bënin muhabet, të ulura në të njëjtin trapez, me burra e si burrat. Ato (ata) që hynin në bibliotekë binin në sy për qetësinë, sjelljen e kulturuar, edukatën e shëndoshë, respektimin e personalitetit të tjetrit etj. Lexueset dhe lexuesit korçarë ishin nga ata njerëz të cilët synonin të akumulonin dije e nuk e harxhonin kohën prapa filxhanit të kafesë apo pas gotës me raki, si dhe nuk përgojonin të tjerët, në biseda kafenesh. Sa do të doja që gjyshet e mia dhe plakat e fisit, t’u ngjanin sadopak atyre grave të sjellshme, të cilat, në faqet e librave rrëmonin e mësonin atë që u nevojitej.
Të gjithë lexonin, në heshtje të plotë; pa i bërë zhurmë njëri-tjetrit. Isha akoma i papjekur e nuk kuptoja si duhet domethënien e kësaj qasjeje. Mirë të rinjtë e të rejat që e kanë të domosdoshme të lexojnë, po këta pleq gërmuqë me ditë të numëruara, përse lexojnë, apo nuk i pranojnë në destinacionin e fundit të paditur e të palecitur?
Tani që kam hyrë në moshën e tretë e kuptoj drejt punën e tyre, por nuk kam mundësi t’u kërkoj falje atyre "ndriçuesve" mendjendritur.
Bëja të habiturin dhe jo pa shkak, kur vija re të ngjitej shkallëve të bibliotekës, i kërrusur, me hap të qetë e të kujdesshëm, me një bastun në dorë, shpesh i shoqëruar nga një mashkull, i cili e ndihmonte të çapitej e të mos rrëshqiste, profesori i njohur Spiro Konda, i cili zinte një vend të qetë e të ngrohtë në një kthinë të posaçme dhe vijonte projektin e tij studimor në fushën e gjuhësisë. Çfarë "gjigandi", çfarë kapaciteti shkencor kam pasur aq pranë e nuk dija shumë gjëra për të, veç e nderoja, për guximin dhe këmbënguljen e tij për të sfiduar dimrin e ftohtë të Korçës dhe moshën e sakrifikonte aq shumë, për të qenë në lartësinë e qëllimit që i kishte vënë vetes. Kam pasur fatin e mirë ta kisha aq pranë e të thithja të njëjtin ajër me të dhe nuk dija kë kisha pranë. Them kështu mbasi, si në atë kohë dhe sot, jam larg së qeni as te maja e thoit të tij, për nga kapaciteti. Herë pas here, shkëputesha nga leximi i librit që kisha përpara dhe ktheja kokën nga kthina ku lexonte profesor Spiroja, dera e kthinës së të cilit qëndronte gjysmë e hapët.
Nga vështrimet tinëz, kisha parë si i shfletonte ai autoritet shkencor disa libra të formatit të madh, të trashë, me disa skema e fotografi brenda, kuptimin e të cilave nuk e kuptoja. Unë dhe mjaft të tjerë lexonim me sy "të lirë"; Profesori lexonte me "sy të armatosur", herë me syze miopie e herë mbante në njërën dorë, një lupë të trashë. Siç mësova më pas, Profesori studionte në fushën e gjenezës së shqiptarëve.
Leximi sistematik e i vëmendshëm i librave jashtëshkollorë krahas punës intensive që bëhej në klasë, më ndihmoi mjaft për pastrimin dhe për pasurimin e të folurës në shqip, më krijoi mundësi të reja për të pastruar nga e folura dialektarizmat dhe fjalët e huaja, më hapi më shumë horizont për botën dhe për jetën, më zhvilloi mendërisht e më krijoi mundësi të shkruaj shkrime cilësore. Mirësia dhe dashamirësia që shpaloste Kostaqja me lexuesit të impononin respekt për të e të detyronin të ishe koherent, si në sjellje dhe në respektimin e afateve.
Në vitin 1956, kur, sapo kisha nisur vitin e dytë të shkollës së mesme, në të gjithë vendin, me qëllim që të stimuloheshin lexuesit, u akordua një distinktiv i bukur, i bardhë, me një libër në qendër të tij, në të cilin shkruhej, me shkronja të dukshme: "Mik i librit". Ky distinktiv ishte konceptuar për t’u vendosur në jakën e xhaketës (palltos), pas të cilës kapej me një tip gjilpëre të madhe, ngjitur pas trupit të "dekoratës". Në fund të vitit 1956, i erdhi radha qytetit të Korçës të pajiste lexuesit e tij më të shquar, me këtë lloj stimuli moral. Ceremonia e nderimit u zhvillua në mjediset e bibliotekës së qytetit. Atë ditë, metodistja Kostaqe, e veshur për festë, fluturonte nga gëzimi.
Po "korrte", në njëfarë mënyre, denjësisht, frytet e punës së saj pasionante. Atë nuk e mbante vendi e lëvizte, sa nga njëri cep i sallës në tjetrin, duke shpërndarë për këdo që ndodhej brenda, buzëqeshje mirësie. Puna e saj plot pasion për të shpërndarë mençurinë që mblonin në brendësi librat, i kishte dhënë frytet. Atë ditë, lexuesve korçarë iu shpërndanë 6 distinktive "Mik i librit". Mes tyre, për habinë time, ishte dhe emri im.
Kjo më habiti e më la pa gojë. Të them të drejtën, nuk e prisja këtë nder. Kisha lexuar mjaft, por jo sa të klasifikohesha në këtë shkallë. Ama qejfi m’u bë shumë e inkurajimi që më dha ky vlerësim ishte i madh. Kuptova se puna çmohet e njeriu i punës vlerësohet.
Për të dorëzuar distinktivin: "Mik i Librit", Ministria e Arsimit kishte deleguar njërin nga drejtuesit e saj, emrin e të cilit, për fat të keq, nuk e kujtoj. Një ceremoni modeste, pa zhurmë e pa bujë, u zhvillua, atë ditë. Kostaqja lexonte emrat dhe mbiemrat e të dekoruarve. I deleguari nga qendra, mbasi i dorëzonte të dekoruarit një tip certifikate, prej kartoni të bardhë, të palosur me dysh, i varte në jakën e palltos (xhaketës), distinktivin, mbajtësja e të cilit ishte si "hu", me majë. Dikush nga ata që u dekoruan, siç duket i parapërgatitur, me fjalë të thjeshta, falënderoi Partinë e Punës dhe udhëheqësin kryesor të saj - Enver Hoxhen, për nderin e madh që po na bënin, me këtë rast.
Me një duartrokitje, frenetike u mbyll kjo ceremoni festive. Nuk mbaj mend të jetë shoqëruar nga ndonjë veprimtari artistike e çfarëdo lloji, kjo ngjarje e rrallë, e cila u krye për herë të parë, në qytetin e Korçës.
Isha konviktor, nga ata pa asnjë kokërr leku në xhep. Sapo përfundoi ceremonia, vrapova në konvikt, shend e verë, me distinktivin e bardhë në jakën e xhaketës që kisha marrë hua nga një shok (nga Reshati i Qamiles) dhe kaloja serbes, por me hap të shpejtë se mos më bëhej vonë për të hyrë në mensë. Sosa në orarin e caktuar për të ngrënë darkë. Më rrethuan shoqet dhe shokët e më "mbytën" me pyetje gjithëfarëshe. Unë, ndoshta jashtë natyrës sime jo mburracake, nuk lija rast pa dalë përpara njerëzve, me qëllim që të bija në sy të tyre, se diçka me rëndësi kishte ndodhur me mua e, tashmë nuk isha më si të tjerët.
Të nesërmen, para se të niste mësimi, në oborrin e shkollës, u përsërit e njëjta tablo: Unë, me distinktivin në gjoks e rreth meje bashkëmoshatarët, me sytë gjithë kuriozitet; disa me xhelozi, më vështronin sikur të isha tjetër njeri. Më i gëzuari e më entuziasti isha unë, protagonisti e, pas meje – mësuesi i letërsisë – Kristaq George, i cili, tek dekorata ime vështronte frytin e punës së tij, si specialist i gjuhës dhe i letërsisë. Marrja e distinktivit "Mik i Librit", i dha një vrull e përmbajtje të re, punës sime në fushën e letrave.
Një natë, mbasi jashtë ishte errësuar e binte një vesë shi, qetësimin e të lexuarit të një libri të Leon Nikollajevic Tolstoit, në sallë, e prishi një krismë e përsëritur në oborr. Me kureshtjen e një fëmije, dola me shpejtësi, për të mësuar çfarë kishte ngjarë. Si unë bënë dhe mjaft lexues të tjerë. Disa lexuese të moshuara, gjithashtu të kuriozuara, shpejtuan e dolën me vështirësi nëpër shkallë dhe sipër një djali të gjatë, të shtrirë përtokë, të cilit i ikte gjaku çurkë, panë një vajzë, e cila, mbasi e kishte qëlluar me dy plumba pistoleti dhe e kish vrarë, i kishte rënë përsipër, e puthte dhe qante. Fjalët e saj i dëgjova qartë.
Ajo, në klithmat e saj të vajtimit, me pendesë i thosh viktimës së pajetë: "Të vrava, Nesti, të vrava që më preftë Perëndia ditën!" Pyeta disa të pranishëm, të cilët i njihnin dhe dinin për marrëdhëniet mes tyre, ata më bënë me dije se vajza kishte ardhur nga Poradeci për t’u hakmarrë ndaj të fejuarit. Ajo kishte qenë e fejuar me djalin, por familja e djalit nuk e donte këtë lidhje. Vajza quhej Marjete dhe e donte shumë djalin, por mes tyre ishin futur të tjerë pengestarë.
Kur ai u lidh me një vajzë tjetër, ajo mori pistoletën e babait, erdhi në Korçë, e ftoi në takim djalin dhe e vrau, për hakmarrje. Marjeta ishte fyer rëndë në ndjenjat e saj të pastra rinore; ajo e donte të tërin për vete Nestin dhe kur kuptoi që e kishte humbur, vendosi të hakmerrej, kështu. Ky ishte takimi i fundit, i saj me Nestin, i cili rezultoi të ishte fatal dhe përfundoi me djalin të vrarë e me vajzën të penduar. Plumbat që i morën jetën djalit dhe lotët e pendesës së vajzës, ishin shfaqje e makabritetit që sundonte në ato vite në marrëdhëniet dashurore dhe në ato martesore. Ngjarja u përhap shpejt në qytetin e Korçës dhe disa ditë, në qytet, nuk dëgjoje bisedë tjetër veç analizës mjerane dhe thashethemnajës që u përhap si epidemi gripi.
Më sipër kam shkruar për lëndën e botanikës, e cila zhvillohej sipas programit mësimor të vitit të parë të teknikumit bujqësor. Këtë lëndë e drejtonte mësuesja kurnace në vlerësimin e nxënësve – Klementina Dishnica. Kur e mendoj me mendje të ftohtë, nga lartësitë e moshës që mbaj mbi supe, i jap të drejtë asaj mësueseje për kërkesën e fortë të llogarisë, e cila, në fund të fundit, ishte legjitime edhe pse disi e rreptë, kur na kërkonte të mësonim përmendësh emrat latinisht të qindra luleve, bimëve, drurëve e gjetheve të tyre në një gjuhë të vdekur. Aq e rreptë ishte ajo femër në kërkesën e llogarisë, sa edhe sot, pas gati 70 vitesh të shkuara, kujtoj emrat shkencorë: "Belis Perenis"; "Matrikaria Kamamila"; "Humulus Lupulus"; "Kastania Sativa" etj., etj. Gjatë një debati që patëm për emrat e bimëve, u habit kunata ime – Teuta, e cila është mësuese biologjie.
Kompetentët e Ministrisë së Arsimit shtruan kërkesën në mënyrë që shkolla jonë të nxirrte specialistë me njohuri nga të gjitha fushat e jetës: si agronomia, zooteknia dhe veterinaria, për rrjedhojë, futën në programin mësimor lëndë të të gjitha këtyre specialiteteve. Lënda e anatomisë dhe e fiziologjisë ishte "bombë". Atë e drejtonte një vajzë e re, e cila pertohej në njërën këmbë dhe ishte e papërvojë në mësimdhënie. Vajza, emri i të cilës nuk më kujtohet, sapo kishte ardhur nga shkolla e lartë. E re në moshë, pa përvojë pune dhe e palidhur, ajo me vështirësi maskonte të metën e saj fizike, gjatë lëvizjeve nëpër boshllëkun midis dy radhëve të bankave.
E kujtoj si skuqej nga turpi, kur ishte e detyruar të shpjegonte organet seksuale të bagëtive dhe orgazmën si aktin kulmor të marrëdhënieve seksuale, e cila, në atë kohë, ishte tabu. Skuqej e ulte kokën. Një devolli, më i madhi në moshë e më i gjati i klasës, i cili quhej T.G., kur mësuesja shpjegonte aktin seksual të bagëtive, duke shfrytëzuar faktin që ulej në bankën e fundit dhe mbetej jashtë vëmendjes së klasës e të mësueses, bënte masturbim.
Nuk ishin vetëm këto që u përmendën lëndë të vështira. Të "tmerrshme" ishin mikrobiologjia, pedologjia, fitoteknia dhe zoologjia. Meqenëse duhet të dinim të mbronim kafshët dhe bimët nga dëmtuesit dhe sëmundjet, një mësues i shkurtër, me syze miopie në sy, na drejtonte lëndën e mikrobiologjisë. Kot e kishim marrë inat mësuesin; ishte lënda e vështirë.
Zhvillonim teori, në klasë, shkonim dhe në thertore, për të bërë praktikën mësimore. Aty pamë, si thereshin, si rripeshin e si copëtoheshin në mënyrë anatomike, derrat dhe lopët. Shumë prej nesh vinin nga fshati, ku kishim parë si bëhej kjo punë dhe nuk na bëri aq përshtypje kur pamë skena horror. Me qëllim që të aftësoheshim në fushën e veterinarisë, disa herë na çuan për të bërë praktikë mësimore, në stacionin e ndërzimit artificial. Atje pamë si bëhej inseminimi natyral, ai artificial dhe si bëhej kastrimi (tredhja) e derrave dhe e mëzateve.
Kastrimi i femrave kryhej nëpërmjet një ndërhyrjeje kirurgjikale të ndërlikuar; skopitja e meshkujve ishte disi më e lehtë e nuk kërkonte ndonjë kualifikim të posaçëm. Mjeku veteriner, me një gërshërë të posaçme në dorë, sipër lëkurës, pa prerje të brendshme, zbulonte damaret e testikujve të kuajve e të demave dhe i priste ato, duke shtrënguar gërshërët. Derrave, ua hiqte fare testikujt e ua hidhte t’i hanin po ata, vetë. Derrat, në këtë rast, ushqeheshin me testikujt e tyre. Mjaft e ngarkuar ishte lënda e zooteknisë.
Nuk na e mbante ta thoshim, ballazi, por ajo lëndë, si mjaft të tjera, kishte shumë ujëra të tepërta, nëpër faqet e librave e të dispensave. Mësuesi i lëndës, elbasanasi - Adem Bilimani, i specializuar në Bullgari, gjë që në atë kohë ngjante rrallë, mundohej ta bënte mësimin sa më të kapshëm, por, gjithsesi lënda kishte shumë ujëra. Na duhej të mësonim përmendësh emrat e kafshëve shtëpiake, karakteristikat dhe përmasat e trupit, ngjyrën, prodhimtarinë, gjeografinë e vendndodhjes etj. informacione, të cilat ishin të dobishme për horizont e kulturë, por që në praktikë nuk i vlenin askujt.
Aq e rëndomtë bëhej kjo punë saqë mësues Ademi, mbasi na e kishte bërë të ditur, na kërkonte t’i thonim emrin e kalit të parë arab me gjak të pastër, më të shpejtit të kohës, karakteristikat e jashtme dhe të dhënat trupore të tij, deri tek oazi ku pinte ujë, në shkretëtirën ku rrugëtonte. Kështu dhe për racat e lopëve, Valdostane; Hollmogore; Hollandeze; e kuqja e Stepes; Xhersej; Gernsej; etj. Na duhej të mbanim mend edhe llojet e qeve e të buajve ku, interesantë e të padëgjuar ishin qetë trupmëdhenj të racës Mareman të cilët i ndeshim më shpesh në hapësirën hungareze dhe që janë të destinuar për të tërhequr qerre e plugje; madje dhe gomarët e Katalonjës e ata Martino Frengo. Racat e dhenve ishin me interes praktik, për arsye se vendi dhe treva nga vija mbarështonin shumë bagëti të imëta. Më në zë, në ato vite ishin delet e Dagestanit, raca e dhenve merinos e rude; cigaja; etj. etj. Siç mund të bjerë në sy, ndikimi lindor e në veçanti ai sovjetik, si gjithandej, ishte i dukshëm dhe në çështjen e mbarështimit të bagëtive të imëta, gjedheve, njëthundrakëve e kafshëve të tjera. Disa të dhëna të parëndësishme e ngarkonin lëndën, kot.
Se kujt i duheshin derrat e racës Yorkshear e Berkshear, vetëm propagandistët e zellshëm e partiakët symbyllur që "bënin tifo" për padronët sovjetikë e dinin verbërisht e në konformizëm të plotë diferencën e vërtetë të vlerave racore me ndryshimet mes mënyrës së mbarështimit lindor nga ai perëndimor. Ndryshimi sasior e ai cilësor mes tyre është i ndjeshëm edhe sot. Nëse një lopë holandeze jep rreth 20 litra qumësht në 24 orë; ajo e Kuqe e Stepes, zor se kap 10 litra. Është e vërtetë se një lopë që të jep 20 litra qumësht kërkon të hajë shumë masë të gjelbër dhe tagji, sepse, siç ka thënë një akademik sovjetik: "Lopa milet nga goja", por ajo ta shpërblen mundin. Është e vërtetë se ndonjëra nga racat e lopëve që vinte nga Lindja, u përshtat më lehtë me kushtet e vendit tonë dhe zëvendësoi racën e lopëve "shqirake" që mbarështonim ne.
