Na mbyti stresi. (Përjetim)
Nuk është kënaqësi, por prapësi e grykësi. Stresi nuk ka moshë e nuk di të bëjë përjashtime. E keqja është se ndikon drejtpërdrejt në gjendjen shpirtërore dhe në jetën e njeriut. Të stresuar janë të kamurit dhe pabukësit. Vetëm shkaqet ndryshojnë. Më keq është kur stresi bëhet pjesë e jetës dhe e shoqëron njeriun gjatë.
Grimcat e huaja që qarkullojnë në ajër, cenojnë cilësinë e tij dhe vështirësojnë frymëmarrjen. Gëzojmë kur bie shi, që të bëhet ajri "disi më i pastër".
Del nga shtëpia për të blerë diçka dhe mendon: A do të tentojë shitësi të më japë ndonjë mall të ndenjur e që i ka skaduar afati? Dhe i buzëqesh, me hipokrizi, sikur ta kesh mik, prej kohësh, me shpresë që të të bëjë ndonjë favor.
Shoferët, sidomos ata të ambulancave takojnë sinjalin e alarmit e me të vazhdojnë, pa menduar se përpiqen të shpëtojnë një njeri e mund të sëmurin disa të tjerë, madje mund të shkaktohet dhe ndonjë aksident.
Nuk hap dot televizorin se vështron vetëm skena krimi dhe horror. Me shumë dëshirë i transmetojnë kronikat e zeza, ata që e kanë për detyrë të relaksojnë e të informojnë popullin që paguan....vijon...
vijon...Provo të shkosh në ndonjë zyrë, në klinikë, në laborator mjekësor, etj. etj. ku pritësi para se të të thotë mirë se erdhe, të vështron mirë e mirë nga duart e të psikologjis, a do t’i ofrosh diçka.
Shpesh më duhet të kaloj trotuarit. E them hapët se i urrej udhëtimet me autobus urban ku, njëri të shkel e nuk të thotë as më fal; një tjetër të shtyn, thith lloj-lloj aromash, të këndshme e të shpifura, ka dhe faqezinj që të futin dorën në xhep, ka fatorino që të marrin paratë e nuk të japin biletë; vijnë prapë (kur harrojnë) e të kërkojnë të paguash rishtaz. Ndonjë shofer, i pastërvitur të udhëtojë përmes gropave, t’i bie zorrët tek gurmazi etj. etj.
U bë bozë, çështja e koshave ku hidhen mbeturina. Më ka rastisur, jo një herë, kur e kam mbajtur në dorë e nuk kisha ku ta hidhja biletën e urbanit dhe e kam çuar në shtëpi. Është e vërtetë që i marrin hallexhinjtë, por një zgjidhje mund të gjendet.
Kaloj në trotuar dhe kur bie shi, ngaqë pllakat lëvizin, sprucohesh me ujë e me baltë.
Çfarë të thuash për qentë e rrugës të papajisur me maska. Pronarët thonë se nuk janë agresivë. Di që kafsha jeton me instinkte dhe ku i dihet se kur e ke do të kafshojë.
Provoni të kaloni në "unazë", përballë gjykatës së shkallës së parë. Ke frikë të kalosh në trotuar, mbasi, nga çasti, në çast mund të bjerë streha e ngrehinave të vjetra.
Po lypsarët, që të zënë prej këmbësh; hajdutët, sekserët, mashtruesit, a nuk janë stresantë? Vijon...
Vijon...Këto dhe dukuri të tjera të ngjashme, nuk mund të justifikohen me thënien standarde se "Është qytet relativisht i ri e në rritje. Popullsia është heterogjene e të ardhurit kanë sjellë praktika të jetuari e mentalitete të ndryshme etj. etj."
Dakord, por me pak më tepër punë, dhe me ndonjë investim vullnetmirë, diçka mund të ndryshojë. Nuk është ndonjë sakrificë e madhe, të mos bëjë zhurmë ndërtimore, gjitoni në kohën kur fëmijët flenë etj. Jemi në qendër të Europës e nuk na nderon fakti që nuk sillemi si europianë. Mundësitë për t’i riparuar kusuret tona janë, veç kërkohet ta nisim ndreqjen nga vetja!
Fund i përjetimit të pafund!