Niazi Nelaj

Shkrime

Mirësia përmetare

13 shkurt 2020 · 3 min lexim

Disa ndodhi, edhe pse lashtësohen, lënë gjurmë e nuk harrohen. Kisha dëgjuar e kisha parë zemërbardhësinë përmetare, por, në fëmijërinë time, kur isha rreth 12 vjeç e provova bujarinë e tyre të rrallë.

Në fundgushtin e vitit 1955 shkoja për herë të parë në Korçë dhe fluturoja nga gëzimi. Fjeta një natë në Gjirokastër, tek Hani i Stavros, të nesërmen (25 gusht), me një autobus 52 vendesh, mora udhën për në Korçë. Në të dalë të Përmetit, mbasi kishim kaluar urën mbi Vjosë, autobusit i ra zbara e njërës anë e nuk mund të vazhdonte udhëtimin. Të gjithë, në këmbë, u vendosëm në qendër të qytetit, në pritje të zgjidhjes së problemit. Aso kohë, ishte vështirë të komunikoje në telefon e jo më të ndërrohej autobusi, apo të riparohej defekti. Po errësohej.

...vijon...

...vijon

Hoteli i vetëm nuk kishte vende. Në Përmet nuk njihja njeri. Nata nisi të bëhej e freskët. Fjetja jashtë ishte tepër e vështirë. Ca më tepër, për një fëmijë, si unë.

Ndodhi një mrekulli të cilën ia vlen ta mësojnë të gjithë. Tek sheshi i qytetit, pranë pasagjerëve të mbledhur pas njëri-tjetrit, ia behën qytetarë përmetare, secili prej tyre, pa e njohur, mori një pasagjer dhe e përcolli në shtëpinë e tij, për të kaluar natën. Çfarë mrekullie pashë me sy, atë buzëmbrëmje aty anës Vjosës, në rreze të Dhembelit?

Mbeta i vetëm në mes të sheshit të zbrazët. Situata, për mua u bë më kritikë se kurrë. Në krah mbaja një torbë të bardhë prej pëlhure. Brenda saj, Nëna kishte futur ushqime të zgjedhura për t’i konsumuar në atë rrugë të gjatë e të paprovuar më parë.

Papritur, nga balkoni përballë, nga kati i dytë i një ngrehinë, më bëri me shenjë, një burrë, që të ngjitesha, lart. Shkallët e shtëpisë ishin në anën e prapme të saj. Kur vuri re që isha i parritur, burri i panjohur, zbriti e më shoqëroi në shtëpinë e tij, në katin e dytë.

... vijon e përfundon...

Në shtëpinë e tij me dy dhoma, ishin bashkëshortja dhe dy djem. U shtova dhe unë, në një kohë ngushtësie; kur ushqimet ishin me triskë dhe ora kur shkova ishte e vonët. Nikoqirja shtroi tavolinën e rreth saj u qasëm për të darkuar.

Mbi tavolinë, gruaja vendosi 5 pjata. Vetëm në dy prej tyre (në atë ku do të hante i zoti i shtëpisë dhe në timen) kishte nga një thelë mishi. Ku ta gjente mishin për të gjithë, ajo grua bujare, në atë orë? Në atë sofër vërtet kishte varfëri por në të ishte derdhur shumë bujari e mirësi.

Me droje, u ngrita mora torbën time, nga gozhda në mur ku ishte varur. Nxorra (derdha) mbi tavolinë ushqimet që më kishte nisur Nëna: Yshmer, byrek, qullapite, paluzë, pulë, vezë të ziera, gjizë, gjalpë, çyrek, fruta, arrore etj. I hëngrëm së bashku u kënaqëm. Përziem ushqimet. Atë natë fjeta si pasha. Të nesërmen në mëngjes, erdhi një autobus, nga Gjirokastra e vijuam udhën për në Korçë.

Provova, në lëkurë bujarinë dhe mirësinë përmetare.

← Të gjitha shkrimet