Çështje me vete dhe mjaft e ndërlikuar ishte mësimi i frutave të llojeve të ndryshme, perimeve, drithërave të bukës etj. të cilave duhet t’u dinim emrat, sipas varieteteve dhe karakteristikat dalluese. Në atë kohë (periudhë kohore), nga mollët, më të preferuara e në modë ishin ato me emrin Starking; ato që njerëzit i thërrisnin me emrin: Karapashka; Rënë Dë Kanada; Renete Orion; Bel fiore; Kalvila e Kuqe etj. Pa lëre që duhet të dinim dhe varietetet "elitë" të rrushit si: Afez Ali; Moskat i Hamburgut; Moskat i Aleksandrisë; Shesh i Bardhë e Shesh i zi; Pamid e ca të tjerë, të cilët nuk i mbaj mend.
Lëndë e vështirë, të cilën nuk e doja fare, ishte ajo e Mekanikës Bujqësore. Edhe pse mësuesi i lëndës ishte një korçar me tipare bionde, i gjatë e nevrik, i cili ishte kompetent e mundohej të na e bënte mësimin sa më të kapshëm, mua, kjo lëndë nuk më tërhiqte. Pas tij erdhi mësuesi Thoma Vesho, i cili, sapo kishte lënë bankat e universitetit të Tiranës dhe kur shpjegonte mësimin, skuqej nga turpi, deri tek veshët. E kishte nga sikleti apo nga disniveli i zotërimit të lëndës, këtë nuk e kuptova asnjëherë. Më kot e mora inat mësuesin e fitoteknisë – Stavri Xharo.
Ai ishte kapacitet shkencor dhe e trajtonte mirë çdo mësim e ishte korrekt. Nuk e kisha me mësuesin, por me lëndën.
Interesant ishte raporti që krijonte me nxënësit, mësuesi i Zooteknisë, tiranasi - Reshat Maci. Ai ishte pak "i leshtë" në qëndrim; vuante nga militantizmi. Shtatin dhe kokën i kishte kaba. Mësues Reshati "vdiste", për t’i dhënë çdo mësimi ngjyrë politike. Bashkimi Sovjetik ishte idhulli i tij dhe çdo gjë që e kishte origjinën nga ai vend ishte më e mira në botë.
Shoku im i klasës, i prapi - Saliko Capoku, nga fshati Suke i krahinës së Dëshnicës, një fishkaraq kokëthatë, nuk mësonte fare, në lëndën e Zoologjisë, që drejtonte mësues Reshat Maci, por vlerësohej vazhdimisht më lart nga ata që "nxirrnin sytë" e "thartonin trutë" mbi libra. Politika "çante" e mbulonte çdo cen që kish shoku ynë Saliko Capoku. Salikoja ia kishte marrë dorën kësaj pune. Ai, sidomos në detyrat e klasës me shkrim, vetëm nxinte faqet me zhgarravina ku shkruante: "Në Bashkimin Sovjetik përdoren metoda të përparuara, stakanoviste dhe arriheshin rezultate shumë të larta, në të gjitha fushat…". Sapo dëgjonte apo lexonte hyrjen politike të lëndës, mësues Reshati ia kishte vendosur pesën (notën më të lartë), shokut tim dhe të dy mbeteshin të kënaqur.
Vetëm ne që e dëgjonim Salikon dhe ishim të pranishëm në atë lloj "korrupsioni", habiteshim e mbeteshim pa fjalë.
Në dy vitet e para të shkollës së mesme, ndërmjet mjediseve të konviktit ku banonim dhe atyre të shkollës, ku mësonim, ishte një distancë goxha e gjatë (rruga vazhdonte rreth 10 minuta në këmbë), se për transport urban udhëtarësh, në atë kohë, as që bëhej fjalë. Në shkollë, kryenim vetëm orët e mësimit; studimin për të nesërmen dhe jetesën i përcillnim në konvikt. Pas konsumimit të vaktit të drekës, derisa të futeshim për të studiuar, sipas orarit të ditës pasardhëse, kishim një orë kohë, "të lirë".
Gjatë kësaj kohe mund të luanim me top, sipas klasave. Futbolli ishte lodra jonë më e pëlqyer. Mirëpo kishim një pengesë serioze: Midis mensës dhe konviktit ishte vetëm një fushë, me përmasa të kufizuara, e shtruar me pluhur qymyri të djegur dhe e rrethuar nga një mur i lartë rreth 3 m, i mbuluar me tjegulla. Diku afër mesit të fushës ishte një çezmë, e cila gjendej nën sipërfaqen e fushës; për të pirë ujë duhet të zbrisje 3 - 4 shkallë. Duhet të ruheshim se mos binim në gropë gjatë lodrës, gjë që praktikisht ishte thuajse e pamundur.
Një rregull i pashkruar, por i njohur e i pranuar nga të gjithë nxënësit dhe mësuesit, ishte: Kush zinte i pari fushën, klasa e tij do të luante futboll atë orë. Klasa ku bëja pjesë ishte me fat. Portieri ynë, poradecari Novruz Baruti (Starova), i biri i mësuesit të vjetër poradecar, Qamil Baruti (Starova), i cili e kishte shtëpinë buzë gjolit, ushqehej çuditërisht shumë shpejt. Nunushi (kështu i thonim me përkëdheli), nuk ulej fare në tavolinën e ngrënies, por hante në këmbë dhe, më parë dilte nga mensa sesa futej në të. Nunushi ishte mjaft elegant, i zgjuar e i shkathët e me reflekse të forta, si portier.
Asokohe, portën e "Dinamos" e të kombëtares e mbronte i talentuari Qemal Vogli. Nunushi priste mirë dhe ishte guximtar. Ai fluturonte, në portë dhe ne e thërrisnim me nofkën "Qemal Vogli". Nunushi hante drekë shpejt e shpejt, merrte në dorë një top llastiku e zinte fushën e vetme të futbollit. Ai, derisa të dilnim ne, shokët e klasës së tij, luante vetëm, duke përplasur topin përtokë dhe e priste, po vetë. Kur dilnim ne nga mensa, fushën e kishim të zënë e niste loja. "Zotër" të fushës ishim ne, klasa jonë; ne kishim të drejtë të zgjidhnim klasën që do të kishim kundërshtare. Kolegët e klasave që mbeteshin në "të thatë" na vështronin me zili.
Rolet në skuadër ishin të ndara. Më mirë luanin futboll, shokët tanë: Xhemal Dauti, nga Përmeti; Luan Duçe, nga Elbasani; Fatmir Olli e Novruz Baruti (Starova), nga Poradeci; Maksim Tuxhari e Pandeli Tabaku, pe Korçë; Andrea Tanë, nga Kolonja; Përparim Kodra, nga Pirgu e të tjerë. Urim Spahiu, nga Verleni, kishte qejf të luante, por më tepër ishte lojtar rezervë e qëndronte prapa portës. Për të plotësuar numrin, kur skuadra jonë ishte mangut në numër, Urimin rrondokop e futnin në lojë, por e aktivizonin të luante në sulm, atje ku nuk prishte punë dhe, ne, shokët e tij i thonim me shaka: "Ti je si Gaqo Strati i cili kishte nofkën Gaqke Batallovina". Ky Gaqo Batallovina (futbollist i ekipit të Korçës), nuk shënonte dot gol edhe në zonën e portierit, por gjuante mbi shtyllë; ama, kur ia tërsëllente mirë, shënonte gol, nga 20 e më tepër metra. Mua, si i ngathët që isha në futboll, më linin gardian në portë e unë shtrihesha mbasi topi kalonte vijën fatale. Me shaka e për të qeshur, më kishin vënë nofkën "Esat Beliu", duke stigmatizuar portierin rezervë të ekipit të "Dinamos" të Tiranës.
Në atë moshë, që të hiqesha i informuar e "djalkë trendi", kisha mësuar e pëlqeja disa ekipe nga ato më në zë, të disa vendeve të Amerikës Latine. Simpatizoja ekipin e Bolivisë edhe pse ai nuk kishte ndonjë futboll cilësor dhe atë të Brazilit, kur me përfaqësuesen e këtij vendi luante i madhi Pelë. Kur luanim futboll me klasa të tjera, Luan Ducja dhe Xhemal Dauti, të cilët luanin më mirë se ne të tjerët, na bërtisnin, me nervozizëm: "Përse nuk ma pasove mua?" "Përse nuk shënove?" etj. Nuk sillej kështu Maksim Tuxhari, i biri i Aliqemalit, i cili, si pinjoll i një familjeje të njohur, ishte shumë me edukatë e luante futboll, pastër e bukur. Ai, në moshën 17-vjeçare, nisi të luante me ekipin e të rriturve të Korçës dhe i zuri vendin legjendarit Xhuvi Mborja në pozicionin e centerforit (qendërsulmuesit). Edhe pas përfundimit të Teknikumit Bujqësor të Korçës, në degën e Frutikulturës dhe diplomimit si teknik i mesëm për fruta, Maksi nuk e ushtroi këtë profesion, por luajti futboll mjaft gjatë, me ekipin e "Skënderbeut"; nuk vazhdoi as shkollë të lartë, edhe pse ishte mjaft i zgjuar. Nga nxënësit që gjetëm në teknikum, poradecari me origjinë nga Libohova e Gjirokastrës Hivzi Minxha, nxënës i vitit të tretë në degën e agronomisë, luante futboll cilësor, me ekipin e "Spartakut" të Korçës dhe me ekipe të tjera të trevës.
Në vitet ’50 të shekullit të shkuar e më pas, "Skënderbeu" ishte në treshen e parë të klasifikimit në kategorinë e parë të futbollit shqiptar. Ne, adoleshentët amatorë të futbollit të asaj kohe, shkonim për të parë ndeshjet e ekipit vendas dhe futbollistët e zemrës, të ekipeve të tjera. Mua më pëlqente të shijoja lojën e bukur të "Dinamos" të Tiranës, ku luanin futbollistë cilësorë si Shyqyri Rreli; Leonidha Dashi; Qamil Halluni; Xhevdet Shaqiri; Muhamet Vila; Eqerem Tallushi; Abdullah Duma; Skender Jareci; Stavri Lubonja; Skender Begeja etj. Më tërhiqte loja e qetë dhe teknike e saj dhe "vdisja" për uniformën e bukur sportive që mbanin lojtarët. Tek ekipi i "Partizanit" më pëlqente loja e vrullshme dhe disa futbollistë të spikatur si: Fatbardh Deliallisi; Mico Papadhopulli; Mico Ndini; Gani Merja; Sulejman Maliqati; Refik Resmja; Roza Haxhiu; Lin Shllaku; Simon Deda etj.
Fusha e Korçës, ku luhej futboll tradicional, ishte diku në fund të bulevardit "Republika" rreth 100 m në veri të vendit ku sot bëhet pelegrinazh, në kujtim të "Lëndinës së lotëve". Fusha e "sportit" (lexo futbollit) ishte një shesh, i rrafshuar, i shtruar me tepri me qymyr të djegur, të përzier me baltë. Në stinën me reshje, fusha ku luhej futboll kthehej në një baltovinë ku mezi lëvizte topi. Fusha ku luhej futboll ishte e rrethuar nga tela me gjemba dhe ruhej nga policë, të cilët mbanin në këmbë çisme. Të shumtët kishin ardhur nga fshati dhe djemkat vendas u thërrisnin: "sheme".
Atyre u vinte inat e rendnin pas djemve tifozë, duke u shmangur nga ruajtja e rendit në "stadium". Futbollistët korçarë, në veçanti mbrojtësit dhe ata të mesit të fushës ishin trupmëdhenj (përjashtuar Rrapon dhe Ridvanin) e të fuqishëm dhe, në përplasjet me kundërshtarin, dilnin fitimtarë. Ata ishin të aklimatizuar me klimën vendase dhe me terrenin ku luanin e parapëlqenin të luanin në baltë.
Ekipi i futbollit të "Skënderbeut" të Korçës, në ato vite përbëhej nga 11 futbollistë simpatikë, në përbërje të të cilit ishin:
Mihallaqi, të cilit, rëndom, i thërrisnim – Laci. Pas tij, portën e mbrojti biondi nga Durrësi, shtatlarti – Raqi Pisku.
Trajan Veriga, trupmadh, i fuqishëm dhe me pamje serioze.
Peco Mile, qendërmbrojtës i sigurt; gjuante fort goditjet standarde, trondiste shtyllën transversale dhe shënonte.
Stavri Tole, pas tij, në atë vend luajti Maqo Profdani, mësuesi dhe shoku im.
Rrapo Sholla - i paktë nga trupi, por muskuloz e tepër rezistent, me shpirt të paepur, luante futboll në baltovinë si të ishte bulldozer;
Ridvan Coshli; energjik dhe rezistent, luante fort, por ndërhynte pastër;
Zeni Cela - një imcak, shumë teknik e i shpejtë; truri i ekipit;
Gaqo Strati me nofkë: "Gaqo Batallovina" - futbollist i të papriturave;
Xhuvi Mborja – futbollist shtatlartë, kaçurrel, shumë i qetë; rëndom i thonin: "Mbret i ajrit" ngaqë luante bukur me kokë. Vendin e tij, më pas, zuri Maksim Aliqemal Tuxhari;
Stavri Lubonja me nofkë: "Stavri Hungarezi". Pas largimit të tij tek "Dinamo", në vend të tij luajti Kosta Koca, një futbollist mjaft i shpejtë e inatçor;
Gaqo Lara, shtatlartë, bukurosh, mjaft i fuqishëm e i shpejtë, godiste fort e shënonte; u bë futbollist i "Partizanit" e i kombëtares.
Ekipi kishte dhe futbollistë të tjerë si vëllezërit Zhani e Aleko Pilika e të tjerë. Siç thonin, në historinë e futbollit korçar, rol të madh kanë luajtur veteranët; Tato Bimbli; Pilocja e të tjerë, të cilët nuk i kam parë në fushën e lojës.
Në hyrje të fushës së futbollit ishin dhomat e zhveshjes së lojtarëve dhe një tip tribune me rreth dhjetë shkallë druri. Sportdashësit e shumtë dhe, duhet theksuar, mjaft të zjarrtë, qëndronin të shumtën e herës, në këmbë, rreth fushës. Në "tribunë", e cila nuk ishte e mbuluar, uleshin, zakonisht titullarët dhe funksionarët e lartë të qytetit e të trevës. Kisha parë dhe disa të moshuar, të ulur në tribunë, të cilët ishin veteranë, të cilët i kishin dhënë shumë sportit korçar ose nga ata me pozitë të lartë shoqërore. Në këtë palo fushë, kam pasur fatin të "shijoj" lodrat e bukura e të pabukura të të gjitha ekipeve shqiptare të kategorisë së parë. Interesante ishte lodra e "Partizanit"; "Dinamos të Tiranës"; "Punës së Tiranës"; "Kombinatit të tekstileve"; "Punës së Shkodrës"; "Luftëtarit" të Shkollës së Bashkuar; "Punës së Vlorës"; "Labinotit"; "Luftëtarit" të Gjirokastrës; "Punës" të Kavajës; "Lokomotivës" të Durrësit etj.
Sa i përket vlerave individuale të futbollistëve, në opinionin tim minor, portieri Raqi Pisku, një durrsak i gjatë, biond, me flokë dredha-dredha e me sy bojëqielli, priste më mirë, sidomos kur kundërshtari gjuante në gjysmë lartësie dhe topat lart, se paraardhësi i tij – Mihallaqi (Laci). Centerbeku Peco Mile, një trupmadh, i shëndoshë, ishte mjaft i fuqishëm e përplasej me sulmuesit e kundërshtarit. Ai gjuante fort dhe kishte precizion në gjuajtje. Goditjet standarde të tij, në zonën e 20 metrave, shpesh shkaktonin tension dhe frikë tek kundërshtari, mbasi ai godiste fort, transversën dhe shënonte. Alfi Rrapo Sholla luante më shumë me shpirt sesa me fizikun e tij dhe me teknikë.
Trajneri i ekipit – Pilocja, kur donte të bllokonte ndonjë kundërshtar të rrezikshëm, i "ngjiste pullë poste" Rrapon e ai e bënte zap. Në rastet kur sportdashësit bërtisnin: "Denju, Rrapo!" e Rrapoja i futej kundërshtarit, duke i marrë topin apo tok me të edhe këmbën, të bërtiturat në stadium ishin frenetike. Zeni Cela, më trupvogli i ekipit, luante në sulm dhe mbante numrin 7. Ai ishte mjaft i shkathët e i shpejtë, driblonte bukur dhe rrëshqiste, si ngjalë, nëpër shalët e kundërshtarëve shtatlartë. Me numër 8 në shpinë luante Gaqo Strati (Batallovina). Mbiemrin nofkë që i kishin vënë sportdashësit e kishte hak se në lojë, bënte të pabëra. Në qendër të sulmit luante një djalë i gjatë, i qetë e i saktë, me flokë gështenjë, me onde, të cilin e quanin Xhuvi Mborja. Ai përdorte mjaft mirë kokën dhe shënonte shpesh. Korçarët e krahasonin me qendërsulmuesin hungarez – Nandor Hidegkuti, i cili ishte cilësuar: "Mbret i ajrit". Kur qendërmbrojtësi Peco Mile u largua nga futbolli, vendin e tij, në qendër të mbrojtjes, e zuri Xhuvi, i cili, në këtë pozicion pati jetë të gjatë.
Gjysmësulmues i majtë ishte Kosta Koca. Ky Kosta ishte mëngjarash, i shpejtë e pozicional. Ai zëvendësoi në këtë pozicion Stavri Lubonjen, të cilin e thërrisnin, me qesëndi - Stavri Hungarezi, meqenëse kishte studiuar në Hungari. Stavri ishte mjaft elegant, luante futboll të pastër e korrekt dhe kishte të ramë mjaft të fortë me këmbën e majtë. E kam parë në një takim, në Korçë, kur luante me "Dinamon", tek shënoi një gol, me një të goditur të fortë, shtruar, nga distancë rreth 30 m.
Gaqo Lara ishte goxha djalë; shtatlartë e me trup atleti; i shpejtë, i shkathët, i fuqishëm, guximtar dhe shënonte. Ai, më pas, kaloi me "Partizanin"; luante dhe me kombëtaren e futbollit.
Në futboll, simpatizoja ekipin e "Dinamos" të Tiranës, për lojën e bukur të qetë dhe për paraqitjen dinjitoze të ekipit, me rregull e me disiplinë të pëlqyeshme. Kur luante në Korçë "Dinamoja", fluturoja nga gëzimi. Më tërhiqte loja elegante dhe korrekte e qendërmbrojtësit Shyqyri Rreli; mbrojtësit të djathtë – Leonidha Dashi; mbrojtësit të majtë – Qamil Alluni; dy alfeve: Xhevdet Shaqiri e Muhamet Vila, ekstremit të djathtë Eqerem Tallushi dhe Abdullah Dumes, loja e "dhelprës" – Skender Jareci, në mes të fushës, sidomos rovejshatat e tij; loja e fortë e strategut Zihni Gjinali, loja e shpejtë dhe zhdërvjelltësia e Skender Begese etj. Një nga simpatitë e mia të asaj kohe ishte ekipi i "Punës së Vlorës". Mbase ndikonte krahinarizmi. Pëlqeja, në veçanti portierin Milto Mina; mesfushorin legjendë Babace Ferko; sulmuesit: Pompeu e Gjyli etj. Ky Dhimiter Gjyli (biondi pa flokë), luante me top, mbi vijën anësore të fushës, vraponte, me top, pa dalë jashtë saj. Në një rast, kur erdhën vlonjatët, në Korçë, për të luajtur futboll, vajta tek futbollistët e u rrëfeva formacionin e korçarëve dhe i porosita të mbulojnë me kujdes Zenin, i cili është mjaft i shkathët e i papërmbajtshëm me driblimet e tij.
Në ato vite, në qytetin e Korçës, përveç futbollit, një ekip simpatik meshkujsh dhe një tjetër femrash luanin basketboll të kohës. Në krye të basketbollistëve meshkuj ishte Ila Teneqexhi. Fuqishëm luante dhe Ferdinand Qirici me atë shtat të gjatë e tërë muskuj; Ptolemeu i Ballkameneve e ndonjë tjetër. Në ekipin e femrave të basketbollit, qytetin e Korçës e nderonte një bukuroshe me shtat lastar, të cilën e quanin Irene dhe ishte motër e Ptoleme Ballkamenit.
Në vitin 1957, në Korçë, erdhi për të luajtur basketboll një ekip vajzash nga Gjeorgjia. Ato ishin si njëra-tjetra: të gjata, të drejta si lastar, të shkathëta dhe luanin sa në mbrojtje dhe në sulm. Vajzat nga vendi mik fituan, me rezultat të thellë. Më lanë mbresa bukuria e rrallë e tyre dhe thjeshtësia në marrëdhënie me sportdashësit. Vajzat nga Gjeorgjia ishin brune; njëra më e bukur se tjetra.
Në pushim të ndeshjes, ose para se të niste takimi, si në basketboll, në volejboll, madje dhe në futboll, fushën e zotëronte një djalë, me sa kujtoj adoleshent, i cili quhej Pandi. Sapo shfaqej në fushën e lojës Pandi, i veshur me kostum sportiv si të ekipit vendas dhe në përshtatje me llojin e sportit që do të luhej, dhe, i vetëm në fushë, përplaste disa herë topin përtokë ose gjuante në kosh, sportdashësit shpërthenin në ovacione dhe bërtisnin: "Pandu – Pandu" etj. Kësisoj, koha midis dy pjesëve të lojës, kthehej në një minikoncert dhe sportdashësit, të ulur në ca shkallë druri rreth fushës së lojërave me dorë, argëtoheshin, pa masë.
Të paharruara mbeten për mua orët që përcillja në palestrën mjerane të qytetit të Korçës, në vitet e adoleshencës sime. Në Korçë, siç dihet, dimri është i ashpër. Në vitet për të cilat bëhet fjalë (1956-1959), ishte privilegj dhe kënaqësi të gjeje një vend ku të futje kokën; në dimër. Nëse mund të bëj një krahasim të rëndomtë, ne, konviktorët, ngjanim me harabelat, të cilët, për t’u mbrojtur nga era dhe nga ftoma, strukeshin rrëzave. Po për ata që kishin pasion ndonjë lloj sporti, i cili nuk mund të zhvillohej në natyrë, kjo mbrojtje merrte një kuptim përcaktues.
Në vitin 1957, u aktivizova në ekipin e mundjes së të rinjve të qytetit të Korçës. Kësisoj m’u dha mundësia të zhvilloja stërvitjen (krosin) në natyrën e bukur të kodrave që rrethojnë qytetin e Korçës, e cila bëhej fantastike kur sipërfaqen e tokës e mbulonte bora. Trajneri ynë, djaloshi korçar, simpatiku Mishel Qipo, i cili ishte shkolluar si mundës në Hungari, na bënte kros, 4 - 5 km, rreth kodrave dhe pastaj, drejtonte përgatitjen speciale (mundjen) në palestrën e qytetit. Misheli (Mishka) ishte i ri, energjik dhe e kishte me shumë pasion trajnimin e mundësve të rinj.
Duhen harxhuar faqe të tëra e duhet derdhur mjaft bojë për të përshkruar gjendjen mjerane të asaj palestre primitive, e cila na dhuronte ngrohtësi dhe ku pinim ndonjë kupë çaj të ngrohtë. Palestra ishte një tip depoje, e zgjatur, si kazermë ushtarësh, njëkatëshe, me tarracë, me një seksion, e cila ngrohej nga një sobë (por) me dru prej të moshuarit Rafail Dishnica, i cili i kishte sjellë shumë lavdi sportit korçar, në veçanti boksit. Korçarët e moshuar rrëfenin se Rafail Dishnica, në vitet ’30 të shekullit të kaluar, punonte dhe jetonte, në emigracion ekonomik, në Argjentinën e largët, përtej Oqeanit Atlantik. Thonë se Rafaili krahas punës së rëndë që bënte, kishte pasion boksimin dhe kishte arritur të ishte boksier kualitativ, kampion i vendit ku jetonte (Argjentinës). Rafaili, në rininë e tij, u formua si boksier i talentuar e cilësor.
Ai ishte shok i ngushtë me boksierin tjetër shqiptar Ali Kastrati. Të dyve u vinte keq që në Shqipërinë e tyre të dashur, edhe pse mjaft të rinj ishin të pasionuar pas boksimit, nuk kishte një federatë boksi, e cila të menaxhonte pasionin e tyre për boksin.
Të dy shokët e ngushtë: Rafail Dishnica dhe Ali Kastrati kishin informacion se në Ballkan kishte dalë një boksier bullgar, i cili tundej e shkundej e deklaronte se ishte kampion i vendit të tij dhe se në Ballkan nuk mund të ngjitej njeri në ring që të matej me të. U hipi në kokë dy shqipove atdhetare të cilët i kishte çuar aq larg halli, të cilët, përveç mallit që kishin për të tyret dhe për Atdheun, kishin dhe inatin e bullgarit dhe një ditë të bukur i hipën anijes oqeanike dhe mbërritën në Shqipëri. Mbasi themeluan Federatën Shqiptare të boksit (bëhet fjalë për vitet ’30 të shekullit të shkuar), Rafail Dishnica i kërkoi ndeshje bullgarit mburravec dhe e mundi atë. Që atë ditë, Rafail Dishnica u njoh si kampion i boksit në Ballkan, në peshën e tij.
Për të nderuar figurën e tij të ndritur dhe për të ndihmuar sadopak, Rafailin hallexhi e të rënë nga vakti, forma dhe fuqitë e të cilit tashmë ishin tjetërsuar, pushteti vendor i Korçës e kishte caktuar atë të kujdesej për palestrën mjerane të qytetit, ku merrte një pagë, sa për të mbajtur frymën. Rafaili kishte dy djem (këta njihja unë): Dhorin dhe Ilijan. Ata, të dy stërviteshin në rrethin e boksimit dhe mbanin mbiemrin Gernjoti. Dhori ishte i shkurtër e tepër energjik (disi i ashpër në boksim), kurse Ilija ishte i gjatë, i qetë, me krahë të gjatë, me flokë të drejtë e të lëpirë; ai boksonte pastër e ishte pozicional. Rafaili dëshironte shumë që boksin, dashurinë e parë të tij dhe pasionin e jetës t’ua linte trashëgim djemve të tij.
Dhori u bë boksier me emër dhe arriti t’i dalë në ring e të mundë kampionin e vendit - Todi Jankun me famë. Papjekuria dhe padrejtësitë që iu bënë, e detyruan Dhorin adoleshent, i cili, i dhënë tërësisht pas boksimit, ra në mësime. Kishte dëgjuar adoleshenti Dhori se në botën tjetër (në vendet perëndimore) jetohej më mirë e sportistët paguheshin më mirë, ndaj, një ditë vendosi të kalojë në mënyrë të paligjshme kufirin, por ra pre e forcave që e ruanin atë; ku u kap dhe vuajti disa vite izolim. Vuajti në burgjet e diktaturës Dhori Gernjoti, për gati 20 vjet dhe doli prej andej, i plakur, i dobësuar e i rrënuar fizikisht e moralisht. Ilija, vëllai i tij i madh, i cili kishte prirje për të studiuar, mbasi përfundoi gjimnazin, në Korçë, vajti në Kinë, ku mësoi farmacinë.
Rafail Dishnicën nuk e kam parë në ring, duke boksuar, por e kam njohur së afërmi dhe kam përftuar nga përvoja e tij si boksier cilësor, si prind i kujdesshëm dhe si menaxher i dhembshur për gjënë e shtetit dhe për ecurinë e rretheve sportive që ushtroheshin në palestrën e vjetër, pranë Mitropolisë së qytetit. Në të njëjtën palestër, sa kujtoj, stërviteshin: gjimnastët; mundësit; boksierët; shtangistët; basketbollistët dhe volejbollistët. Llojet e shumta të sportistëve që stërviteshin në atë palestër, me qëllim që të mos kishte përplasje mes ekipeve, alternoheshin në orare. Në ekipin ku bëja pjesë (në mundje), stërviteshim së bashku; ekipi i të rinjve dhe ai i të rriturve. Trajner kishim Mishel Qipon dhe përgjegjës ekipi kishim Rrapi Mborjen dhe kapiten ekipi, një gorar, i cili quhej Përparim Cenko.
Rafaili na jepte këshilla me vlerë, si prind e si kujdestar, si të ruheshim nga ftoma. Pas stërvitjes xha Rafaili na servirte një sapllak me çaj të ngrohtë, të cilin e ziente në një sobë me dru (por), në një qoshe të palestrës.
Në palestër, nuk kishte dush. Pas stërvitjes, në të cilën bëheshim me djersë; ashtu siç ishim të ngrohtë, dilnim në rrugicat e akullta të qytetit. Për këtë na shërbenin mjaft këshillat atërore të Rafailit, të cilat ai i shoqëronte edhe me interesimin pranë konviktit ku strehoheshim, së paku, nëse mbërritëm shëndoshë e mirë. Boksi më pëlqente e doja të boksoja, por njëra nga vazat e kanalit të majtë të hundës sime ishte më e dobët dhe më rastiste të rridhte gjak, prej saj edhe në gjendje qetësie. Kisha provuar të boksoja dhe me Dhorin e Rafailit, por ai ishte tepër i egër e më godiste papushim.
Krahasimet dhe paralelizmat nuk ngjitin gjithmonë, por, për mendimin tim, boksimi i Dhori Gernjotit i ngjante atij të Tajsonit të kohëve moderne. Pas praktikimit të mundjes, stërvitja ime në palestër nuk përfundonte. Kur kolegët e mi të mundjes dilnin nga palestra dhe trajneri Mishke Qipo shkonte në shtëpi, unë qëndroja pranë porit të nxehtë, së bashku me xha Rafailin e vazhdoja prirjen time të preferuar – shtangën, e cila në atë orë ishte e lirë; unë mund të merresha me të. Jo për të garuar, por për t’u forcuar.
Kur ngrinte hekurat sportisti Pandi Balli, i cili, në atë kohë, ishte njëri nga shtangistët më rezultativë në Korçë, bëhesha ziliqar e tentoja t’i ngjisja.
Sporti, në tërësi, më tërhiqte dhe në Korçë gjeta kushte të përshtatshme për të ushtruar disa lloje sporti. Nuk doja t’i harxhoja kot, kaloritë që merrja në mensën e konviktit dhe vrullin e moshës adoleshente. Në vitin e fundit të shkollës së mesme, u afrova tek atletika. E kisha të qartë se nuk kisha ndonjë prirje të veçantë për t’u bërë atlet; ca më tepër që shtati im ishte i shkurtër, rrjedhimisht dhe i papërshtatshëm për të ushtruar këtë lloj sporti. Meqenëse merresha me hekura (shtangë) për pak kohë u angazhova me hedhjen e diskut dhe me shtytjen e gjyles. Kuptohet, aktivizohesha me të rinjtë, në një kohë kur këto dy lloje sporti ishin jo vetëm të prapambetura, por dhe normat ishin të ulëta e mund të realizoheshin më lehtë.
Trajneri Tato Bimbli, një figurë e nderuar e sportit korçar, me rekomandimin e mësuesit tim të përgatitjes fizike, futbollistit Maqo Prodani, të cilin e kisha më tepër shok sesa mësues, më regjistroi e më aktivizoi me grupin e parë; me atë të të rinjve të Korçës. U stërvita rëndshëm edhe në kuadrin e përzgjedhjes së elementeve që do të përfaqësonin Korçën në një spartakiadë që do të zhvillohej atë vit (1959), në muajin shtator, në qytetin e Shkodrës. Në garat mes moshatarëve të mi, zura vend të parë në garat e vrapimit 100 e 400 m; në hedhjen e diskut dhe në shtytjen e gjyles. Si fitues i vendit të parë në rreth, nuk munguan shpërblimet. E dini sa qe premio?
Ua them unë: "mjerane". Çdo fitues i vendit të parë, shpërblehej me 500 lekë (të vjetër) dhe një palë të mbathura e një kanotiere, me ngjyrat e klubit sportiv. Shpërblimin e mora, por në Shkodër nuk shkova; për shkaqe vetjake.
Mënyra e hedhjes së diskut më pëlqente e më tërhiqte. Më tepër më tërhiqte mënyra e rrotullimit për të marrë vrullin e nevojshëm dhe mënyra e daljes nga pedana, pas flakjes së diskut. Në shtytjen e gjyles dhe në vrapimin e shpejtësisë (100 m) nuk pata ndonjë arritje për t’u zënë në gojë. Tepër me interes ishte pjesëmarrja ime në garën e 400 m. Më kujtohet që, në këtë garë konkurronim dy adoleshentë.
Të dy ishim, jo vetëm të papërgatitur për garë, por, siç i thonë aktualisht: "Ishim copë-copë". Nisëm garën me kurajo dhe me besimin në fitore. Shokët që më përkrahnin, bënin tifo, për mua, nga shkallët e stadiumit të ri, i cili po ndërtohej, (Stadiumi "Skënderbeu"), në vendin ku ndodhet sot. Vrapova, pa ditur ndonjë stil të veçantë vrapimi. Duhet të kryenim një xhiro, rreth fushës së futbollit.
Secili vraponte në korsinë përkatëse të shtruar me pluhur qymyri të djegur, me ngjyrë kafe të çelët. Vazhdimisht udhëhiqja garën. Herë pas here ktheja kokën prapa për të parë rivalin që vraponte pas meje. Në gjysmën e dytë të distancës ndjeva se po më merrej fryma e po më rëndoheshin këmbët. Me sedër të sëmurë vazhdova të vrapoja.
Unë e di si sosa në finish. Isha, thuajse i alivanosur, pavarësisht se nuk u shtriva për tokë. Gjithsesi dola i pari në garën me dy pjesëmarrës. Kohën që përcolla në atë garë të pazakontë nuk e mësova kurrë. Le që, kush pyeste për kohën, në atë kohë?
Mjaftonte renditja në garë. Brekët dhe kanotieren i zgjodha vetë. Ishte mundësia për t’i zgjedhur ngjyrat dhe organizatorët na pyesnin. Unë përzgjodha ngjyrën e kuqe, dhe jo më kot; ngjyra e kuqe ishte simbol i ekipeve të "Partizanit", të cilin simpatizoja atëherë; ndihem mirë dhe pas kaq vitesh, kur "Partizani" ndahet me fitore nga një kompeticion.
Ishte fundi i vitit shkollor 1959. Isha i angazhuar seriozisht me provimet e maturës e me mbrojtjen e diplomës së shkollës së mesme bujqësore. Pas mbarimit të shkollës në të cilën u klasifikova me diplomë "shkëlqyeshëm" dhe me gëzimin që të jep suksesi, "vrapova" në Kalivaç të Tepelenës, për të njoftuar, në radhë të parë prindërit e mi, që pritnin shumë nga unë për arritjen, e cila, për mua, kishte rëndësi jetike. Në fshat më pritnin të tjera punë e angazhimi me to, më largonte çdo ditë, nga dëshira për të marrë pjesë në spartakiadën kombëtare të fëmijëve, në Shkodër. Pa lëre që unë, kisha garuar me paratërinjtë, me dokumente identifikimi (certifikatë lindjeje) të falsifikuara.
E kisha kapërcyer pragun e gjashtëmbëdhjetave dhe, për t’u pranuar në ekip, mora certifikatën e bashkënxënësit Vasil Fele, nga fshati Carcove i rrethit të Përmetit. Vasili, kur unë garoja, ndodhej në fshatin e lindjes, me pushimet e verës. Pas spartakiadës së Shkodrës, fare rastësisht mësova se në garën time të flakjes së diskut, në vend të parë kishte dalë djali nga Tepelena Agim Selimaj, të cilin e njihja prej kohësh.
Kur mësova për këtë ndodhi, më erdhi mirë, që gara u fitua nga një tepelenas.
Aktivizimi në veprimtaritë sportive që më tërhiqnin më afroi më tepër me aktivitetet sportive që zhvilloheshin në Korçë dhe u bëra tifoz "i zjarrtë". Nga të gjitha sportet, siç ngjan rëndom me fëmijët e moshës sime të asaj kohe, por dhe sot, parapëlqeja futbollin. Dija përmendësh emrat dhe pozicionet në ekip të futbollistëve të "Dinamos"; të "Partizanit" të Tiranës; të Shkodrës; të Kavajës; të Vlorës; të Korçës e të disa ekipeve të tjera me emër. Në ato vite, në arenën ndërkombëtare, futbolli fliste hungarisht. Dija emrat e futbollistëve të kombëtares hungareze, nisur nga portieri Grosic; mbrojtësit: Llorant e Llantosh; qendërsulmuesin Nandor Hidegkuti; Pushkashin e Ciborin etj. Dija dhe emra të shquar futbollistësh botërorë si Pelë; Garinca; Didi; Zagallo; Eusebio; Fonten, Koppa; Lev Jashin e Igor Netto; Faketi e Maxola etj. etj. Futbollistë të tjerë, me emër, në atë kohë ishin Bobi Carlton, në Angli dhe vëllai i tij - Xheki, të cilët kishin në pronësi, një fushë futbolli me përmasa olimpike. Edhe Gjermania Perëndimore nuk mbetej pas; atje luante famëmadhi Uve Zeler dhe mesfushori elegant, i cili, kur luante futboll dukej sikur vallëzonte, i mirënjohuri Bekenbaur, Overati imcak etj.
Si sportdashës i fandaksur pas futbollit, kujtoj dhe ndonjë ndodhi të asaj kohe. Në vitin 1958, p.sh., kampionati botëror i futbollit u zhvillua në Suedi. Vendi organizator kishte një ekip futbolli i cili llogaritej ndër më të mirët në botë. Në finale, doli ekipi i Suedisë, i cili u ndesh me atë të Brazilit. Kampion Bote u shpall Brazili i të madhit Pelë.
Finalja, nga sa kujtoj, ishte mjaft dramatike. Gjykuar nga sa shkruante shtypi i kohës (televizorë nuk kishim që ta ndiqnim ndeshjen), qendërsulmuesi suedez Ange Simonson shënoi gol kundër portierit brazilian Gilmar, por jo me këmbë; as me kokë. Ai topin e shtyri në rrjetë, me hundë.
Pas ndeshjes, gazetat shkruan: "Goli u shënua, por hunda u dërrmua…!"
Në vitet ’50 të shekullit që lamë pas, në vendin tonë "frynte era sovjetike". Si në çdo fushë të jetës, edhe në sport, Bashkimi Sovjetik propagandohej si më i miri. Mirëpo futbolli që luhej në hapësirat sovjetike nuk ishte në nivelin e atij që luhej në disa vende të tjera të Perëndimit. Futbollistë cilësorë të niveleve botërore, në atë kohë ishin: portieri i kombëtares sovjetike, "gjigandi me reflekse" – Lev Jashin, i cili u ngrit në lartësinë e legjendës dhe mesfushori biond - Igor Netto, i cili ishte dhe kapiten i ekipit. Rrëfejnë si u përzgjodh Jashin, si portier e si u shndërrua ai, në një fenomen të rrallë, me përmasa të përbotshme.
Trajneri i ekipit të futbollit të Bashkimit Sovjetik kishte dalë në një turne, së bashku me ekipin që drejtonte nëpër hapësirat e pamata sovjetike. Ekipi ndaloi në një kolkoz, për të pushuar. Disa njerëz po ngarkonin shalqinj, në një rimorkio. 3 - 4 djem të rinj, hidhnin shalqinj në drejtim të rimorkios ku i priste një djalë i gjatë e mjaft i shkathët. Ai ishte i madhi e i pazëvendësueshmi Lev Jashin. Trajneri e pikasi këtë ndodhi të rrallë dhe e ftoi djaloshin me emrin Jashin të bëhej pjesë e ekipit dhe ndodhi ajo që di shumëkush.
Në ato vite, në hapësirat sovjetike, stërviteshin e garonin disa sportistë cilësorë. Peshëngritësi Jurij Vllasov, me meritë u quajt "njeri i hekurt"; gjimnastja Larisa Latinina dhe kolegu i saj Boris Shahlin ishin kampionë botërorë absolutë; vrapuesi Vladimir Kuc; shahistët Botvinik e Karpov ishin fantastikë; boksierët Abramov e Kisiljev ishin të pamposhtur etj. Në Hungari boksonte i mirënjohuri Lazlo Pap; në Amerikë luante shah në nivele të larta botërore Robert Fisher, kurse atleti Xhesi Ouen mbajti rekordin botëror, në kërcim së gjati, për shumë vite; në Spanjë, pas strehimit politik, luante futboll legjendari Ferenc Pushkash dhe sulmuesi i majtë Cibor; në Portugali, luante afrikani i natyralizuar; sportdashësit spanjollë nderonin lojtarin me ngjyrë Kubala e Distefanon etj. Në fushat e basketbollit e të volejbollit shndrinin talente të shumta etj. Si sportdashës i zjarrtë që isha, mblidhja e koleksionoja gazetat dhe revistat e pakta sportive, të cilat, në vendin tonë, në atë kohë jo vetëm që ishin të rralla, por dhe nuk e pasqyronin në detaje situatën sportive vendase dhe atë botërore. Gazeta e vetme sportive, e cila titullohej: "Sporti Popullor" dhe ndonjë revistë e ilustruar nuk arrinin të bënin propagandën e nevojshme të veprimtarive sportive.
Kur përfundova shkollën e mesme dhe mora udhën për të shkuar në fshatin tim të lindjes, në Kalivaç të Tepelenës, çova atje, si "pajë" diplomën e agronomit të mesëm të specializuar për frutikulturë; brekët dhe kanotieren e kuqe që fitova në spartakiadën e paratërinjve të zonës dhe një valixhe, prej kompensatoje, që kisha bërë tek zdrukthëtari Mandi Sofroni, i cili e kishte dyqankën diku afër fushës së futbollit, pranë Turizmit të vjetër. Në atë valixhe kisha futur gazetat "Sporti Popullor", të qëmtuara në mënyrë selektive dhe një revistë, në gjuhën ruse, të ilustruar, kushtuar një ndeshjeje të vetme futbolli: takimit të ekipit kombëtar të Hungarisë me atë të Anglisë, luajtur në stadiumin "Uembli", me 100.000 vende, e cila u quajt ndeshje e shekullit. Në atë takim, në zemër të Londrës, ekipi hungarez, i cili ishte në kulmin e veprimtarisë futbollistike, arriti një fitore të bujshme, me rezultatin: 6 me 3. Ato që shkruheshin në atë revistë, nuk i kuptoja se atëherë nuk dija rusisht, por kënaqesha duke soditur fotografitë me ngjyra e me figura të bukura futbollistësh, si: Grosic; Bekens; Llorant; Hidegkuti; Kocish; Pushkash etj. të paraqitur bukur. Nuk më kishte rënë në dorë në jetën time revistë aq e bukur e me ngjyra.
Nuk më kujtohet fati i asaj reviste të cilën e kisha shumë për zemër dhe e ruaja si dritën e syve. Ruaj imazhin e saj dhe mjaftohem duke fantazuar.
Një kapitull me vete në jetën time të atyre viteve përbën veprimtaria kulturore – muzikore argëtuese. Serenatat e mirënjohura korçare, në ato vite, për shkak të censurës së fortë, pësuan një lloj tkurrjeje. Bëhet fjalë për daljet e djemkave adoleshentë, natën, poshtë balkoneve e nëpër rrugica, me kitarë në dorë, duke u bërë lajka vajzave çapkëne të qytetit, se, në zemrën e tyre vlonte dëshira dhe pasioni për ta ushtruar, hapët, këtë mrekulli. Djemtë që kërkonin nuse me kitarë në dorë (vegël muzikore të cilën vendasit e kanë mjaft për zemër), fshehurazi nga sytë e nga veshët kureshtarë dhe nga gojët e liga, zinin një pozicion të volitshëm poshtë balkoneve të çupkave bukuroshe e u këndonin, atyre, deri në orë të vona këngë zemre; këngë dashurie. Dashuriçkat vërtet që ishin të fshehta, por, aq sa mund të gjenin terren, ato lulëzonin.
Në vitet ’50 të shekullit të njëzetë, mjetet e komunikimit masiv ishin të pamjaftueshme. Edhe ato që ekzistonin e ishin funksionale, censuroheshin e ishin të prapambetura teknologjikisht. Çdo program, detyrimisht duhet të përshkohej nga ideologjia dhe nga fryma e partisë shtet. Teknika elektronike ishte "luks" e në dorë të një "elite" të shoqërisë. Ishim konviktorë e bënim jetë kulturore të varfër edhe pse mosha ishte në rritje dhe ndjenjat vërshonin vrullshëm. Një radio që ekzistonte në konvikt, atë e menaxhonte kujdestari, një burrë i gjatë, me palto deri në fund të këmbëve, me flokë të lëpirë e me fytyrë të ngrysur, si të kalit, të cilin nuk e pashë kurrë të buzëqeshte. Vrazhdësia e atij njeriu mund të ishte rrjedhojë e pjesëmarrjes së tij në organet represive të kohës.
Ditën e diel, kur përfundonin ndeshjet e futbollit në rrethe e ne, sportdashësit, mezi pritnim të mësonim rezultatet e tyre, i luteshim kujdestarit të hapte radion e vetme, por ai e kishte zemrën "gur". Të shtyrë nga kureshtja grumbulloheshim përpara njësisë postare të qytetit. Një centraliste zemërmirë bënte vazhdimisht telefonata në rrethet respektive e na komunikonte rezultatet. Në shesh nisnin komentet, sipas prirjeve dhe kapacitetit të secilit nxënës. Ndodhte edhe ndonjë zënkë, e cila shuhej shpejt dhe vetiu.
Ata që shkonin pranë njësisë postare bënin tifo për ekipin që simpatizonin. Madje, edhe ekipet tona, kur luanim me njëri-tjetrin, i kishim ndarë sipas simpative të secilit, përfshi dhe veshjen (brekë dhe kanotiere).
Veprimtaritë kulturore në shkollën tonë ishin të varfra e nuk i "mbushnin" kërkesat tona. Në radhët e nxënësve, mosha e të cilëve ishte shpërthyese, ndihej "uria" për t’u argëtuar. Ishte koha kur po "lulëzonin" veprimtaritë artistike masive në njësitë prodhuese të qytetit dhe të fshatit. Në shkollën tonë nuk u ngrit, asnjëherë ndonjë grup artistik. Talentet dhe rezervat artistike nuk mungonin as në shkollën tonë, por nuk u gjet një organizator që t’i mobilizonte e t’i hidhte në veprim ato dhunti që kishin vulën e trevës nga vinin dhe të individualiteteve të tyre. Vinim nga treva të ndryshme të vendit dhe, vetëm sikur folklori i tyre të shpërfaqej, suksesi i veprimtarisë artistike do të ishte i garantuar.
Në klasën time, ishte një nxënës, i ardhur nga fshati Vlocisht i Fushës së Korçës, i cili quhej Ali Merolli. Aliu ishte fatkeq; ai ishte sakat në njërën këmbë, por kishte talent e ishte i zgjuar. Aliu mësoi autodidakt t’i binte fizarmonikës; me nota. Mblidheshim, rreth tij, pasditeve, pas orës së studimit të detyruar, dëgjonim meloditë që luante në fizarmonikë, Aliu sakat dhe relaksoheshim për bukuri. Tingujt e ëmbël të fizarmonikës së Ali Merollit na jepnin kënaqësi e na lehtësonin shpirtërisht si i vetmi mjet argëtimi që kishim në konvikt. Ata njëherazi na shtynin të bënim lojëra të ndryshme fëmijërore, sipas vendit ku mblidheshim për t’u argëtuar.
Në vitet ’50 të shekullit të njëzetë, në radhët e nxënësve të shkollave të mesme të qytetit të Korçës zhvilloheshin mjaft ekskursione (shëtitje në natyrë). Shëtitjet në natyrë, në përgjithësi, ishin pjesë e programit mësimor, por organizoheshin dhe posaçërisht. Në Korçë, këtyre shëtitjeve në grup, u kanë thënë e u thonë piknike. Këto lloje shëtitjesh në atë kohë u bënë masive dhe, hera-herës, plekseshin grupe nxënësish me grupe të ndërmarrjeve të ndryshme. Ato pëlqeheshin nga të rinjtë e nga të rejat dhe u shtuan e u përsosën vazhdimisht.
Një e tillë u zhvillua në pranverën e vitit 1957, mundet në muajin prill, kur moti ishte ngrohur e bari i njomë kishte mbuluar dhenë. Isha në vitin e dytë të Teknikumit Bujqësor "Irakli Terova". Pikniku u zhvillua në fshatin Ravonik, i cili ndodhet rreth 5 km larg qytetit, në rrugën automobilistike që të çon në Kolonjë. Rrugën e përshkuam në këmbë. Nuk ishim të zënë dora-dorës, si kolopockat e kopshtit të fëmijëve, por ecnim në kolonë, sipas klasave.
Çdo klase i printe mësuesi kujdestar. Ishte pranverë; hapësirën e kishte mbuluar gjelbërimi e ne, rishtarët që shkonim për herë të parë në një piknik të tillë, u mahnitëm me atë natyrë të bukur e me ata njerëz të gëzuar. Pemët (sidomos mollët dhe dardhët, të cilat ishin në shumicë në atë fushë të begatë), sapo kishin bujitur sythe e gjethet ishin në prag të fletëzimit.
Vajtja jonë në këtë piknik ishte e parashikuar, por koordinimi me terrenin, për mua ishte gjëja më e veçantë dhe funksionoi në mënyrë perfekte. Nuk e kuptova nëse ishte një dalje e zakonshme në piknik apo zhvillohej një festival folklorik i zonës. Për Ravonikun dija fare pak. Kisha dëgjuar një këngë, e cila më tepër i ngjante një legjende, për një prift qejfli të fshatit, i cili bënte dashuriçka, fshehurazi. Vargjet e këngës humoristike i kujtoj edhe pas kaq vitesh. Ato ishin afërsisht kështu:
"… Po frynte një erë, nisi dhe një vesë shi;
Prifti i Ravonikut bënte dashuri…"
Organizatorët e veprimtarisë kishin improvizuar një skenë, në mes të lëndinës, në të cilën ngjiteshin njëri pas tjetrit vajza e djem të rinj, të cilët këndonin live, me një palo orkestër, të reduktuar në një fizarmonikë e ndonjë kitarë akustike. Ndoshta kjo veprimtari artistike e kombinuar me ecje ishte organizuar me synimin për të promovuar zëra të rinj, të cilët, deri atëherë ishin në surdinë. Aty pashë, për herë të parë, të ngjiteshin në skenë e të këndonin, njerëz, me zëra të padëgjuar. Më ka lënë mbresë të veçantë kënga e një vajze adoleshente, të bukur si yll, me faqe buçko, të cilën nuk e kisha parë në mjediset korçare dhe nuk e kisha dëgjuar kurrë zërin e saj interesant. Po përpiqem të sjell ndër mend vargjet e asaj kënge mbresëlënëse:
"… Rritu, mollë e vogël-o;
Rritu! Mollëz-o;
Plot me kokrra u ngarko;
Rritu! Mollëz-o;
Kur të na vijnë miqtë, pasdarke;
Me ato kokrra, rrumbullake;
T’i gostitim, lulëz-o;
Rritu! Mollëz-o…"
Ajo ditë ishte më e gëzuara e më e lumtura, për ne nxënësit adoleshentë e në veçanti për konviktorët që përjetonin një ngujim, të lezetshëm. Gëzonim dhe për faktin se atë ditë, mësimin në klasë e kthyem në pushim aktiv dhe se dolëm një herë në ajër të pastër, në ato lëndina të bukura dhe mes atyre njerëzve të qytetëruar e dashamirës me ne. Brodhëm sa e si mundëm, nëpër mezhda e livadhe, si ato shtjerrat, që kërcejnë e lodrojnë kur bariu i nxjerr nga vatha. Djemtë ishin më të shpenguar e harbonin më shumë, kurse vajzat silleshin më të qeta e ishin më të përmbajtura. Edhe vajzat e klasës sime: Vasilika Thomai; Nafize Rustemi; Engjellushe Beluli; Aferdita Prifti; Mynvere Perroi e ndonjë tjetër, të cilat, brenda mureve të shkollës e në sytë tanë, ishin të hedhura, aty, rrinin si "i bukuri shejtan".
Kjo vijë sjelljeje ishte në natyrën e vajzave të drojtura të atyre viteve. Atë ditë, u kthyem në konvikt e hëngrëm drekën me shumë oreks e me kënaqësi. Kishim lëvizur e ishim hedhur shumë.
Ne, djemtë e vitit të dytë, për t’u argëtuar kishim gjetur një mënyrë origjinale, tonën. Ishim në shoqëri të ngushtë me njëri-tjetrin dhe ishte thuajse e pamundur ta "çante" njeri lidhjen tonë shoqërore. Shoqëria jonë ngjante si "e blinduar". Me kontribute të përbashkëta, mblidhnim fond e blinim cigare. Blinim nga cigaret më të kushtueshme, rrjedhimisht dhe më cilësore.
Në atë kohë më cilësore ishin cigaret "Diamant", me kuti dhe cigaret "Lux". Caktonim dy shokë klase, nga më të hedhurit, të cilët blinin 1 - 2 paketa cigare cilësore dhe i sillnin në grupin "konspirativ" të klasës. Në shoqërinë e njëri-tjetrit, siç vepronin të rinjtë e asaj kohe, i shisnim mend njëri-tjetrit dhe futeshim në pyllin me akacje të Shendellise, fshiheshim në gëmushat e kodrës e në shkurret e pyllit që po mbilleshin për të formuar parkun e sotëm dhe tymosnim duhan. E nisëm si me shaka e për të qenë djem trendi, por mjaft prej nesh, ranë në vartësi të nikotinës.
Në kalendarin e veprimtarive tona çudibërëse, hynte dhe një veprimtari tjetër shumë e pëlqyer. Në atë kohë, ishin të ndaluar të lexoheshin disa libra, të ashtuquajtur "Libra të verdhë". Shoku ynë i klasës Maksim Aliqemal Tuxhari, i cili ishte pinjoll i familjes Tuxhari e cila ishte njëra nga familjet më të ndera fisnike të qytetit, na sillte libra të ndaluar, si "Kompania e Bretkosave"; "Ura e Psherëtimave"; "Sikur të isha djalë" etj. madje dhe romanin voluminoz në formë dispense "Konti i Monte Kristos". Libra të tillë ishin jashtë qarkullimit e nuk gjendeshin as në libraritë e qytetit; as në bibliotekën e shtetit. Maksi i merrte nga shtëpia, nga biblioteka e familjes, e cila ishte e pasur e me libra që nuk i gjenim dot.
Mezi pritnim të bënim "mbledhje" të atilla e të na vinin librat e vyer që të mësonim përmbajtjen e tyre. Mënyra e leximit të tyre ishte interesante dhe origjinale.
Shoku ynë i klasës, Gëzim Kuqo, një tjetër qytetar korçar: i gjatë, me flokë të drejtë, por me sytë çakërr, tepër i zgjuar e i përparuar në mësime, lexonte librin, ngadalë, e ne të tjerët, të mbledhur rreth tij (si zaporozhasit analfabetë rreth priftit Sirko), bëheshim sy e veshë, të interesuar për zhvillimin e ndodhive të librit. Kënaqësi të madhe ndjenim kur lexonim (dëgjonim leximin e librave) të ndaluar dhe kur tymosnim cigare (në shkollë e në konvikt ishte i ndaluar përdorimi i cigareve). Nuk bëhej fjalë për disko e forma të tjera argëtimi si ato që funksionojnë sot. Në shoqërinë tonë të ngushtë të djemkave bënin pjesë: Maksim Tuxhari; Bardhyl Lubonja; Xhemal Dauti; Thanas Foto; Qerim Muskaj; Bajram Shahaj; Përparim Kodra; Luan Duçe; Pandeli Tabaku; Gëzim Kuqo dhe autori i këtyre radhëve. Kjo ishte shoqëri e djemve besnikë, të klasës.
Vajzat nuk bënin pjesë në shoqërinë tonë. Shkak nuk ishte fanatizmi, por njëfarë xhelozie që kishim për shoqet e klasës, të cilat i konsideronim motra, por nuk lejonim që ato të ishin të pranishme në shoqërinë tonë mashkullore të paligjshme.
Në klasë e në shkollë kishim vajza si Engjellushe Beluli nga Dishnica; Vasilika Thomai, nga Shtika; Mine Sinica; Aliqi Terezi e të tjera si këto, të cilat kapeshin me djemtë e nuk u linin gjë mangut në zënkat, si kundërshtare të tyre, por, në shoqërinë tonë, jashtë shkollës ishin të rezervuara e nuk merrnin pjesë në veprimtaritë djemurisht. Shoku ynë i klasës, Gëzim Kuqo, jo për shkak të shtatlartësisë, por për hir të mençurisë dhe reputacionit që gëzonte në shkollë e në qytet, atje, mes gëmushave, na lexonte qetë - qetë librat e ndaluar dhe ne mblidheshim rreth tij kokë më kokë, si njëherë e një kohë Zaparozhasit i mblidheshin priftit Sirko, i cili shkroi çdo shprehje banale të veçantë të fshatarëve dhe në fund firmosi për të gjithë. Leximi i librave të ndaluar, ashtu si kryerja e çdo veprimi të palejuar në përgjithësi, është në natyrën e veprimeve të fëmijëve.
Në një ditë maji të vitit 1958, kur ishim në vitin e tretë të shkollës, u organizua një piknik i bukur në Malin e Moravës. Dolëm herët nga konvikti e u nisëm për udhë, në këmbë. Si udhërrëfyes kishim plot bashkënxënës devollinj. Në mal u ngjitëm nëpërmjet një monopati që kalonte në anën e djathtë të fshatit Barc, monopat që e shfrytëzonin devollinjtë e faqes lindore të Moravës për të dalë në Korçë, në veçanti: babanarët; hocishtarët; verlenakët; ata nga Grapshi etj. Ekskursionistët ishin djem dhe nga klasa jo të njëjta.
Vendin e pushimit e përzgjodhëm në vendin e quajtur Cardhak, tek një burim uji i freskët, në mes të lajthishtes së lartë e të dendur. Nuk kisha parë ndonjëherë drurë lajthie aq të lartë. Rruga na kishte lodhur. Disa "qullacë", mbasi pinë ujë të ftohtë, u shtrinë në livadh, për t’u shlodhur pak, por i kaploi gjumi. Ne, një takëm që ndiheshim më lehtë, u kacavjerrëm nëpër pemë, sikur të ishim majmunë.
Kujtoj se të kacavjerrur nëpër pemë, përveç meje ishin dhe shokët e mi të klasës: Saliko Capoku; Xhemal Dauti; Medi Avxhi; Naim Balliu, etj. të cilët lodronin nëpër pemë e bërtisnin si çakej. Drekën e kishim marrë me vete. Në konvikt na kishin përgatitur nga një pako, ku kishte: bukë, një copë mish të pjekur, një kokërr vezë të zier, patate të fërguara dhe një copë djathë. Dreka na shijoi sa s’ka më. Pimë dhe ujë të ftohtë nga burimi i Cardhakut e u bëmë tamam.
Dikush kishte me vete aparat fotografik. Ishte "luks" i madh të kishe aparat fotografik në ato vite. Sidomos të ishte konviktor, poseduesi i tij. Ruaj disa fotografi, nga ai piknik mbresëlënës. Një pozë është bërë tek Guri i Capit, i cili ndodhet aty pranë burimit të Cardhakut në kurrizin e malit të Moravës.
Nga ai masiv shkëmbor, dukeshin si në pëllëmbë të dorës Korça dhe fusha e saj.
Një fotografi bëmë kur morëm udhën për të zbritur në qytet. Vendi ku pozuam për të fundit herë atë ditë, ishte një qafë mali e cila duket si shalë kali. Rruga e verbër që zbret për në Korçë, nuk ka shteg tjetër, veç asaj qafe mali. Në Korçë mbërritëm në muzg, të lodhur nga rruga e nga qëndrimi gjithë atë ditë në këmbë, por të kënaqur e të relaksuar nga bukuritë që shijuam, na mori gjumi më shpejt se në ditë të zakonshme.
Në atë ekskursion të organizuar, drejtoria e shkollës, që të mos ishim vetëm nxënës, "na qepi" nga pas, mësuesin e mekanikës bujqësore, beqarin Thoma Vesho, me origjinë nga Poradeci, i cili, kur shpjegonte mësimin, skuqej deri tek veshët. Disa nga ne, kuptohet, më të hedhurit e të mësuarit, u fshehëm në pyll, larg syve të mësuesit Thoma Vesho dhe "e tymosëm".
Ekskursione të ngjashme në disa raste organizonim spontanisht, me iniciativën e "më të hedhurve" nga djemtë. Nuk shkonim larg; e shumta shkonim deri tek kodra e Shën Thanasit apo në Shëndellia. Kënaqësitë e moshës, si pirja e cigareve bashkërisht dhe leximi i librave të ndaluar, kur ktheheshim në shkollë i bënim objekt bisede dhe shitmendjeje, duke futur nga vetja, secili sipas oreksit e aftësive treguese, edhe gjëra që nuk kishin ndodhur. Më bukur e më me humor i dëftente bëmat tona, duke i zmadhuar e me elokuencë e me humor, "humoristi i klasës sonë", Qerim Muskaj, nga fshati Pirg i rrethit të Korçës. Në njërën nga daljet tona mbi qytet kam bërë një fotografi, me shokët e afërt Qerim Muskaj; Jani Vasili dhe Xhemal Dauti.
Poshtë, në sfond duket qyteti i Korçës, me përmasat dhe me veçoritë e asaj kohe, të cilën po e postoj, në mënyrë që secili të bëjë krahasimet e mundshme, mbi bazën e njohjeve që ka për problemin. Asokohe, qyteti ishte shumë më i vogël dhe jo aq i bukur sa sot, por ishte qytet i pastër, me rrugë të drejta e me ndërtesa tradicionale, me ujë të pijshëm 24 orë, i cili vinte nga Vithkuqi dhe me njerëz të njerëzishëm e me edukatë dhe me kulturë bashkëkohore. Në atë kohë Korça, vërtet ishte me më pak njerëz e me ngrehina jo shumëkatëshe, si sot, por jetën e bënte të gjallë e të gëzueshme, të sigurt e pa teprime. Njëra nga vlerat e këtij qyteti ishte, padyshim, bota e teatrit.
Në vitin 1967 u përurua kinoteatri i ri, i cili u shkëput nga bota e kinemasë e doli me vete edhe si ndërtesë. Ngrehina e re u ngrit, pranë qendrës së qytetit, aty ku zë fill rruga për të shkuar në Radenec dhe u quajt kinoteatri "Cajupi". Në fazën e kolaudimit, kur kishin nisur të shfaqeshin pjesët e para teatrale, si klasë, vajza e djem së bashku, vendosëm të shkonim në teatër për të parë pjesën teatrale "Lulja e Kujtimit", të shkrimtarit shqiptar Foqjon Postoli, të cilën e luante trupa teatrale e qytetit të Korçës. Të mos i hamë hakun, Trupa Teatrale e Korçës kishte goxha traditë dhe kishte në përbërje artistë të shquar si Pandi Raidhi i cili, në atë shfaqje, mbante shumë peshë e luajti për mrekulli; Dhora Orgocka etj.
Ishte hera e parë në jetë që vështroja një pjesë teatrale, të këtyre përmasave dhe role të luajtura nga aktorë "brilantë". Si unë, ishin dhe shoqet e shokët e mi të grupit (klasës sonë dhe të tjerëve që na u bashkuan). Nuk i njihnim rregullat e sjelljes së spektatorit në një shfaqje teatrale; aty i mësuam. Subjekti i pjesës teatrale ishte mjaft i pëlqyer nga ne adoleshentët e paditur dhe loja e aktorëve – "brilante". Të tillë e çmuam ne, me nivelin minimal që kishim.
Gjithsesi të gjithë mbetëm mjaft të kënaqur. Komentet tona, atë natë dhe disa ditë më pas ishin, pambarim në të mirë të shfaqjes teatrale që pamë. Më mbeti në mendje, e kujtoj dhe sot, finalja e shfaqjes: ai çast kur personazhit kryesor të pjesës që u luajt, i erdhi kujtesa, në saje të lules. Autori, me mjeshtëri të rrallë ka ditur të hedhë në letër episode interesante e të shtjellojë, me vërtetësi, skena të kapshme e të dhimbshme që lënë gjurmë tek ata që e vështrojnë. Si adoleshentë që ishim, na la përshtypje të mira e gjithë shfaqja.
Në kinemanë: "Morava", e cila, para Luftës së Dytë Botërore e kishte emrin: "Majestik", herë pas here shfaqeshin filma me kukulla. Qyteti i Korçës, në atë kohë, nuk e kishte "luksin" të kishte një teatër kukullash si Tirana. Shfaqjet me kukulla, në film, e popullonin shumë kinemanë, me kolopocka. Pa rënë në sytë tanë (nga droja se i ironizonim), disa shokë të klasës dhe të paraleleve si Xhemal Dauti; Thanas Foto; Luan Duçe; Foti Vllahu; Aleks Vangjeli; etj., të cilëve u kishte kaluar mosha për të parë kukulla, futeshin në kinema, për të parë filma me kukulla. Kishim shkelur tek të gjashtëmbëdhjetat e, ky veprim i tyre i çuditshëm, na dukej i pajustifikueshëm. Mirëpo kjo, në të vërtetë, ishte mbushje e boshllëkut që kishte lënë fëmijëria jonë, e cila nuk na kishte dhënë të gjitha ato që na duheshin, për të pasur një edukim më të plotësuar.
Kishim deficite në edukimin nëpërmjet veprimtarive artistike, prandaj zgjodhëm ta mbushnim boshllëkun e krijuar duke i hedhur sytë nga libri. Recensionet e librave, në atë kohë, morën shumë zhvillim. Merrte njeri një libër, në bibliotekë dhe e lexonte, shpejt e shpejt, në mënyrë që ta dorëzonte brenda afatit dhe ta lexonin edhe 1 - 2 të tjerë. Mbasi e lexonin të njëjtin libër disa nxënës, bëhej recensioni i tij. Në këtë mënyrë, pjesëmarrësit në recension nuk ishin të panjohur me librin. Kjo veprimtari tërhoqi mjaft nxënës e u bë interesante.
Interesante e me vlerë për njohjen e terrenit ku zhvillonte veprimtarinë mësimore shkolla jonë u bënë praktikat mësimore. Në dy vitet e para të shkollës, praktikat mësimore qenë më të rralla; në dy vitet pasardhëse, ato, jo vetëm që u shpeshtuan, por u bënë edhe më të organizuara.
Më kujtohet shtatori i vitit 1956, kur isha në vitin e dytë të shkollës së mesme bujqësore. Në shkollën tonë erdhën dy rishtarë, nga fshatrat e Tepelenës. Do të kisha dy bashkëtrevas e kjo më gëzoi së tepërmi. Njëri syresh ishte zhulanjaku Reshat Kushaj; një djalë bojalli (më i gjatë se unë), elegant, i qetë e i qeshur, me flokë të drejtë, e mjaft i çiltër; me flokët biondë e me sy larush. Reshati ishte i biri i Qamiles, e cila, pas vdekjes së burrit, u vendos në Bregadove, në shtëpinë e vëllait të saj Rrahman Yze.
Reshati ishte një djalë për kokën e djalit: i urtë, i qetë, i sjellshëm, me edukatë të shëndoshë familjare dhe serioz. Nëse do të doje t’i vije në dukje ndonjë të metë atij njeriu, e shumta mund t’i thoje pak naiv dhe besonte shumë (nuk ishte i prapë). Reshati fliste me zë të ulët; nuk ishte grindavec.
Kur bisedonte Reshati, dukej sikur po fëshfërinin gjethet e drurëve, në kopsht. U bëmë shokë të mirë; jo si patriotë, por për hir të karaktereve tona, të cilat puqeshin. E kemi ruajtur shoqërinë në vazhdimësi dhe e respektojmë e kemi mall për njëri-tjetrin edhe sot e kësaj dite.
Djali tjetër ishte nga fshati Krahës i rrethit të Tepelenës. Ai quhej Veli Kalo Xhaferaj; ishte bir i një luftëtari të regjur e atdhetar i flakët. Kalo Brahim Xhaferaj ishte njeri me reputacion, në krahinë e në rreth.
Pas çlirimit të Vendit, partizani Kalo Brahim Xhaferaj, një burrë babaxhan, i bëshëm e me bark të dukshëm, vishte pantallona qillota e mbathte çisme, si dikur në rreshtat partizanë. Ai mbante bustinë në kokë, rrip krahëqafë dhe kobure në brez. Disa vite me radhë ishte në funksionin e Kryetarit të Lokalitetit Krahës të rrethit të Tepelenës. Me autoritetin e merituar dhe duke qenë i ndershëm e i drejtë, xha Kalua ishte në krye të veprimtarive për të pajtuar mëritë, ndante e shuante sherret, zgjidhte drejt mosmarrëveshjet dhe miradministronte i ekuilibruar punët e trevës. Xha Kalos, i njihej trimëria e i dëgjohej fjala, në zonën e Mallakastrës së Egër, në Toskëri, në Derven dhe në Lopës e në Sevaster, kudo ku kishte luftuar.
Ai kishte sjellë në jetë mjaft fëmijë; Veliu ishte djali i prasmë i tij. Atë, xha Kalua e dërgoi në Teknikumin Bujqësor të Korçës, që të bëhej agronom. Djemtë e tjerë i kishte në ushtri, ku ishin formuar si oficerë të denjë, ata ecnin në gjurmët atdhetare të Babait të tyre. Donte të linte pasardhës të denjë xha Kalua, me qëllim që vepra e tij prej atdhetari të kishte vazhdimësi.
Me Veliun, pekulin e derës së madhe të Kalo Brahim Xhaferaj, qysh në ditët e para të shkollës së mesme ngjau një skandal i rrallë. Si ndodhi skandali? Ndërmarrja Bujqësore "Irakli Terova" e Korçës ishte caktuar si ekonomi ndihmëse (didaktike) e shkollës me të njëjtin emër.
Në këtë ndërmarrje, derisa të grumbulloheshin të gjithë nxënësit e vitit mësimor e të sistemoheshin në klasat përkatëse, nxënësit që kishin mbërritur në shkollë, Drejtoria e Shkollës i çonte për të bërë praktikë mësimore në fermë-ekonomi ndihmëse. Kjo kishte zënë vend si praktikë e pranueshme, si nga nxënësit dhe nga mësuesit. Nëpërmjet kryerjes së praktikës mësimore në këtë mënyrë, nxënësit merrnin njohuri mbi bimët, shërbimet që u bëheshin dhe për menaxhimin e prodhimtarisë së tyre. Nxënësit punonin në ekonominë ndihmëse dhe, në këtë mënyrë, kursehej dhe fondi i pagave i parashikuar për punimet e atij viti. Një pjesë e të ardhurave që sigurohej nga puna e nxënësve, kalonte në të mirë të tyre, sidomos me përmirësimin e normës së ushqimit.
Veliut dhe shokëve të tij u rastisi të punonin për grumbullimin e kashtës së grurit që kishte lënë nga shirja, makina shirëse. Mirëpo kashta ka edhe byk e hala gruri. Nxënësit, të pamësuar me këtë lloj pune, e patën të vështirë të bënin sistemimin e kashtës dhe ndarjen e saj nga byku. Ata, gjatë punës, u mbushën gjithë byk e hala, dhe sido që kur u nisën për në shkollë, u shkundën si mundën, nuk arritën t’i largonin nga shtati tërë mbeturinat e kashtës. U ishin mbushur flokët, vetullat, trupi i tërë, me byk e me hala, të cilat shkaktonin dhe kruarje të pakëndshme.
Në konvikt nuk ekzistonin dushet e ata, të lodhur, shtriheshin e i kaplonte gjumi. Mirëpo natën, halat depërtonin në thellësi të organeve e shkaktonin kruarje të bezdisshme. Të nesërmen, në mëngjes, kur po shkonim në mensë, Veliu, në intimitet e në mirëbesim për faktin se ishim nga e njëjta trevë, më tha: "Pse, ore; për të punuar në kashtë e në byk kam ardhur unë deri këtu, në Korçën e largët? Në Krahësin tim të bukur, ka kashtë e byk sa të duash?" Dhe iku nga shkolla e u nis për në fshat, ku e pritën me pekule, me petulla e me llokume dhe me shumë komente; pro e kundra.
Veliu i kishte shpatullat të ngrohta e nuk e pati të vështirë të shkonte në një shkollë tjetër, pa kashtë e pa byk. Kalo Brahimi ishte njëshi në atë trevë, dhe, siç thonë në anët tona, ai "kishte dajo kalin". Veliu iku që në ditët e para, por unë mjerani që kisha hyrë në vitin e dytë të shkollës e nuk po gjeja stabilitet, në cilën degë do të mësoja?
Në vitin e parë nisa të mësoja për t’u bërë veteriner dhe zooteknik; në vitin e dytë më kthyen në degën e agrozooteknisë; kushedi ku do të më përplaste fati më tej. Kjo më shqetësonte e nuk gjeja rrugëdalje. Në anën time ishin vetëm notat dhe sjellja prej çamarroku të padëmshëm. Babai im, në fshat, në atë kohë i punonte arat me një ka borxh e me parmendë druri (Kazili, kau ynë, mprehej në zgjedhë me Arapin i cili ishte i Agait (Resul Nelos, xhaxhait tim)). Xheviti (babai) dhe Zonja e Madhe e Binajve (nëna), vrisnin plise e shkulnin krisje dhe talle në arat tona, në Rredhe, gjithë ditën e ushqeheshin me një copë bukë misri.
Si gjellë kishin një kokërr qepë dhe një botile me dhallë, të varur në degën e fikut, e cila, që në mes e lart bëhej jeshile e uji veçohej nga dhalla. Ky fat më priste dhe mua po të largohesha nga shkolla e të shkoja në Kalivaç të Tepelenës. Ishim mjaft të varfër; njëra nga familjet e "këputura" të fshatit.
Për ta vërtetuar këtë që shkrova më sipër, po ju rrëfej vetëm një episod: Në pushimet e vitit të parë të shkollës shokët e klasës sime dhe ata paralel, shkuan pranë familjeve, për t’u çmallur e për të pushuar. Kështu duhet të veproja edhe unë; por fati më kishte rezervuar një agjendë tjetër. Fshati im ndodhej larg qytetit ku mësoja e unë nuk kisha të holla për të përballuar shpenzimet e udhëtimit. Familja nuk mund të më ndihmonte. As dhjetë lekë për t’u qethur nuk kisha.
Në atë kohë, sipas një rregulli të ri, nxënësit nuk mund të pajiseshin më nga shteti, falas, me tesha, siç veprohej më parë. Mirëpo në Korçë, dimri ishte i ashpër e unë i pamësuar me të ftohtin. Së bashku me Qamilin dhe me të dhembshurën Zonjë, konkluduam se, së paku, më duhej një pallto e madhe, që të mos plevitosesha. Me ndihmën e kushëririt tim invalid, në pushimet e verës u futa në punë sezonale.
Qamili më gjeti një punë, sipas moshës dhe mundësive të mia, në sektorin që mbulonte, e cila i përshtatej moshës dhe fizikut tim.
Puna që bëra në ata tre muaj të pushimeve verore mbasi kisha përfunduar vitin e parë të shkollës së mesme ishte interesante. Jo vetëm se isha ende i parritur për t’u pranuar në punë, por dhe për faktin që fizikisht pësova një rënie. Punova në sektorin e blegtorisë (lopëve të racës Valdostane) që ishte vendosur në stallat e Ndërmarrjes së Ndërtimit të Korçës, në fushën e fshatit Malavec, punë e cila më shërbeu për të marrë veten dhe për të bërë një pushim aktiv. Fitova dhe ndonjë lopkë (qindarkë). Isha rojtar i lopëve të ndërmarrjes.
Nuk më kujtohet numri i saktë i lopëve, por them se ai ishte i mjaftueshëm për të formuar një tufë lopësh, të cilën e nxirrja në kullotë, në pronat e ndërmarrjes në fushën e Malavecit e të Rovit dhe në hapësira të tjera ku kishte kullotë. Stallier, fillimisht ishte Shyqyriu meskëputur nga Lavdari e më pas një burrë i bëshëm, me emrin Sabri, i cili kishte zbritur në fushën e Korçës, së bashku me familjen (në përbërje të së cilës kishte dhe laktantë), nga fshati Gaduc i rrethit të Kolonjës, për një jetë më të mirë. Ata ranë nga shiu në breshër. Jeta në Malavec ishte disi më e mirë nga ajo që bënin në Gaduc, por gjithsesi mbetej larg asaj që kërkonin. Më dhimbseshin fëmijët e tij të mitur, disa nga të cilët sapo kishin nisur të baritnin.
Hanin çfarë u jepnin prindërit, shëtisnin nëpër livadhe e flinin në qiell të hapët.
Në dakordësi me Qamilin, i cili zotëronte situatën, kishim vendosur dhe për fjetjen e ushqimin tim ditor. Bukën e blija në Korçë, dhe e ndaja në racione ditore që të mjaftonte për një muaj. Si gjellë të preferuar kisha përzgjedhur qumështin e lopëve që ruaja dhe djathë kaçkavall, të cilin e blija, gjithashtu në Korçë. Duhet të bëja ekonomi në konsumimin e ushqimit, në mënyrë që ai të më mjaftonte për të gjithë muajin dhe të mblidhja ndonjë lek. Flija në një kthinë të stallës së lopëve.
Kushëriri më kishte ngarkuar dhe një detyrë tjetër specifike. Me një araba (qerre me dy rrota), të tërhequr nga një mushkë, çdo ditë transportoja qumështin e lopëve që milte stallieri, nga Malaveci, në mjediset e Ndërmarrjes së Ndërtimit të Korçës. Ia mora dorën e u bëra kompetent në këtë "specialitet" të ri. Për t’u shënuar ishte fakti që, sapo dilja në rrugën Korçë - Bilisht, ia behnin gra nga fshati Dishnice i rrethit të Korçës, të cilat i merrja në araba, deri në Korçë. Ato paguanin 50 lekë të vjetër për shërbimin që merrnin.
Paratë që grumbulloja nga transportimi i grave i merrja për vete e nuk jepja llogari për këtë punë timen. Gratë, sapo hipnin në arabanë time, hiqnin këpucët, të cilat i mbathnin sërish, kur zbritnin, tek varrezat e ushtarëve francezë, ku lanin këmbët, në një krua, në anë të udhës automobilistike. Në një rast, më doli nga boshti që lidhte dy rrotat njëra rrotë e arabaja ime nuk mund të ecte më. Isha i vetëm e fuqitë e mia nuk mjaftonin për ta ngritur rrotën e për ta futur në fole; për fatin tim të mirë, aty pranë kaluan disa ushtarë të kufirit, të cilët më ndihmuan.
Nga puna tremujore si lopar, fitova aq para sa për të blerë në tregun e zi një pallto të gjatë, me ngjyrë blu të thellë, e cila ishte e modelit për gra e nuk kishte xhepa fare. Qamili dhe Zonja e çuan tek një rrobaqepëse, e cila i hapi dy xhepa dhe e ngushtoi diçka pallton. E kalova me më pak të ftohtë dimrin që pasoi. Gege Ganua dhe e mira Zonjë u kujdesën, si për fëmijët e tyre që të më siguronin ngrohtësinë e nevojshme në atë dimër të ftohtë, sidomos, kur dilja në rrugë, për të shkuar në shtëpinë e Qamilit dhe të Velidesë, si dhe kur shkoja e kthehesha nga biblioteka e qytetit. Palltoja e gjatë ishte e hollë dhe e përafërt me mantot e zonjave, të cilat donin të dukeshin sa më elegante.
Në atë punë, e cila zgjati plot tre muaj, bëra jetë të izoluar. Shkoja në qytet vetëm për të çuar qumështin dhe gratë e kthehesha menjëherë. Isha në shoqërinë e familjes së kolonjarit dhe të lopëve të racës valdostane që nxirrja në kullotë. Për fatin tim të mirë, pranë stallës së lopëve, ndodhej një bahçe me lloj-lloj pemësh e cila ishte në pronësi të Sanatoriumit të Korçës.
Në atë bahçe punonin e kujdeseshin për pemët, dy pleq nga fshati Kamenicë i rrethit të Korçës. Nuk m’u ndanë pleqtë, të cilët, jo vetëm i doja e i nderoja shumë, por dhe mësoja prej tyre. Njërin nga të moshuarit e quanin Ali; tjetrin - Demir. Ky Demiri, dikur kishte punuar përtej Oqeanit Atlantik, madje dhe ishte dashuruar atje, por ishte bërë pishman që ishte kthyer.
Kur kisha kohë të lirë, shkoja pranë të moshuarve e dëgjoja, me kureshtje, rrëfimet e tyre. Hera-herës, kur nxirrja lopët në kullotë takoja e bisedoja me ndonjë fshatar nga Rovi e nga Shamolli, të cilët në rrugë jo ligjore shfrytëzonin kullotën e Ndërmarrjes së Ndërtimit. Qamilit, këto biseda nuk i pëlqenin dhe më kritikonte, për faktin se nuk i përzija nga kullota kafshët e tyre.
Në vjeshtën e vitit të dytë të shkollës, kur isha në degën e agrozooteknisë, na çuan në një praktikë mësimore të çuditshme. Ndërmarrja Bujqësore me qendër në Vlocisht kishte nevojë për fuqi punëtore. Drejtoria e kësaj Ndërmarrjeje Bujqësore ra në ujdi me Drejtorinë e Shkollës sonë dhe, për të zbutur mospërkimin e kërkesës me ofertën në fushën e fuqisë punëtore, na dërguan ne për të plotësuar boshllëqet. Ne mezi e pritnim daljen në praktikë dhe e kishim një lloj "festë" atë kohë që kalonim në terren. Shkaku kryesor që miklonte gëzimin tonë ishte fakti se do të largoheshim disa ditë nga klasa, do ta "braktisnim" atë monotoni të bezdisshme.
Në vjeshtën e vitit 1956, 1 - 2 klasa paralele të nxënësve që mësonin për agronomi morëm udhën që të çonte në qendër të fermës, e cila ishte dhe qendra e atij fshati socialist. Ferma ishte ngritur në mes të kënetës së dikurshme të Maliqit dhe menaxhonte toka mjaft të pasura, me përbërje humusi. Nuk kisha parë ndonjëherë në jetën time të atillë tokë. Në fshatin tim dhe në trevën përqark zotëruese ishin tokat argjilore dhe gurishtet ku kultivohej urov, duhan, elb, tepe dhe kockulla. Në tokat e fermës së Vlocishtit, kur shkelje në parcelë, humbiste këmba në humus.
Në ditët e nxehta të verës, vende-vende vështroje shtëllunga tymi - dëshmi e torfës që vetëndizej. Kur vështroja traktorin që plugonte, kënaqesha me brazdat e drejta dhe me ugarin uniform e të qëndisur për bukuri ku brazdat mbështeteshin pas njëra-tjetrës, sikur do të mbanin shoqja-shoqen. Toka ishte me ngjyrë të zezë dhe kur punohej, ugari lëshonte erë të këndshme. Fusha ishte e sistemuar dhe parcelat përshkoheshin tej e mbanë, nga kanale vaditëse e kulluese, por ujitja e bimëve ishte mjaft e vështirë, mbasi torfa e tërhiqte poshtë ujin.
Në atë kohë, sapo kish nisur të aplikohej në vendin tonë ujitja në formë shiu e cila kursente ujin dhe sillte lehtësira të tjera. Ferma (ndërmarrja bujqësore e Vlocishtit) kultivonte: panxhar sheqeri, patate, grurë, misër, fasule, luledielli etj. Përparësi merrte prodhimi i panxharit të sheqerit. Jo vetëm se tokat ishin mjaft të përshtatshme për kultivimin e kësaj kulture, por dhe për arsye se në afërsi të fermës (5 - 6 km) funksiononte Kombinati i Sheqerit "8 nëntori", i vetmi kombinat i këtij lloji në vendin tonë.
Banorët dhe punëtorët e fermës ishin të mbledhur nga treva të ndryshme të qarkut të Korçës. Më së shumti kishin zbritur në fushën e Korçës dhe ishin sistemuar në këtë fermë fshatarë nga fshatrat e Gorës e të Oparit, ku kishte më shumë varfëri, si dhe devollinj, madje dhe kolonjarë. Më ka mbetur në mendje një fshatar nga Qinami i rrethit të Kolonjës, të cilin e quanin Ali. Aliu nga Qinami ishte pa ekuilibrin e nevojshëm mendor dhe e shfrytëzonin atë për punë të rëndomta. Vendasit e kishin etiketuar si debil dhe e ironizonin, në çdo rast.
Debili Ali Qinami punonte më së shumti me kazmë e me lopatë. Ai e ngrinte veglën (kazmën) lart dhe e ulte atë me të rrotulluar. Njerëzit që ishin pranë tij për t’u ksehasur, të trembur, largoheshin, me vrap. Aliu, i ndikuar nga bejtexhinjtë e famshëm të Kolonjës, përsëriste thënien filozofike, me sa duket pa ia ditur kuptimin. Ai, duke punuar me kazmë, bërtiste:
"… Moj dynja, felek - felek;
Ca i ngre; ca i përpjek…"
Kur nuk ishte në ekuilibër mendor, Aliu ia fuste kot e fliste fjalë pa lidhje. Njëra nga thëniet e tij, pa mend, ishte:
"… Byrekun, me nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë petë;
Jam zonja e bëj vetë…
Edhe gjalpë nuk do shumë…"
Kur Ali debili këndonte kështu, banorët e fermës i mblidheshin, si bletë, e ky ishte relaksimi i tyre.
Për të përcjellë ditët e praktikës mësimore, na sistemuan për të fjetur në një depo drithi, të përshtatur si fjetinë; teksa ushqeheshim në mensën e punëtorëve të bujqësisë. Fjetja ishte problematike, kurse ushqimi nuk ndryshonte shumë nga ai që lamë në konvikt. Ditën shkonim në arë, për të bërë praktikën mësimore, në parcelat e mbjella me panxhar sheqeri dhe me kultura të tjera. Shkonim pas disa traktorëve të vegjël e të çuditshëm të cilët tërhiqnin disa plugje, gjithashtu interesante me formë të përdredhur, të cilat nuk i kishim parë, deri atëherë. Traktori përpara e ne pas tij, grumbullonim tuberat e panxharit të sheqerit që shkulte ai plug i çuditshëm.
Panxharin e grumbullonim në kavaleta të gjata, të larta rreth 70 cm, në anë të parcelës që të mos pengonte plugimin për mbjelljet pasuese dhe i mbulonim me kashtë. Ky lloj shtratifikimi ishte i përkohshëm; derisa panxhari të transportohej në kombinatin e sheqerit "8 nëntori", në Maliq. Vendasit na mësuan si të hanim panxharin e sheqerit të pjekur, i cili ishte mjaft i shijshëm. Donim ta bënim dhe vetë këtë marifet, në mënyrë që të plotësonim, sadopak dietën ditore, por nuk kishim sobë e marifeti nuk na eci.
Në Korçë e në fshatrat ku kultivohet panxhari i sheqerit, në stinën e ftohtë, nikoqiret, për të shfrytëzuar, në maksimum nxehtësinë e sobës (porit), pas gatimeve, futnin në sobë disa kokrra panxhar sheqeri, të cilin e piqnin dhe e konsumonin. Panxhari i pjekur ishte mjaft i shijshëm. Si fëmijë kureshtarë, na e kish enda ta aplikonim këtë zgjidhje interesante, por na mungonte pori.
Kohëqëndrimi në fermën e Vlocishtit kaloi sa hap e mbyll sytë. Paradite ishim në arë, pas traktorit, zetorit, kultivatorit apo arabasë që manipulonin e transportonin produktet bujqësore; pasditen e kalonim me ndonjë lodër të moshës ose me ndonjë shaka nga tonat dhe në mbrëmje, të lodhur e të kapitur na merrte gjumi. Kjo ishte dinamika e një dite pune në fermën e Vlocishtit; për argëtime të tjera, nuk bëhej fjalë fare.
U kthyem në shkollë, për të vijuar programin mësimor, atje ku e kishim lënë. Moti, gjatë kohës së praktikës mësimore në fermën e Vlocishtit mbajti i mirë e ne u kënaqëm, pa masë. Kur binte shi, lëviznim apo më mirë të them, laterzyheshim në ato baltovina; herë me këpucë e herë me këmbët të zbathura. Vendasit, të cilët, në shumicë, ishin punëtorë të fermës, kur binte shi, qarkullonin me çisme llastiku, të cilat neve na mungonin e nuk na takonin. Në fermë qarkullonin mjaft qerre, të tërhequra nga disa qe të çuditshëm trupmëdhenj, me lëkurë gri, të racës Mareman, për të cilët dëgjuam se i kishin prurë nga Hungaria.
U kthyem në shkollë, në atë mjedis të njohur, i cili se si na dukej. Na dukej sikur po na hante klasa, dhe mezi mbusheshim me frymë në atë mjedis të ngushtë. U mësuam të punonim e të barisnim në ajër të pastër e pa kufi. Dy javë, brodhëm nëpër ara e na dukej vetja aq të lehtë e të lirë, sa mateshim me erën. Të mbyste era e këndshme e ugarit të ri dhe të velte kënaqësia e vjeljes së produkteve të freskëta; bio.
Dy javë nuk ishin pak për t’u çmësuar me rutinën e mbylljes së gjatë, në mjedis të kufizuar. Në fermë e ndienim veten të lirë dhe për faktin se nuk ishim në vrojtimin e vazhdueshëm të mësuesve dhe të kujdestarit, të cilët na monitoronin në çdo hap e na kërkonin të zbatonim rregullat e sjelljes, në shkollë, në konvikt e në qytet. Dy javë, nuk rrethoheshim nga mure, banka e libra, dhe nuk mendonim për formula apo për ekuacione, por ishim në mes të bimëve të gjalla e rrethoheshim nga njerëz të thjeshtë e të mirë të punës, të cilët mbanin në krahë kazma, lopata, shata, latoshka e ca si kaci të vogla me të cilat bënin punë konkrete, produktive. Ata, vërtet silleshin siç u vinte për mbarë, por në gjykimet dhe në veprimet e tyre, vështronim çiltërsi e thjeshtësi.
Praktikën mësimore më të këndshme e kryem në vjeshtën e vitit 1957. Atë kohë, na çuan në fermën bujqësore (ndërmarrjen bujqësore) të Elbasanit, e cila mbante emrin e dëshmorit të Luftës Nacionalçlirimtare: "Syrja Dylgjeri". Praktika mësimore në këtë fermë ishte e domosdoshme. Në Korçë, ku kishte selinë dhe veprimtarinë kryesore mësimore Teknikumi ynë, nuk rriteshin agrumet dhe ullinjtë; për një agronom, sidomos për ata të profilit të frutave, njohja e portokallave, limonëve, hurmave, mandarinave, ullinjve, etj. ishte domosdoshmëri. Në Elbasan, dhe konkretisht në fermën "Syrja Dylgjeri" këta kultivarë rriteshin e ishin nga frutat më në zë.
Ishte koha kur hurmat ishin pjekur, madje mjaft syresh ishin të tejpjekura e vareshin në degë të pemëve sikur të na e bënin kilizi. Verdhonin parcelat me hurma, me portokalle e me limone. Gjethet kishin rënë e frutat ngjyrë floriri zbukuronin mjedisin.
Në fermën "Syrja Dylgjeri", u sistemuam në kushte mjaft të përshtatshme. Na sistemuan në sektorin e Kosovës; pranë qytetit të Elbasanit - "kërthizës" së Shqipërisë. Shumica e punonjësve të sektorit, për rrjedhojë dhe banorët e qytezës me të njëjtin emër, ishin me origjinë nga Kosova. Drejtoria e fermës dhe administrata përkatëse u kujdesën që sistemimit tonë, për praktikë dhe për të jetuar të mos i mungonte asgjë. Ditën e kalonim në pemëtore. Mësuam si mbillen farishtet e agrumeve, si rriten fidanët në fidanishte, si bëhej transplantimi i fidanëve nga fidanishtja në parcelë, si dhe shërbimet kulturore që u bëheshin frutave, në stinë të ndryshme.
Kurioziteti i adoleshentëve të padalë na çoi nëpër rrugicat plot dyqane, të Elbasanit tradicional ku shitoret shtriheshin në të dyja anët e rrugëve të qytetit. Elbasani shquhet për punime artizanale të larmishme dhe për gatime me shije. Ne, të shtyrë nga kureshtja, dolëm për t’i parë këto begati live. Pamë shumë gjëra e biseduam me mjaft njerëz. Pyetjet tona për çmimet ishin të kota mbasi nuk kishim para e nuk do të blinim asgjë.
Në një rrugicë, emrin e së cilës nuk e kujtoj për momentin, një shitës, me një karrocë të sajuar si tezgë, i cili shiste prodhime brumi, bërtiste më të madhe: "Hajde, simite me bugace, ke daja!" Disa të tjerë, i kishin vendosur mallrat në një lloj tezge prej kompensatoje, të cilën e mbanin të varur, në qafë. Me këtë lloj tabakaje të veçantë, ata bënin tregtarin shëtitës. Kalonim anës rrugës, në grup. Binim në sy që nuk ishim vendas, por të ardhur (Elbasanasit u thonë jabanxhinj).
Këtë veçori tonën e kishin pikasur edhe shitësit elbasanas. Njëri nga tregtarët vendas, një burrë rreth të tridhjetave, i ngjallur e me bark që binte në sy, siç duket qejfli djemsh, i pakënaqur që ne 16-vjeçarët, pa vënë ende brisk në faqe, nuk kaluam përpara dyqanit të tij, i foli fqinjit, me tekstin e koduar që vetëm ata e kuptonin: "O filan! Po ti trembi ata pëllumba këtej!"
Qëndrimin në Elbasan e shfrytëzova dhe si kohë të përshtatshme për të kërkuar e për të gjetur disa nga njerëzit e mi, të cilët punonin e banonin në atë qytet. Kisha shumë vite pa e parë Barjamen; vajzën e madhe të xha Lazes, të cilit i thërrisnim rëndom – Aga. Barjamja e Laze Xhezo Haderaj, gjitonit tim në Kalivaç të Tepelenës, ishte martuar kur ishte jo më shumë se 16 vjeç, në fshatin Corrush të Mallakastrës, me Qani Shehun; kushëri i Mehmet Shehut, i cili, jo vetëm që ishte më i madh në moshë, por ishte dhe i "vrarë" nga veshët. Qaniu, në atë kohë, ishte rojë, në fermën "Syrja Dylgjeri"; në sektorin e Kosovës. Fillimisht u njoha me Qaniun, në një bisedë të rëndomtë, nga ato që zhvillohen në pushimet e punës dhe ku të panjohurit pyesin për rrënjë e për dhëmballë, pa marrë parasysh ruajtjen e privatësisë.
Pas njohjes me të shoqin, një pasdite, i bëra vizitë kortezie, Barjames, sipas orientimit të bashkëshortit të saj. Siç është tradita shumëvjeçare e fshatit tim, Barjamja, e cila më njohu, sapo më pa, më puthi në faqe me mallin dhe me çiltërsinë e gruas së malluar, për njerëzit me të cilët është rritur por që nuk i ka parë, prej kohësh. Ajo më priti e më sajdisi sikur t’i kishte vajtur në shtëpi vëllai i saj i madh – Nurja apo vëllezërit e tjerë: Kujtimi; Raiti apo motra Merushe.
Grupi ynë përbëhej nga 20 nxënës të përzgjedhur, nga më të përparuarit në mësime dhe me sjellje të pëlqyer. Në praktikën mësimore të Elbasanit qëndruam dy javë. Kur u larguam nga Elbasani për në Korçë, valixhet tona prej kartoni, të cilat i kishim marrë me vete për të futur teshat vetjake, i mbushëm me hurma. I ruajta hurmat, në konvikt dhe i konsumova, pak nga pak. Ato u poqën pas vjeljes, në valixhe dhe kulluan duke ma bërë valixhen pis, me "xhelin" e lëngëzuar që mbanin brenda.
Praktikën mësimore në këtë fermë e përsëritëm dhe në pranverën e vitit pasardhës (në muajin maj të vitit 1958). Në pranverë, agrumeve dhe ullinjve, u bëheshin të tjera shërbime dhe ne duhet të njiheshim me to. U sistemuam ashtu si gjashtë muaj më parë, në disa dhoma me gabarite të mëdha, të përshtatshme si fjetina. Me ushqim, u trajtuam si radhën e parë. Sa i takon qytetit të Elbasanit dhe sektorit të fermës, nuk ishim më në të panjohurën. Ishim familjarizuar me mjaft punëtorë të fermës dhe me banorë të sektorit; kisha hapur një "deriçkë" komunikimi me gjitonen time në Kalivaç, Barjamen e Laze Xhezos.
Ashtu si në praktikën e vjeshtës së shkuar, edhe në pranverë drejtoria e shkollës kishte përzgjedhur nxënës të klasave të ndryshme, me synimin që të shkonin e të përfitonin nga praktika ata që kishin tregues më të lartë në mësime, si dhe ata që ishin më "të hedhur". Një fotografi, e bërë në ditën e largimit nga praktika mësimore, kur do të linim pas Elbasanin e do të niseshim për në Korçë, na bën me dije përbërjen e grupit të nxënësve praktikantë. Në atë fotografi të kohës së largët, në këto ditë identifikoj: Andrea Tanen, nga Kolonja; Përparim Kodren, nga Pirgu; Vasil Talurin, nga Hocishti; Vaso Bocin, nga qyteti i Korçës; Myderiz Leken, nga fshati Osnat i krahinës së Mokrës; Thanas Foton, nga fshati Koblare i rrethit të Përmetit; Rakip Topciun, nga fshati Vishocice, i rrethit të Devollit; Jorgo Comken, nga Hocishti; Bajram Shahaj, nga Drizari i Mallakastrës; Vasil Tollumi, nga fshatrat e Elbasanit; Zani Kociun, nga fshatrat e Devollit; Urim Spahiun, nga Verleni i Devollit; Foti Vllahun, nga Postenani i Leskovikut; Aleks Vangjelin, nga Barmashi; Qerim Muskaj, nga Pirgu i rrethit të Korçës; Ali Hidersha, nga Rehovica e Skraparit; Novruz Barutin (Starova), nga Poradeci; Xhemal Dautin, nga fshatrat e Përmetit; Maksim Tuxharin, nga qyteti i Korçës; Niazi Nelaj, nga Kalivaçi i Tepelenës; Gëzim Kuqon, nga qyteti i Korçës; Zihni Hoxhallarin, nga Poradeci; etj. Në Elbasan kreva disa punë të nisura që në vjeshtë; i bëra vizitë Qani Shehut, nga Corrushi, burrit të Barjames dhe ndoqa një ndeshje interesante futbolli. "Vdisja" pas futbollit. Atë ditë luante ekipi i futbollit kryeqytetas "Partizani", kundër ekipit vendas të Elbasanit.
10 - 15 adoleshentë nga grupi ynë i nxënësve, ata që ishin të dhënë pas futbollit, shkuam në "stadium". Stadium i thënçin se, në fakt, ishte një fushë e rrethuar me tela me gjemba, pa tribunë të mbuluar, me fushën gjithë ujë e baltë. Futbollistët të lerosur nga lluca, vraponin nëpër fushë e dukeshin si një tufë derrash që po kërkojnë rrënjë bimësh, nëpër llucë. Të gjithë ne nxënësit simpatizonim e donim të fitonte "Partizani". Edhe unë e Xhoda (Xhemal Dauti) që ishim tifozë të "Dinamos", shpresonim të fitonte "Partizani".
Për atë ekip bënim tifo dhe shpresonim për të parë një ndeshje të bukur. Përballë furisë së thirrjeve frenetike të sportdashësve vendas, duke e ditur se zëri ynë nuk ngrinte peshë, preferuam të rrinim "squke", siç thonë tironsit. Nuk na e mbante të dilnim hapët në mbështetje të ekipit mik. Pa bërë kronistin e ndeshjes, loja përfundoi në barazim 1:1. Më la pa mend një ulërimë e tifozëve elbasanas, të cilët bërtisnin: "Merri pikën!"
Tifoz futbolli isha e nuk lija ndeshje pa parë, por të tillë ulërimë, të artikuluar kësisoj, nuk më kishin zënë veshët.
Sot që po shkruaj këto radhë, në Elbasan përurohet stadiumi i ri i futbollit, i cili ka marrë emrin simbolik: "Elbasan Arena"! E kam parë vetëm në televizion e më ka pëlqyer. Kapaciteti i stadiumit është 12500 sportdashës, të ulur. Sot, në orën 20.45, në këtë stadium do të luajë ekipi kombëtar i Shqipërisë, në përbërje të të cilit luajnë, kryesisht futbollistë shqiptarë nga Kosova. Çfarë rastësie, por, duhet pranuar dhe çfarë zhvillimi!
Pas 55 vitesh, në Elbasan, në kushte të tjera, po zhvillohet një ndeshje e madhe, në kuadrin e finaleve të Kampionatit Europian të Futbollit. Le të shpresojmë se edhe futbolli elbasanas do të njohë rritje e do të ngjitet në nivelin e3 dikurshëm kur luanin: Ibershimi; Gjika; Jorgaqi etj.
Më 1 maj të vitit 1959, me një grup djemsh adoleshentë shkova në lumin Shkumbin, për t’u larë. Temperaturat e ajrit ishin të larta e ne donim të freskoheshim. Dhe ishte dita e parë e majit. Pranverë e atyre viteve. A mund të krahasohet klima e ditëve aktuale me të asaj kohe?
Natyrisht që jo. Sa shumë ka ndryshuar klima! Çfarë ka bërë ngrohja globale si rezultat i prapësive të njerëzimit. Sot, është e vështirë të bëhen parashikime të motit, mbasi janë prishur ekuilibri dhe rregullsia.
U lamë në lumë e u "thekëm" në rërën e nxehtë, e cila nuk ishte shtresë e njëjtë, por vullenga – vullenga (njolla – njolla). U relaksuam, pa masë e qëndruam në shoqërinë e njëri-tjetrit, disa orë. Ishim shumë të çiltër në raportet me njëri-tjetrin e nuk linim gjë pa thënë; komunikonim hapët (nxirrnim edhe zorrët e barkut). Asokohe, nuk kishim e nuk veshëm rroba banje të posaçme, por u krodhëm në lumë me ato mbathje që kishim në trup. Në përgjithësi, mbathjet tona ishin prej kamriku të bardhë e me këmbë.
Për mbathje të trikotuara, në atë kohë, as që bëhej fjalë. Jo për ne që ishim të varfër në familjet tona, por as për të kamurit e asaj kohe, të cilët nuk i kishin këto mundësi që ekzistojnë sot. Në atë kohë dija pak not, të cilin e kisha mësuar në Lumin Viose, i cili rrjedh në hapësirat e fshatit tim. Dinin mirë not shoku ynë i klasës, Novruz Baruti (Starova), i cili e kishte shtëpinë buzë gjolit, në Poradec dhe Tanë Vangjelovskij, një fshatar nga treva e Shulinit, i cili e kishte shtëpinë buzë liqenit të Prespës. Në grup kishte dhe korçarë si Maksim Tuxhari e Gëzim Kuqo dhe ndonjë "i hedhur" si Luan Ducja nga Elbasani; Xhemal Dauti, nga Përmeti; Përparim Kodra, nga Pirgu; Zihni Hoxhallari, nga Poradeci etj. të cilët notonin bukur.
Larja në lumin e Shkumbinit, në rrembat që formonte lumi, ashtu, së bashku, në grup shokësh u përngjante ekskursioneve të fshehta që bënim në Korçë, në kodrat e Shenndellis, kur futeshim nëpër gëmusha që të mos na pikaste njeri e tymosnim nga një cigare, për qejfin tonë, teksa shoku i grupit Gëzim Kuqo na lexonte pasazhe nga libra të ndaluar.
Pas praktikës mësimore që zhvilluam në Elbasan, diku nga fillimi i muajit qershor 1959, u kthyem në Korçë, në "çerdhen" tonë; në konvikt dhe në shkollën bujqësore "Irakli Terova". Godina e konviktit ishte ngritur e re, në zonën e Radanecit, pranë hanit të Nasi Vithkuqit. Për shkollë shfrytëzonim një ngrehinë të vjetër njëkatëshe, të mbuluar me tjegulla të kuqe. Para se të kthehej në shkollë, për ne, ajo ngrehinë ishte shfrytëzuar si depo, nga Ndërmarrja Bujqësore "Irakli Terova". Mjediset e përshtatura si klasa, formonin një U, të hapur nga jugu.
Praktika të tjera mësimore i kryem brenda ditës, me vajtje-ardhje dhe të sistemuar në shkollë. Vreshtat e formuara në Vllanice, i kishim si shtëpinë tonë. Kur shkonim në këtë vreshtë masive, e cila shtrihej në disa vargkodra në kohën kur piqej rrushi, na jepej mundësia të zgjidhnim frerët e rrushit më të pjekur, të cilët i konsumonim pa larë. Kështu dhe në pemëtoret e fermës "Irakli Terova", ku bënim të gjitha praktikat. Në ato bahçe, kur shkonim për praktikë, gjithë ditën qëndronim në majë të pemëve.
Nuk mund të harroj një rast, ndonëse ishte i shkëputur. Një ditë shkuam në fermën e Zvirinës, matanë Maliqit, ku funksiononte një bahçe e madhe, me pemë të llojeve të ndryshme. Ishin pjekur mollët, dardhët, vishnjat, kumbullat etj. Hanim ato që na pëlqenin. Njëri nga shokët, me një gjysmë shakaje, por jo pa ironi, pyeti brigadier Sefen: "Si e ka emrin ky varietet molle?" të cilën e mbante në dorë dhe e kafshonte. Sefja, i zënë ngushtë ngaqë nuk kishte njohuri të mjaftueshme, u përgjigj: "Ha e mos bëj shamatë!"
Praktika të tjera interesante ishin: rritja e krimbit të mëndafshit, të cilin e ushqenim me gjethe mani, të cilat i mblidhnim në bahçen me mana të sanatoriumit të qytetit. Kështu dhe shartimi, shtratifikimi dhe shërbimet që u bënim kalemave të hardhive, të cilët i ruanim, derisa të nxirrnin lastarë, në dhoma të ngrohta, me temperaturë konstante.
Jo në të gjitha rastet kam dalë i fituar. Në muajin gusht të vitit 1958, kur kisha mbaruar vitin e tretë të shkollës e prisja për të nisur vitin e katërt e të fundit, punëtorët e fermës "Irakli Terova", në valën e punës për të mbledhur prodhimet, një ditë nisën prerjen e majave të fidanëve të mollëve, në fidanishte, në mënyrë që ata të formonin kurorën, në lartësinë 1.2 m mbi tokë. Brigadieri më dha një palë gërshërë vreshti të prodhimit gjerman e unë, tërë qejf nisa nga puna. Puna më eci mbarë. Në fund të ditës, puna ime u çmua nga brigadieri 200 lekë (të vjetër).
Kur po linim punën, në fund të ditës, dikush, nga pakujdesia ime që kisha kaluar në eufori, më grabiti gërshërët. Dola si "rruar – qethur" atë ditë e vajta në konvikt me turinj të varur.
Në një rast tjetër, po në atë muaj, pranë konviktit ndodhej një bostan i zbukuruar nga kokrrat e pjekura të imonikeve (shalqinjve). Së bashku me shokun tim të klasës, Përparimin, nga Pirgu, u futëm mezhdes, me trup të përkulur; ndaluam atje ku ishin shalqinjtë më të mëdhenj; dolëm në sipërfaqe të parcelës ku shfrytëzuam zvarritjen për t’u afruar tek kokrrat që duhet të merrnim. Mbasi këputnim kokrrat më të mira, i rrokullisnim ato, nëpër arë, derisa i shtynim në mezhde. Veç të vështroje çfarë bukurie dhe shpikje gjetëm! Brigadier Maqua, e mësoi hilenë mbasi u fut në parcelë për të kontrolluar bostanet, në fund të ditës.
Muaji qershor i vitit 1959 dhe ai që pasoi ishin mjaft të ngjeshur e stresues për ne – maturantët. Do të përgatiteshim e do të paraqiteshim në provimet e maturës. Nuk ishte shaka; provimet e maturës ishin një testim i punës sonë katërvjeçare në teknikumin bujqësor. Shkolla, pas provimeve të shtetit, i pajiste nxënësit me një diplomë, e cila të lejonte të ushtroje profesionin e teknikut të mesëm të specializuar në një profil të caktuar.
Në shkollën tonë, pas përfundimit të katër viteve dhe dhënies së provimeve të shtetit, nxënësit që kishin mesataren 5 (shkalla më e lartë e vlerësimit), pajiseshin me një diplomë ku shkruhej, me shkronja në ngjyrë të kuqe, sigla: "Shkëlqyeshëm". Në shkolla të tjera, sidomos në Tiranë, nxënësve të kësaj kategorie u shpërndanin medalje ari. Tek ne – jo. Në fund të sezonit të provimeve, mësuesi kujdestar bënte bilancin e rezultateve në provimet e të katër viteve të shkollës dhe për ata që kishin mbi 85 për qind të lëndëve të vlerësuara me notën 5 i bënte propozim drejtorisë së shkollës, që nxënësi në fjalë të ishte kandidaturë për të marrë diplomën "Shkëlqyeshëm".
Isha nxënës me tregues cilësorë, mjaft të mirë. Isha njëri nga kandidatët për të marrë diplomë "shkëlqyeshëm", por më duhej të jepja një provim plotësues, me qëllim që të arrija kuotën e 85-përqindëshit të notave të përgjithshme -5. Lënda që do të rijepja ishte Hortikultura (kultura e perimeve). Një lëndë e cila çmohej si e dorës së dytë e pa peshë në bashkësinë e notave, të cilës nuk i kisha vënë shumë rëndësi.
Pas kësaj, situata për mua u ndërlikua disi. Më duhej të përgatitesha për t’u paraqitur denjësisht në provimet e shtetit dhe në të njëjtën kohë, të saktësoja kërkesat për të përmirësuar notën mesatare, në një lëndë që e kisha dekonsideruar. U ngarkova, por, me më tepër punë, e përballova situatën. E kapa objektivin; të katër provimet e shtetit i nxora me vlerësim 5 dhe isha në mesataren e kërkuar me mbi 85 për qind të notave pesa. Në përfundim, më akorduan diplomën "shkëlqyeshëm" dhe më shkruan emrin në Librin e Nderit të Teknikumit Bujqësor "Irakli Terova", i cili, siç dihet, është libër i veçantë e ruhet në arkiv, përgjithmonë.
Përgatitja për të dhënë provimet e shtetit u krye sipas disa rregullave që nuk i njihnim më parë. Mësuesit na dhanë pyetjet, sipas lëndëve dhe zhvilluan konsultime, me ne, për të zbërthyer elemente të veçanta, më pak të kuptueshme. Nxënësit studiuan në mënyrë individuale dhe në grupe të vogla, sipas dëshirës. Për studim u shfrytëzuan mjediset e shkollës e të konviktit; biblioteka e shtetit dhe mjediset në natyrë, në veçanti hijet e pemëve dhe shkurret e kodrës ku ndodhet kisha e Shendellise. Nxënësit nga qyteti i Korçës ishin më të privilegjuarit.
Ata mund të studionin në mjediset familjare ku dhe hapësirat janë më të bollshme e të qeta. Nuk lejohej largimi i nxënësve në rrethe të tjera, madje as në fshatrat nga ishin.
Provimet e shtetit u zhvilluan në dhjetëditëshin e tretë të muajit qershor dhe në gjysmën e parë të muajit korrik, të vitit 1959. Provimet u dhanë përpara një komisioni të posaçëm mësuesish ku ishte e detyrueshme pjesëmarrja e mësuesit të lëndës dhe e drejtorit të shkollës, Vangjel Rikashit. Isha nxënës i degës së frutikulturës. Lënda kryesore e kësaj dege ishte frutikultura me pjesët përbërëse si vinikultura (vreshtaria); agrokultura (agrumet); olivikultura (kultura e ullirit) etj. Drejtues i frutikulturës (mollë, dardhë, kumbulla, qershi, kajsi, pjeshkë etj.) ishte një mësues shumë kompetent e autoritar, të cilit rrallëherë i qeshte buza. Ai quhej Vasil Stralla, një njohës i shkëlqyer i lëndës që drejtonte dhe ishte një metodist i rrallë.
Në përfundim të provimeve u rendita me nxënësit që u diplomuan me tregues të "shkëlqyer". Nuk bëmë ndonjë mbrëmje mature si ato që bëhen sot me plot salltanet, me muzikë e me hedhje mielli në fytyrë. Festuam sipas mënyrës sonë dhe sipas kushteve e brenda normave të kohës. Nuk mbetëm pa gjë. U organizua një darkë e përbashkët në të cilën morën pjesë, bashkërisht, nxënësit maturantë dhe mësuesit e tyre.
Ndarja ishte e trishtë. Po ndaheshim pas katër viteve të mundimshme të jetës së përbashkët. Kishim përshkuar labirinthet e jetës adoleshente kur, në njëfarë mënyre, përcaktohet e ardhmja e secilit dhe i vihet vula rritjes dhe formimit të karakterit të njeriut. U ndamë me dorë në qafë e me lot në sy; morëm me vete një mal me mbresa të bukura ku sunduese ishin dashuria, respekti dhe dashamirësia për njëri-tjetrin. Asnjëri nuk ia kishte me hile tjetrit.
Dashuria dhe respekti nuk ishin vetëm brendapërbrenda klasës, por shtriheshin edhe në klasat paralele. Katër vitet që kaluam së bashku na kishin lidhur aq ngushtë sa na dukej sikur kishim dalë nga i njëjti bark dhe sikur ishim rritur në shpërgëjtë e njëri-tjetrit. Ajo dashuri, aq e brishtë; aq e çiltër dhe aq e pafajshme, vështirë se mund të gjendet në ditët tona. Si qenie humane në rritje, në ato vite të adoleshencës sonë, pas diplomimit, na kishte përfshirë euforia dhe dalldia e moshës së paqortueshme.
Njëri nga shokët e klasës; më i moshuari mes nesh, Barjam Shahaj, të cilit, me shaka, i thoshim Pablo, nga Drizari i Mallakastrës, i cili kishte ardhur për të vijuar shkollën e mesme, pas kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, u kujdes për të bërë një polifoto, si klasë. Është ndoshta kujtimi më i vyer i jetës sime rinore. Polifotoja u kompozua në mënyrë të atillë që të përfshinte 27 nxënësit e klasës sonë dhe katër mësuesit përgjegjës. Në krye të fotos, sikur të ishin në një tribunë mbledhjeje, janë vendosur: Vangjl Rikashi, drejtor i shkollës; Vasil Stralla, mësuesi i frutikulturës; Klementina Dishnica, e rrepta Klementine, e cila ishte mësuese kujdestare dhe Mihal Duro, mësues i praktikës mësimore. Ky i fundit ishte personalitet i veçantë; jo për nga horizonti, por nga mënyra e qasjes tek nxënësit.
Ai ishte arsimuar në Bordo ku kishte jetuar disa vite dhe sillej si një europian i vërtetë. Kulturën oksidentale që kishte marrë në Francë, Mihallaqi, përpiqej, në të gjitha mënyrat, ta "injektonte" tek ne "aguridhet". Shpejt e bëmë shok mësuesin tonë zemërmirë. Më ka mbetur në mendje një këshillë e urtë e tij, sipas të cilës: "… më mirë pini një cigare duhan sesa të qëroni një mollë, kur e hani!" Sa për veten e tij, Mihallaqi nuk e pinte cigaren, por e hante duhanin (e përtypte atë).
Ai drejtonte praktikën mësimore dhe na mësoi disa mjeshtëri të domosdoshme për një frutikulturist. Ai na mësoi të krasitnim mollët, kumbullat, dardhët, vreshtin dhe pjergullat etj. etj. pemë që rriteshin në zonën e Korçës. Vëllai i tij, Gaqua, na mësonte hortikulturën (kulturën e perimeve).
Polifotoja ka një simbolikë të caktuar dhe është rrëfimtare e mirë dhe e plotë. Në anën e majtë të saj është vendosur konvikti ynë i dashur, i cili ndodhej në anën veriore të qytetit të Korçës, me pamje dhe me hyrje, nga rruga kryesore që të çonte në Maliq. Në qendër të saj është vendosur një degë molle, me fruta e me gjethe, simbol i degës në të cilën u diplomuam, specialistë frutikulture. Sipër saj është një libër i hapët, i cili thërret: "Dijet nuk kanë fund; ato janë të hapëta, si ky libër!" Në njërën faqe të librit shkruhet: Klasa e IV. B, Frutikulturë; në tjetrën shkruhet: 1958-1959 që daton kohën kur u ndanë degët: agrozootekni e frutikulturë. Kemi fiksuar dhe një datë, takimi në Tiranë, më 10 korrik të vitit 1965, takim, i cili nuk u bë kurrë realitet. Pas ndarjes, secili prej nesh u fut në rrjedhën e jetës e trajektoret nuk përkonin, për rrjedhojë askush nuk u kujtua për atë takim, i cili u shndërrua në nostalgji. Sot, kur kanë kaluar shumë vjet nga ajo datë, kur vështroj, me vëmendje atë polifoto, jo vetëm që çmallem me shokët, por edhe sjell në vëmendje shumë kujtime të bukura e të trishta të moshës së rritjes e të formimit tonë.
Në kohën kur u kompozua dhe u realizua ajo polifoto, ishim pa vënë brisk në faqe dhe lexonim pa ndihmën e xhamave zmadhues; koha që ka shkuar na ka zbardhur, na ka lodhur, na ka rrëgjuar. Për të shquar shoqi-shoqin, sot më duhet të përdor xhama zmadhues, të cilët e kalojnë numrin 3.5 herë. Me trishtim vrojtoj imazhin e shokëve që janë ndarë nga jeta: Gëzim Kuqo; Maksim Tuxhari; Barjam Shahaj; Isa Mani; Rakip Topciu; Jorgo Comka; Andrea Tanë; Përparim Kodra etj. Pleqëria na ka ndëshkuar me shpërfytyrim; disa edhe me sëmundje të rënda. Nuk ndihem fare mirë, kur vështroj ato portrete njomëzakësh dhe bëj krahasimin me të sotmen. Përparim Kodra, njëri nga djemtë më të fortë të klasës e të shkollës, u mposht nga astma bronkiale; Qerim Muskaj, hokatari gjithë nur, tani është shpërfytyruar; Ali Hidershau, Zihni Hoxhallari e mjaft të tjerë, janë rrëgjuar e ecin me ndihmën e bastunit.
Sëmundje të rënda kam përcjellë edhe vetë. Ndihem keq që disa shokë klase nuk kam mundur t’i takoj, prej vitit 1959, kur u ndamë. Aleks Vangjelin; Saliko Kambollin; Foti Vllahun; Vasil Tollumin; Thanas Foton; Zani Kociun; Teki Gegollin; Tanë Vangjelovskin; Vaso Bocin; Zihni Hoxhallarin; Pandi Cicin; dhe Luan Ducen, nuk kam mundur t’i takoj. Polifotoja, për mua, është një kujtim i shtrenjtë, një relike me vlerë të madhe e një send i pashlyer. Ajo më ndihmon të identifikoj shokët që janë në jetë e të mos harroj imazhin e të tjerëve që janë ndarë nga jeta.
Duke sjellë në kujtesë fytyrat e tyre dhe emrat që janë shkruar poshtë çdo fotografie, kujtoj e relaksohem dhe me prapësitë që kemi bërë, për shkak të moshës së parritur e papjekurisë dhe qyfyret që kemi bërë.
U ndava nga shoqëria e shkollës dhe nga të afërmit me banim në Korçë dhe u përgatita për udhë të gjatë. Fillimisht vajta në shtëpinë e kushëririt Qamil Pasho Nelaj. I parritur isha vërtet, por isha bartës i mentalitetit të fshatit tim. Velidenë e doja shumë, por më parë, sipas traditës, duhet të shkoja tek kushëriri, pastaj tek kushërira e cila, fund të fundit, ishte në derë të huaj. Në shtëpinë e Qamilit u ndava nga i zoti i shtëpisë, nga gege Ganua me halle; nga Zonja - Zonjë e nderuar dhe nga fëmijët: Xhevdet; Kastriot dhe Dritë.
Pastaj shkova në shtëpinë e Qani Bektash Shabanaj. U ndava me Qaniun, me kushërirën time Velide dhe me fëmijët: Lirika e Luiza. Me djalin e madh të asaj familjeje, me Astritin, i cili, sapo kishte mbaruar klasën e parë të shkollës fillore, do ta merrja udhën për të shkuar në Kalivaç të Tepelenës. Tanen dhe Katjushen, së bashku me Gjonin të palindur, nuk mund t’i takoja. Ata, pas ndarjes nga jeta të Ferrikut, të cilin e doja dhe e çmoja shumë, kishin shkuar në fshatin Shkozë, të rrethit të Vlorës, në familjen e madhe të babait të Ferrikut, tek Idai Brahimaj dhe tek e shoqja e tij - Fatimeja.
Bëra gati "pajën" (ato pak plaçka trupi), të cilat ishin në një qese pëlhure (atëherë nuk kishte qese plastike) dhe një valixhe prej kompensatoje, të cilën e kisha bërë tek zdrukthëtari Mandi Sofroni, nga fshati Punemire i rrethit, por që punonte e banonte, prej vitesh, në qytetin e Korçës. Valixhen e mbusha me gazeta dhe revista sportive, të qëmtuara, në vite. Në atë kohë simpatizoja ekipin e futbollit të "Dinamos" të Tiranës, i nxitur nga loja teknike që bënte dhe nga uniforma e bukur që mbante. Në tërësi, isha sportdashës i zjarrtë dhe e ndiqja sportin në vend e nëpër botë, më tepër nëpërmjet shtypit të shkruar (gazetës së vetme sportive të kohës – "Sportit Popullor").
Mes literaturës sportive, kujtoj se ishte dhe një revistë e ilustruar me fotografi cilësore nga ndeshja e futbollit: Angli – Hungari, e cila u zhvillua në stadiumin "Uembli" të Londrës, në prani të rreth 100.000 sportdashësve, përfundoi 6: 3, për hungarezët dhe u quajt ndeshja e shekullit. Anglia njihet si atdheu i futbollit dhe, deri atëherë, askush nuk e kishte mundur ekipin kombëtar të saj, në shtëpi. Revista ishte në rusisht, gjuhë të cilën atëherë nuk e zotëroja, por kjo nuk më pengoi të mbaj mend, edhe sot e kësaj dite, disa nga futbollistët më të spikatur të të dyja ekipeve. Revistën e çova në Kalivaç, së bashku me literaturën tjetër sportive, por nuk di asgjë për fatin e mëtejshëm të tyre.
Rrugëtimi nga Korça në Kalivaç të Tepelenës, në atë zheg korriku, kur infrastruktura rrugore ishte copë-copë dhe mjetet e transportit po ashtu, së bashku me Astritin 8-vjeçar, ishte një aventurë dhe një kalvar me vete. Ndoshta një herë tjetër do t’i kthehem këtij problemi mbresëlënës.
Për ta mbyllur këtë rrëfim
E them hapët e pa pikën e drojës, se, për Korçën, kam qenë e jam nostalgjik. Jo vetëm se atje u rrita e u formova, si njeri, por për ndikimin e fuqishëm të atij mjedisi në drejtim të kristalizimit të disa tipareve të qenësishme njerëzore, të cilat u konsoliduan, më pas.
Sa herë më jepet mundësia, edhe tani kur mosha ka avancuar e fuqitë janë pakësuar, shkoj në Korçë, me kënaqësi të veçantë e më ngjan sikur shkoj në Kalivaç të Tepelenës. Kur shkoj në Korçë, kaloj, në këmbë rrugët kryesore, kthehem e ndaloj përpara objekteve që kam frekuentuar dikur, çmallem me natyrën e bukur përqark qytetit, kujtoj e sjell në mendje, fëmijërinë time. Kujtime të shumta më ngjallin sheshi përpara Luftëtarit të panjohur; kinema "Morava"; bulevardi "Republika" e ai "Gjergj Kastrioti"; Kisha e Shendellise dhe kishat e tjera (Shën Thanasi; Shën Gjergji; Shën Maria; Shën Triadha etj.). Disa objekte sociale me vlerë si Kinoteatër "Cajupi"; Bulevardi "Skënderbeu"; Komiteti Ekzekutiv i rrethit; Biblioteka e qytetit etj. etj. për të cilat nostalgjia nuk shuhet.
E lashë Korçën, të vogël (si shtrirje) dhe me ngrehina jo aq moderne; tani Korça nuk është si më parë. Ajo ka pësuar transformime cilësore, pa u larguar nga tradita. Kanë të drejtë ata që thonë: "Korça nuse!" Në një vajtje kërkova konviktin tim; çerdhen time të paharruar, por me zor e gjeta, mes drurëve të shumtë dhe ngrehinave të larta. Pyeta dikë për Hanin e Nasi Vithkuqit; nuk e kishte dëgjuar; Kulla e Hirit kishte mbetur po ajo që kisha lënë; Lumi i Dunavecit është mbuluar plotësisht e, në vend të tij është shtruar një goxha rrugë, e asfaltuar e janë bërë parqe të bukura me stola e me rrugica të bukura. 2 – 3 herë jam ngjitur tek Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, atje ku mes bardhësisë së përjetshme prehen, tre pilotë, pranë e pranë, të cilët kanë rënë në krye të detyrës.
Pozicioni i përzgjedhur në atë lartësi i rri si kurorë lavdie, Korçës plakë; Korçës së atdhetarëve të shquar. Nga ajo lartësi, mund të soditësh qytetin dhe të bësh krahasimin e ndryshimeve që kanë ngjarë. Përse të mos e them, siç e ndjej? Sa herë më jepet rasti të shkoj në Korçë, vë re se malli për të, në vend që të fashitet, shtohet më shumë e prapë dua të vete.
Në këtë çështje, i jap vetes të drejtë. Vajtja ime në këtë qytet dhe largimi prej tij, i cili më është bërë si vendlindja ime, nuk janë si të tjerat, por i ngjajnë atij shiut të verës që bie në tokën e zhuritur e më parë pushon sesa nis të bjerë. Nostalgjia ime për Korçën nuk ka asgjë të përbashkët me deklaratat retorike; as nuk ngjan me përbetimet e sajuara, por është një ndjesi njerëzore e një njeriu, i cili ndihet borxhli, ndaj një mirësie që i është bërë.
Një porosi për korçaret dhe korçarët, me këtë rast, e kam: Ruajeni dhe duajeni qytetin tuaj të lashtë e të bukur, atë qytet, i cili ju ka dhënë këtë emër kaq të bukur dhe është një "perlë" e vërtetë, në Shqipëri e më gjerë! Ta dini mirë se nuk e keni bërë ju Korçën, por ajo ju ka bërë juve!
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; në Tiranë, gjatë muajve korrik, gusht, shtator 2015